Protesta e 13 majit, Policia kallëzim penal PD-së, kjo është arsyeja

Shqipëria

Protesta e 13 majit, Policia kallëzim penal PD-së, kjo është arsyeja

Më: 16 maj 2017 Në ora: 08:30
Protesta e PD-se

Edhe pse protesta e 13 majit në Tiranë kaloi pa asnjë incident, kjo duket se nuk e ka shpëtuar Partinë Demokratike nga padia e policisë për “organizim të tubimeve të paligjshme”.

Drejtoria e policisë së Tiranës mësohet se ka referuar në prokurori pak orë pas protestës kallëzimin penal duke pretenduar për shkelje të ligjit për tubimet.

Kallëzimi mësohet se nuk ka emra të përveçëm por evidenton se protesta e PD para, gjatë dhe pas saj, është kryer në kushtet e nenit 262 të Kodit Penal.

Mësohet se referimi i bërë nga policia të premten e javës që shkoi është marrë për vlerësim nga prokurori Valentin Prençi, i cili ka qenë në gatishmërinë e hetimit të ngjarjeve në ditën e protestës së PD.

Burime të prokurorisë nuk kanë bërë asnjë koment në lidhje me këtë kallëzim të policisë, por nga ana tjetër mësohet se në referimin e policisë, pretendohet se protesta në fjalë ka shkelur pikërisht kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënies e lejes, raporton "Panorama".

Pavarësisht përmbajtjes së padisë penale të policisë për protestën e PD, duket se tashmë do të jetë prokuroria ajo që do të japë vlerësimin e saj.

Neni mbi bazën e të cilit është bërë kallëzimi, parashikon se: Organizimi i grumbullimeve dhe i manifestimeve të personave në sheshe dhe vende të kalimit publik, pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta apo kur nga organizatorët shkelen kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënie të lejes, përbën kundërvajtje

penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Një ditë para protestës, policia në një deklaratë, theksoi se Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka kontaktuar përfaqësues të degës së Partisë Demokratike, duke u kërkuar që të plotësojnë kërkesën e sjellë prej tyre konform ligjit nr. 8773, datë 23.04.2001 “Për tubimet”, konkretisht, përcaktimin e orës së përfundimit të tubimit, personave përgjegjës në mbarëvajtjen e tubimit, personat që do të flasin në këtë tubim, etj.

Sipas deklaratës, Partia Demokratike nuk ka plotësuar ende të gjitha kërkesat ligjore të mësipërme që do të mund të bënte protestën e organizuar prej saj plotësisht ligjore në funksion të garantimit të mbarëvajtjes së saj nga Policia e Shtetit.

Prokuroria e Tiranës ka në shqyrtim edhe një çështje tjetër në lidhje me protestat e PD muajt e fundit, pasi policia ka kallëzuar deklaratat e thirrjet e kryetarit të PD Lulzim Basha dhe përfaqësuesve të kësaj force politike për tubimin që parashikohej të zhvillohej në Kavajë më 7 maj.

Tubimi nuk u mbajt pasi zgjedhjet e parashikuara në këtë atë u anuluan për shkak të tërheqjes së kandidatit të PS.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat