Zyrtari i Kuvendit ikën për master 10 muaj në Itali, por merrte rrogën

Shqipëria

Zyrtari i Kuvendit ikën për master 10 muaj në Itali, por merrte rrogën

Më: 8 maj 2017 Në ora: 09:51
Ilustrim

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 1 vit burg një ish-zyrtar të lartë të Kuvendit të Shqipërisë, të akuzuar për “shpërdorim të detyrës”.

Vepra penale për të cilën është fajësuar i pandehuri Ricard Marku, ish-drejtori i Shërbimeve të Komisioneve të Kuvendit, dyshohet të jetë kryer në harkun kohor 2009- 2010.

Sipas gjykatës, Marku ka lejuar që një vartës i tij të paguhet rregullisht nga Kuvendi, ndonëse ky i fundit nuk është paraqitur për gati 10 muaj në punë.

Po ashtu, gjatë kësaj kohe, këshilltari edhe është vlerësuar sipas formularit të vlerësimit vjetor të punës. Referuar vendimit të shpallur pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës, ish-zyrtari i Kuvendit nuk do të shkojë në qeli.

Gjykata vendosi përfundimisht pezullimin e ekzekutimit të dënimit të tij me burg për Markun, duke e lënë atë në shërbim prove për një periudhë prej 18 muajsh. Procedimi penal ndaj Markut ka nisur pas një kallëzimi të bërë në Prokurori nga vetë strukturat e Kuvendit të Republikës, në shtator të vitit 2015.

Në këtë vit strukturat e Kuvendit kanë konstatuar faktin se D. G., një nga këshilltarët e Komisionit të Integrimit Europian, ishte paguar rregullisht, ndonëse në periudhën shtator 2009-korrik 2010 kishte kryer një studim master në Itali.

Sipas vendimit, këshilltari D. G. kishte kërkuar leje pa të drejtë page për shtator-tetor 2009, leje e cila i ishte miratuar. Nga ana tjetër, pas daljes nga vendi, ai është kthyer gati 10 muaj më vonë.

“Nga faktet e rezultuara provohet që shtetasi D. G., edhe pse ka qenë me studime në Itali, në listëprezencën e punonjësve të muajve nëntor 2009-korrik 2010, mbi bazën e të cilave bëhej edhe pagesa e punonjësve, ka rezultuar i pranishëm dhe njëkohësisht ai është vlerësuar sipas formularit të vlerësimit vjetor të punës me rezultatin ‘mirë’.

Punonjësi që ka shënuar praninë e shtetasit D. G. në listëprezencat dhe zyrtari raportues i vlerësimit të shtetasit D. G. ka qenë shtetasi Ricard Marku, me detyrë drejtor i Shërbimeve të Komisioneve të Kuvendit”, thuhej në vendimin e Gjykatës.

Duke iu referuar deklarimeve të të pandehurit gjatë hetimit të çështjes, gjykata citonte në vendim se “Ai nuk është në gjendje të kujtojë nëse shtetasi D. G. ka qenë prezent në punë, pasi kryerja e punës nuk kishte pasur problem dhe, për shkak të volumit të punës e rëndësishme për të ka qenë të kryhej puna e përpilimit të raporteve nga këshilltarë dhe jo thjesht prezenca e tyre në punë. Ai nuk është në gjendje të kujtojë nëse shtetasi D. G. ka qenë për qëllime studimi përgjatë 2009-2010, për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat