Kandidatët, 6 emrat me njollë në listat e PS-së

Shqipëria

Kandidatët, 6 emrat me njollë në listat e PS-së

Më: 9 maj 2017 Në ora: 08:49
Edi Rama

Partia Socialiste është kritikuar ashpër nga opozita për elementë me të shkuar të errët, brenda dhe jashtë vendit. Për zgjedhjet parlamentare të këtij viti, gjatë prezantimit të kandidatëve të Partisë Socialiste, koordinatorët e PS-së theksuan se në lista kanë emra profesionistësh dhe personash që i kanë shërbyer komunitetit të tyre. Por, edhe në këto lista nuk kanë shpëtuar kandidatët që janë proceduar nga gjykatat e vendit dhe të huaja për vepra të ndryshme penale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që nga dita e djeshme ka publikuar formularët e dekriminalizimit dhe jetëshkrimin e kandidatëve që do të garojnë për një vend në Parlament. Nga formularët rezultojnë se janë 6 emra që janë proceduar. Nga formularët e dekriminalizimit rezulton se 1 person që është  ndjekur, ose proceduar penalisht janë deputetë aktualë dhe 5 të tjerë janë të rinj. Procedimet penale nisin nga vjedhja e energjisë elektrike, tek shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, deri tek pengesa për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.

Alban Ramohitaj

Kandidati për deputet Alban Ramohitaj është i renditur i 10-ti në listën e deputetëve të Partisë Socialiste në Qarkun Durrës. Në formularin e dorëzuar në KQZ-së Ramohitaj ka shkruar se në vitin 2004 Gjykata e Durrësit e ka dënuar me 2 muaj burg ose 18 muaj me kusht për vjedhje të energjisë elektrike. Katër vite më vonë, në 2008 kandidati për deputet ka qenë nën hetim nga Gjykata e Pavias, në Itali, pasi u kap me një patentë shqiptare të pavlefshme. Ramohitaj shënon se ka bërë marrëveshje me drejtësinë italiane duke pranuar fajin.

Myzafer Bushaj

Myzafer Bushaj është i 10-ti në listën e Qarkut Shkodër. Ai ka deklaruar se është i ndaluar në periudhën 21-24 shtator të vitit 2009 pas një aksidenti rrugor. Gjykata e ka shpallur të pafajshëm.

Ardit Konomi

Ardit Konomi është kandidat i PS-së në Qarkun Korçë. Ai është renditur i shtati në listën e kandidatëve për deputetë. Ai ka shënuar në formularin e dekriminalizimit një procedim për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Çështje është pushuar më 30 dhjetor ’97.

Granit Kërxhalliu

Granit Kërxhalliu është renditur i 29-ti në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste në Tiranë. Ai është akuzuar nga prokuroria në 25 shtator 2012 për pengim të ekzekutimit të vendimeve të gjykatës. Gjykata e Tiranës e ka dënuar me detyrim paraqitje, ndërsa ajo e Apelit e ka pushuar çështjen.

Ismet Beqiraj

Ismet Beqiraj është renditur i 4-ti në listën e Partisë Socialiste për Qarkun Fier. Në formularin e  dekriminalizimit të dorëzuar në KQZ ai shënon se është ndaluar nga policia 26 maj 1996, një ditë para zgjedhjeve. Ndaj Beqirajt është kryer një verifikim i thjeshtë, por ndaj tij nuk ka filluar procedimi. Sërish në 1997 është ndaluar nga policia për verifikim. Sërish ai shënon se nuk nisi procedim, por u krye verifikim i thjeshtë.

Pjerin Ndreu

Deputeti Pjerin Ndreu është i dyti në listën e kandidatëve për Partisë Socialiste për Qarkun Lezhë. Sipas të dhënave të deklaruara nga deputeti, ai ka qenë i arrestuar në shtator të vitit 2004 nga policia për përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike. Më vonë Ndreu është shpallur i pafajshëm.

Kandidati me tre emra

Në listat e kandidatëve për deputetë të PS-së një person rezulton me tre emra. Kandidati që është i renditur i katërti në listën e PS-së për Qarkun Dibër, kandidati Myfit ka deklaruar se ka ndryshuar tre herë emrin e tij. Ndryshimet janë: Myfyt në Mufit, nga Mufit në Myfyt dhe ndryshimi i tretë është nga Myfyt në Myfit. Kandidati në fjalë nuk ka deklaruar asnjë procesin apo dënim për ndonjë vepër penale.

27 emrat me precedentë

Tre ditë më parë në media u publikuan edhe emra të tjerë që nuk e kishin formularin e pastër. Nga të dhënat paraprake të KQZ rezultonte se edhe parti të mëdha si LSI, PDIU apo LIBRA e Ben Blushit janë gjetur problematika në formularët dhe të dhënat e kandidatëve. Sipas të dhënave LSI rezultonte të kishte të paktën 3 kandidatë kanë pasur në të kaluarën precedentë penalë, PDIU ka 4 kandidatë, LIBRA 2 kandidatë, Partia e Minoritetit Grek për të ardhmen ka 2 kandidatë, PDS 3 kandidatë, dhe Partia Kristian Demokrate 4 kandidatë. Pavarësisht këtij fakti, KQZ ka arritur në konkluzionet se asnjë prej tyre, në zbatim të ligjit të dekriminalizimit, nuk është në kushtet që t’i refuzohej kandidimi për deputet të LSI-së. Nga verifikimet rezulton se “Sfida për Shqipërinë” e ka të plotë dokumentacionin e listës së kandidatëve dhe nuk ka asnjë problem me listat e kandidatëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat