Basha-Ramës: Thirri mendjes kur artikulon ëndrra diktatoriale

Shqipëria

Basha-Ramës: Thirri mendjes kur artikulon ëndrra diktatoriale

Më: 15 maj 2017 Në ora: 13:01
Kreu i PD-së Lulzim Basha

Kreu i PD-së Lulzim Basha, i është përgjigjur deklaratave të kreu të PS dhe qeverisë, Edi Rama se parlamenti i ardhshëm pa opozitën do të jetë më i qetë. Duke folur në ‘çadrën e lirisë’ Basha u shpreh se kjo është një ëndërr diktatoriale dhe për këtë i bëri thirrje Ramës që t'i thërrasë mendjes.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Nuk mund të pranojmë një parlament monist, sepse kjo do të thotë më shumë dhunë ndaj popullit. Parlament pa opozitë nuk ka për të ndodhur dhe nuk ke për të patur asnjë orë të vetme.

Prandaj thirri mendjes kur artikulon ëndërrat diktatoriale sepse përndryshe të vjen fundi i diktatorit. Ai e konsideron një lojë shahu, pokeri, këto halle dhe probleme që iu kanë mbledhur këtu prej 87 ditësh dhe dy herë në tubim, a janë lojëra hallet tuaja?

Thirri mendjen sepse përndryshe të vjen fundi i dikatorit.

Vëllezër e motra! Ai e konsideron bashkë me shpurën e tij kriminale një lojë shahu, një lojë pokeri.

Ai këto halle e këto probleme nuk i sheh sepse për ta pushteti ka vetëm një qëllim, një axhendë, pasurimin dhe kontrollit e shtetit.

Ndaj, nuk e sheh, nuk e sheh të vërtetën dhe për të gjithçka është lojë shahu. E tha vetë, apo jo?! Unë i kam thënë se është teatër kukullash!

Lojë shahu apo teatër kukullash, pak rëndësi ka. Ai i sheh politikanët, miqtë tanë ndërkombëtarë, gurë shahu!

A janë problemet tuaja, shqetësimet tuaja, pjesë e lojës? Sigurisht që jo! Sepse ky bashkim shqiptarët nuk janë lojë por republika e re që po vjen dhe që nuk është lojë!

Pse e shikon si lojë shahu?

Pse e shikon si lojë shahu? Sepse për të njerëzit janë statistika. Për të vetëm pasurimi ka rëndësi. Shikoni se çfarë po bën me procesin farsë në 18 qershor.

Pasi e futi procesin në kolaps, listat i ka futur me 24 orë vonesë dhe pasi ata burrat e gratë e Kolegjit Zgjedhor, që besoj se do të kenë kurajon e integritetin të deklarojnë se afati ka kaluar dhe 18 qershori është rrëzuar edhe ligjërisht, tani çfarë po bëjnë?

U kanë dalë lakrat në shesh. I patë ato partitë që kishin futur gjithë fisin?! Turp i madh?! Po ato partitë e tjera që s’kishin arritur të fusnin as kandidatë me shkollë të mesme?!

Mund të jenë tribunë të popullit edhe më 7-vjeçare, por s’janë të tillë! Janë gurë shahu në duart e Edi Ramës. Sa më pak shkollë, aq më mirë! Siç kishte ata kandidatët që s’dinin të lidhnin dy fjalë. E mbani mend si iu ngatërrohej goja kur fjalia kishte dy folje?!

Lista e kandidatëve me fisin dhe me 7-vjeçare është njera anë, kurse tjetra është se njerës parti i afruan deputetë e tjetrës aq vetëm që të braktisnin opozitës.

Aleatët e opozitës i thanë JO, sepse edhe ata janë në këtë betejë për interesat e një Shqipërie të re që do të vijë se kjo nuk është lojë shahu por bashkimi më i madh i shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Edhe partnerët ndërkombëtarë që kanë ardhur i trajton si gurë shahu. Në lojën e tij, që nuk është thjesht fushë ku gurët luhen me dorë, por edhe më gjëra të tjera, ai afron deri dhe 500 mijë euro për t’i futur në zgjedhje. Ato janë paratë që i janë marrë këtij qytetari. Ja tek është, prej mishi e gjaku, që nuk është gur shahu e si ky ka me mijëra në Shqipëri që nuk kanë punë, sepse narkokryeministri i ka kapërdirë paratë që hapin vende pune.

Ju e njihni shumë mirë realitetin. Ju e dini që ekonomia jonë është shkatërruar.

Ndaj dhe jemi këtu, ndaj dhe jam këtu. Nuk e harroj dhe mos harroni!

Edi Rama, thirri mendjes, nuk ka për të pasur zgjedhje pa opozitën dhe pa popullin, nuk ka për të pasur parlament monist. Mos abuzo me natyrën tonë demokratike, paqesore dhe europiane, sepse kur gjithçka të shterohet shqiptarët dhe unë në krye të tyre, do të ta mësojmë se nuk është lojë shahu!

Qeveri teknike, që do të zbatojë ligjin e dekriminalizimit, që do të luftojë paratë dhe impaktin e drogës.

Mendoni se do t’i mashtroni shqiptarët? Gaboheni rëndë. Kemi qënë të duruar por sot jemi më të paduruar. Ose zgjedhje të lira dhe të ndershme ose zgjedhje të tjera në Shqipëri nuk do të ketë. Bashkimi i shqiptarëve nuk do të lejojë më kurrë kthimin në monizëm! Zgjedhje të lira dhe të ndershme, republikë e re!"

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat