Basha: Bashkohuni dhe ju, më 13 maj do të jem me gruan dhe fëmijëts

Shqipëria

Basha: Bashkohuni dhe ju, më 13 maj do të jem me gruan dhe fëmijëts

Më: 12 maj 2017 Në ora: 10:25
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

“Protesta do jetë paqësore, ndaj bashkohuni me mua, me familjen time dhe me fëmijët e mi. Do të jemi këtu. Ejani me zemrat e mbushura me një besim për të nesërmen që po vjen”.

Kështu deklaroi dje, kreu demokrat, Lulzim Basha, nga çadra e ngritur në Bulevardin e kryeqytetit përballë kryeministrisë, teksa ftoi qytetarët që të marrin pjesë në protestën e 13 majit.

“Teksa marshojmë bashkë drejt vlerave të Bashkimit Europian, ndjejmë përgjegjësinë që të bashkohemi këtu më 13 maj në një bashkim që do të ketë një emër e do të hyjë në histori si referendumi për republikën e re. Kësaj i trembet republika e vjetër, i trembet kupola kriminale, i trembet krimi. Autostrada referendare e 13 majit do të japë vulën për zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Në asnjë cep të kontinentin europian, nuk luftohet kaq fuqishëm për vlerat e Europës sesa në këtë shesh të lirisë. Forca jonë ka qenë kauza e drejtë, interesi qytetar dhe kjo jo vetëm që nuk na ka lodhur, por na ka bërë më të fortë në 83 ditë”, u shpreh ai.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është përgjigjur indirekt dhe komisionerit evropian Johannes Hahn, duke theksuar se rruga evropiane e Shqipërisë nuk mund të kalojë nga votime farsë.

Në ditën e 83 të protestës, Basha ftoi qytetarët që të bashkohen masivisht në protestën e 13 majit, sipas të cilit nga ajo do të kalojë autostrada referendare për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Pa zgjedhje të lira nuk do të kishte pasur kurrë Evropë. Evropa e vlera është Evropa e shtetit ligjor që nuk ndëshkon të pafajshmit dhe ngre në pushtet kriminelin dhe trafikantin.  Miqtë tanë anë e mban botës, duhet ta dinë fare mirë se rruga evropiane nuk mund të kalojë nga bojkoti, nuk mund të kalojë e nuk do të kalojë nga mospjesëmarrja, por kurrsesi nuk do të kalojë nga asgjësimi i garës së vërtetë, nuk do të kalojë nga kthimi i monizmit pas 27 vitesh që e shporrëm. Nuk mundet dhe nuk do të kalojë nga votime farsë të diktuara nga krimi dhe droga. Rruga evropiane e Shqipërisë do të kalojë nga autostrada referendare e 13 majit për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndaj bashkohuni me mua, familjen time, me fëmijët e mi do të jemi këtu. Ejani me zemrat e mbushura me besim tek e nesërmja që na pret. Unë e kam parë këtë të nesërme, ju po e ndërtoni ditë për ditë. Bashkë do të shembim çdo pengesë. Bashkë do të nxjerrim në pension kupolën e korruptuar të Republikës së Vjetër do t’ia dorëzojmë Muzeut Kombëtar në pavionin e turpit. Ejani pa frikë. Ky do të jetë manifestimi gjigant. Askush të mos mungojë në këtë moment të historisë, në këtë moment të Evropës që do të vijë e shpalosur me vlerat e saj”, deklaroi Basha, duke shtuar se protesta do të hyjë në histori si referendumi për Republikën e Re.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat