Qeverisja e Drejtësisë – KLGJ dhe KLP, Kushtetuesja pranon pjesërisht kërkesën e PD

Shqipëria

Qeverisja e Drejtësisë – KLGJ dhe KLP, Kushtetuesja pranon pjesërisht kërkesën e PD

Më: 16 maj 2017 Në ora: 22:41
Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin në lidhje me kërkesën e Partisë Demokratike për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Kërkesa e PD është pranuar pjesërisht duke u shfuqizuar nenet 61 dhe 159 që rregullonin organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Partia Demokratike kishte kërkuar edhe shfuqizimin e disa neneve të tjera, por në fund ankimimi është rrëzuar nga Kushtetuesja pasi nuk është arritur kuorumi.

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e Partisë Demokratike në lidhje me organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Në argumentet e saj për shfuqizimin e neneve 5, 61, 103, 159 dhe të nenit 169, pika 5 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, Kushtetuesja arsyeton se cilat janë ato nene dhe pse bien ndesh me Kushtetutën.

Në nenin 61 dhe 159 shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese me kërkesë të PD, parashikohej mënyra e organizimit si dhe funksionimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ndërsa Nenet 5 dhe 103 të ligjit, parashikonin rastet që sjellin përgjegjësi disiplinore të anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së. PD ka pretenduar se nenet e sipërpërmendura, ku parashikohen respektivisht kompetencat e mbledhjes plenare të KLGJ-së dhe KLP-së, bien në kundërshtim me nenet 147/a/2 dhe 149/a të Kushtetutës.

Komisionet e këtyre organeve kanë marrë kompetenca, të cilat Kushtetuta i parashikon shprehimisht si kompetenca të KLGJ-së dhe KLP-së, me përbërje të plotë prej 11 anëtarësh. Gjithashtu PD ka pretenduar se neni 169/5 i ligjit, ku parashikohet e drejta e ministrit të Drejtësisë për të marrë pjesë pa të drejtë vote në mbledhjet e KLP-së dhe të komisioneve të përhershme të Këshillit kur diskutohen çështje për planifikimin strategjik dhe buxhetin e pushtetit gjyqësor, bie në kundërshtim me Kushtetutën, pasi nuk parashikohet në nenin 149/a.

Gjykata thekson se komisionet e përhershme edhe ato të përkohshme janë organizma ndihmës në varësi të KLGJ-së dhe KLP-së dhe si të tillë nuk mund të ushtrojnë atributet që Kushtetuta ua ka njohur në mënyrë të shprehur këtyre të fundit duke pranuar në këtë mënyrë kërkesën e PD. Duke ndjekur të njëjtën linjë arsyetimi për respektimin e parimit të shtetit të së drejtës dhe hierarkisë së normave, Gjykata e vlerëson të bazuar edhe pretendimin për shfuqizimin e nenit 169/5 të ligjit.

Në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese që mban datën 28 Mars 2017 Partia Demokratike kishte kërkuar edhe shfuqizimin e neneve neneve 19-58, neneve 117-156, nenit 235, si dhe të nenit 285 të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Por kërkesa e PD nuk arriti të merrte shumicën e votave të gjyqtarëve prej 5 anëtarësh të kërkuar nga ligji. Sipas PD nenet 117-156 të ligjit, ku parashikohet respektivisht mënyra e përzgjedhjes e kandidatëve jomagjistratë për organet e KLGJ-së dhe KLP-së bien në kundërshtim me parimin e hierarkisë së normave kushtetuese. Ndërsa lidhur me kompetencat e Avokatit të Popullit, PD ka pretenduar se pjesëmarrja e tij gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve jomagjistratë që vijnë nga radhët e avokatisë cenon Kushtetutën. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat