Fevziu: Detajet që të bëjnë të mendosh se kriza politike do të ketë një zgjidhje

Shqipëria

Fevziu: Detajet që të bëjnë të mendosh se kriza politike do të ketë një zgjidhje

Më: 15 maj 2017 Në ora: 20:30
Blendi Fevziu

Gazetari Blendi Fevziu ka dhënë një sërë detajesh në lidhje me negociatat që zyrtari i lartë amerikan Yee ka kryer këtë të hënë me palët politike shqiptare.

Në analizën e tij Fevziu sqaron të dhënat e mbledhura deri më tani, mundësinë e një marrëveshje brenda kornizave të ofruara nga paketa McAllister dhe faktin se kjo ndërhyrje është dhe ndërmjetësimi i fundit që do të bëjnë me shumë gjasë ndërkombëtarët.

Sipas gazetarit Fevziu, ka një fije shprese për marrëveshje, pasi këtë të hënë akuzat e Ramës dhe Bashës kanë qenë mjaft të forta, dhe siç vë në dukje analisti, një gjë e tillë ndodh shpesh “për të bërë presionet e fundit”. 

Ja çfarë shkruan Blendi Fevziu:

A ka një shans të fundit për një marrëveshje të re dhe a është duke luajtur Hoyt Yee, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit një rol për t’i vënë gjërat në lëvizje? Kjo është pyetja thelbësore dhe më e rëndësishme që ka bërë sot çdo njeri i interesuar politikisht dhe padyshim çdo njeri i shqetësuar nga rruga që po marrin zhvillimet në Shqipëri. Që t’i japësh një përgjigje kësaj pyetjeje nuk është e lehtë, aq më tepër që palët për herë të parë në këto muaj kanë qëndruar mjaft të kursyer në deklarata, por edhe në informacionet informale. Opinion.al ka arritur të zbardhë sidoqoftë një seri detajesh nga lëvizja e zyrtarit amerikan dhe përpjekjet e tij.

Po, Yee po bën një përpjekje të kujdeshme për të gjetur një zgjidhje dhe nëse kjo përpjekje do të rezultojë e suksesshme mund të ketë një marrëveshje brenda 48 orësh. Yee ka takuar njëri pas tjetrit Ramën dhe Metën dhe mënjëherë pas tyre edhe Bashën. Siç deklarojnë burime të opinion.al, Basha dhe Yee kanë qëndruar kokë më kokë për afro 30 minuta dhe më pas, për thuajse një orë ka vijuar takimi në prani edhe të aleatëve. Nuk ka detaje nga biseda Basha – Yee, ajo kokë më kokë, por gjatë të dy takimeve Yee ka këmbëngulur në gjetjen e zgjidhjes në dy paketa: Ajo e afruar më 25 Prill nga Mekallister dhe ajo e ofruar në takimet me e presidentit Nishani nga Rama. Padyshim që paketa Mekallister do të jetë baza, por ajo mund të rishihet në disa detaje. Nisur edhe nga fakti që Presidenti i Republikës nuk mund t’i ofrohet më opozitës se në atë post është zgjedhur ndërkohë Ilir Meta. Me sa duket, por kjo nuk është e konfirmuar, ka edhe detaje se si mund të zëvendësohet kjo pikë e munguar e paketës dhe sa mund të shtyhen zgjedhjet. Sipas kushtetutës afati i fundit ligjor është data 23 Korrik. Pra shtyrja, llogjikisht mund të variojë nga 18 në 23 Korrik. Por më e mundshmja është data 16 Korrik e propozuar nga Mekallister.

Burime të Opinion.al sqarojnë se opozita ka këmbëngulur për identifikimin elektronik të zgjedhësve dhe për qeverinë teknike apo një masë të barasvlershme. Nuk dihet nëse këto kërkesa kanë qenë ultimative, por dihet se Yee i ka dhënë të drejtë opozitës për betejën për denoncimin e kanabisit, dekriminalizimin dhe korrupsionin. Po ashtu, mësohet se Yee ka pasur edhe një telefonatë të gjatë me ish liderin e PD, Sali Berisha. Përmbajtja e bisedës nuk dihet, por me siguri, ata besojnë se Berisha mund të luajë një rol për ta shtyrë Bashën drejt marrëveshjes.

Ajo që nuk vërtetohet dot është nëse Yee ka biseduar me Ramën për pakëtën Mekallister dhe nëse ky i fundit është i gatshëm për të? Dhjetë ditë më parë, Rama e refuzoi këtë paketë, duke deklaruar se ajo nuk ishte më e vlefshme. Por nëse ai e refuzoi tek Nishani, vështirë se do ta refuzojë tek Amerikanët. Aq më tepër, që si Rama, ashtu edhe Basha, e dinë që ky është 24 ose 48 orshi i fundit. Nëse nuk do të ketë konsensus, SHBA do të dalë me një deklaratë publike, përmbajtja e së cilës me siguri i është bërë e qartë në vija të përgjithshme liderëve, por ne nuk kemi më shumë informacione.

Pra me gjasë, Yee do japë kohë deri nesër mbasdite kur largohet nga Shqipëria, ose maksimumi të mërkurën pas mesditës.

Një fakt tjetër që të shtyn që të besosh se palët po punojnë për një zgjidhje është gjuha e dy liderëve. Si Rama në Shkodër, ashtu edhe Basha në Tiranë kanë qenë më të ashpër sot me deklarata. Kjo është sjellja tipike e politikanëve shqiptare. Kur duan të bëjnë një marrëveshje rrisin tonet dhe akuzat ndaj njeri tjetrit. Për të bërë presionet e fundit.

Nëse do të kemi një marrëveshje, për Shqipërinë do të jetë tejet pozitive. Nëse jo, do të vijojmë në këtë rrugë që kemi nisur, ku me siguri absolute, nuk ka fitues, as ata që ndihen sot më të sigurtë dhe më fitimtarë…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat