Rama me operatorët: TVSH-ja për turizmin më e ulëta në rajon

Shqipëria

Rama me operatorët: TVSH-ja për turizmin më e ulëta në rajon

Më: 14 maj 2017 Në ora: 08:05
Edi Rama

Teksa opozita po protestonte në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kryeministri Edi Rama, ndodhej në Selenicë të Vlorës teksa po prezantonte kandidatët për deputetë dhe më pas zhvilloi disa takime me operatorët turistikë në vend. Rama tha falë uljesë së taksave për turizmin, ky sektor do të jetë tashmë më konkurruesi në rajon. “Me operatorë turistikë të qytetit. Ulëm TVSH-në në turizëm nga 20% në 6%, duke e çuar në nivelin minimal të rajonit. Ulja e TVSH për këtë sektor, por edhe lehtësira të tjera fiskale e sidomos, frytet e para të Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane, janë hapa të rëndësishëm për t'i dhënë më frymëmarrje të re sektorit të turizmit.

Ky sektor do të shtojë ndjeshëm numrin e të punësuarve, do të formalizohet plotësisht, do të shtojë kapacitetet e mikpritjes dhe do të rrisë standardet, duke rritur ende më shumë impaktin në ekonominë kombëtare. Shumë është bërë, akoma më shumë mbetet për t'u bërë”,-tha Rama. Ai u bëri thirrje demokratëve të thjeshtë, që në 18 qershor të marrin pjesë në votime, pasi interesi i familjeve të tyre është më i çmuar se e ardhmja e Sali Berishës. Kryeministri paralajmëroi se të gjithë të korruptuarit do të largohen njëri pas tjetrit nga Pallati i Drejtësisë. “Kjo i ka mbledhur bashkë në bunkerin e turpit, ata që drejtojnë Partinë Demokratike dhe ata që vazhdojnë të qëndrojnë në krye të sistemit të drejtësisë. Janë të lidhur si mishi me thoin. Por të jeni të bindur se në 18 qershor, ne do t’i zmbrapsim njëherë e përgjithmonë.

Të jeni të bindur se bllokimi i Vetting-ut, për të çliruar drejtësinë, do të mbarojë në 18 qershor. Të jeni të bindur se parlamenti i ri, menjëherë pas votimit të qeverisë së re, do të votojë zhbllokimin e procesit të Vetting-ut. Brenda këtij viti do t’i shikoni me radhë, njëri pas tjetrit, ta lënë Pallatin e Drejtësisë, ata që e kanë marrë peng dhe të shkojnë të përgjigjen përpara drejtësisë së re për të gjitha zullumet, mëkatet dhe krimet që kanë bërë në kurriz të këtij populli dhe të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi”,-tha kryeministri Rama.
 
Drejtësia 
“Ne e dinim shumë mirë, kur filluam këtë betejë, se pengesa më e madhe për t’u kapërcyer, muri më i lartë për t’u shembur, hendeku më i gjerë për t’u mbyllur mes nesh dhe të ardhmes ishte drejtësia e korruptuar dhe vendosëm në programin tonë”.
 
Punësimi 
“Me të njëjtin pasion që po luftojmë për të vendosur drejtësi në këtë vend, do të vazhdojmë të luftojmë për të rritur punësimin, do vazhdojmë të luftojmë për të rritur ekonominë, do vazhdojmë të luftojmë për të rritur mirëqenien”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat