Bregu konfirmon takimin me zyrtarin amerikan Brian Lee

Shqipëria

Bregu konfirmon takimin me zyrtarin amerikan Brian Lee

Më: 14 maj 2017 Në ora: 13:48
Majlinda Bregu

Zëvendësndihmës-sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee do të mbërrijë nesër në Tiranë në një përpjekje të fundit për të gjetur një zgjidhje mes maxhorancës dhe opozitës për të shpëtuar zgjedhjet e 18 Qershorit.

Ai pritet të takohet me krerët e lartë të shtetit, përfshi këtu edhe liderin e opozitës, Lulzim Basha.

Por ajo që bie në sy në axhendën e zyrtarit të lartë amerikan është një takim me deputeten e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu.

Ish ministrja e Integrimit e ka shprehur hapur si në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat ashtu edhe në media qëndrimin e saj kundër mënyrës se si Basha po e mban opozitën jashtë zgjedhjeve.

E kontaktuar nga Panorama, Bregu konfirmoi takimin që do të zhvillojë nesër me Hoyt Brian Yee.

Flitet se pjesë e takimit do të jenë edhe ish- kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, por edhe deputeti demokrat Astrit Patozi.

Ndërkohë para kësaj vizite në Tiranë, zyrtari amerikan dha një mesazh shumë të qartë për vendet e rajonit nga Podgorica ku ndodhej dje.

“Parlamentet duhet të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e qytetarëve. Deputetët që bojkotojnë Parlamentin shmangin përgjegjësinë e tyre dhe injorojnë këshillën e ish-Presidentit të SHBA-ve, Theodore Roosevelt, se besimi i takon njeriut që është në të vërtetë në fushë betejë, jo njeriut që tregon se si të pengojë më të fortin”, tha Yee, sipas nje artikulli të botuar në portalin European Western Balkans.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat