Dështojnë negociatat, Rama refuzon paketën “McAllister” në minutën e fundit

Shqipëria

Dështojnë negociatat, Rama refuzon paketën “McAllister” në minutën e fundit

Më: 17 maj 2017 Në ora: 08:09
Lulzim Basha dhe Hoyt Brian Yee

Dështon marrëveshja politike mes palëve. Partia Demokratike pranon kushtin që vetting-u të kalojë para zgjedhjeve parlamentare. Rama nuk pranon që të shtyhen zgjedhjet, duke rrëzuar paketën që erdhi nga Brukseli.

Nuk ka marrëveshje me shumicës dhe opozitës. Kriza politike vazhdon. Kryeministri Edi Rama nuk ka pranuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve, duke rrëzuar kështu paketën që erdhi nga Brukseli dhe që po ndërmjetësohet nga negociatori amerikane Hoyt Brian Yee. Dita e djeshme ishte e ngjeshur me takime dhe për mënyrën se si po ecnin negociatat krijoi përshtypje se do të përfundonte me “happy end”, por në fund palët nuk kanë gjetën gjuhën e përbashkët për shtyrjen e datës e zgjedhjeve. Pas insistimeve dhe garancive që i dha zyrtari amerikan opozitës për kërkesat e saj, kjo e fundit u  tërhoq nga qeveria teknike dhe pranoi të votojë Vetting-un pa asnjë kusht, dhe si shpërblim PD do të merrte shtyrjen e datës së zgjedhjeve dhe lëvizjen e disa ministrave në qeveri. Por kur të gjithë po prisnin përgjigjen vendimtare të kryeministrit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve nga 18 qershori mes 23 korrikut dhe shtatorit, ka ardhur dhe refuzimi i këtij të fundit, i cili e ka bërë të pavlefshme përpjekjen e zyrtarit amerikan, Hoyt Brian Yee.

Propozimet

Veç paketës së “McAllister”, kryeministri kishte pranuar propozimin e opozita për postin e zëvendës kryeministrit dhe për përdorimin e identifikimit elektronik të votave në zgjedhjet e ardhshme, çështje të cilën e ka kërkuar që në krye të herës opozita. Në këtë pikë palët kanë rënë dakord, por data e mbajtjes së zgjedhjeve është negociuar gjë që la pezull negociata, pasi mësohet se kryeministri Edi Rama e shihte opsionin e shtyrjes së datës deri me datën 23 korrik, dhe në këtë afat është i mundur edhe realizimi i identifikimit elektronik të zgjedhësve, por jo përtej kësaj date siç kërkonte opozita. E djathta pretendonte që zgjedhjet të shtyhen në vjeshtë.

Pse dështuan negociatat?

Kryetari i PD-së Lulzim Basha pas angazhimit në takimin me Hoyt Brian Yee iu rikthye paketës McAllister. Burimet brenda PD-së thanë se ai kishte përpiluar një listë me pika ku palët mund të gjenin marrëveshje. Kjo do të konsiderohej edhe përgjigjja e tij për këtë paketë. Kreu i opozitës Basha pas takimit me aleatët ia ka dorëzuar përgjigjen e tij Ramës që në orën 12.00 duke i lënë afat Ramës deri në orën 16.00 të kthente një përgjigje. Gjatë kësaj kohe dy kampet përhapen lajmin se ka ngelur vetëm të vendoset pika mbi “i” për datën e shtyrjes së zgjedhjeve. Por pikërisht gjatë kësaj kohe janë luajtur prapaskena në negociatat mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha për (mos) zgjidhjen e ngërçit politik ku është vendi.

Ultimatumit të Bashës, kreu i qeverisë është përgjigjur rreth orës 19.00 duke e refuzuar paketën McAllister. Madje Rama ka bërë një hap pas edhe në gjëra që ai i ka pranuar më herët siç ishte zgjedhja e një zv.kryeministri të propozuar nga opozita. Rama ka hedhur poshtë çdo mundësi të shtyrjes së datës së zgjedhjeve duke mbështetur vetëm 18 qershorin. Rama ka ofruar vetëm 2 ministra pa portofol në qeveri. Dy ditë më parë, zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Jee, shprehu mbështetjen e tij për paketën McAllister duke kërkuar nga klasa politike ta pranojnë atë. Yee i caktoi një afat 24 orësh kryetarit të PD, Basha, për t’u shprehur zyrtarisht lidhur me këtë ofertë. Por pasi kur i fundit ka pranuar ofertën, ka qenë kryeministri i vendit që ka ndërruar mendje duke ndërruar mendje për datën e zgjedhjeve. Ndërkohë pas dështimit të negociatave mes palëve politike, duket se skenari i PD do të jetë i njëjti. Burimet nga PD thonë se opozita do të vijojë të qëndrojë në çadër duke protestuar. Sipas burimeve ky vendim është marrë në mbledhjen e djeshme të Bashës me aleatët. Mësohet se Basha u ka thënë aleatëve se Rama nuk pranon që t’i shtyjë zgjedhjet dhe se ai ka caktuar vetëm 18 qershorin si datë të panegociueshme. Në këto kushte, opozita do të vijojë protestën. Por burime nga dy kampet politike bëjnë të ditur se të enjten do të ketë sërish negociata.

Çfarë parashikon paketa McAllister

Procesi zgjedhor të shtyhet për në datën 16 korrik.
Zëvendësimi i katër ministrave kyç të qeverisë, me persona teknikë të propozuar nga Kryeministri dhe të aprovuar nga opozita.
Paketë për zgjedhjen me konsensus të Presidentit të Republikës dhe Avokatit të Popullit.
Kalimi i kreut të KQZ-së tek opozita, por shumicën në institucion do të vazhdojë ta mbajë maxhoranca.
Dakordësimi për një tryezë të rrumbullakët të OSBE-së, pjesëmarrje të OJQ-ve në të gjithë këtë proces.

Të gjitha takimet dhe prapaskenat, çfarë ndodhi hap pas hapi

Rreth orës 10:40 të ditës së djeshme kreu demokrat ka zhvilluar një takim me aleatët në selinë blu. Takimi ka zgjatur rreth 50 minutash, ku Basha i njohu e aleatët parlamentarë, me propozimet që zyrtari amerikan, Hoyt Brian Yee i kishte bërë një ditë më parë (të hënën). Pas mbarimit të takimit të Bashës me aleatët, rreth orës 11:30 ai është parë të futet në zyrën e ish-kryetarit të PD-së Sali Berisha. Njësoj si aleatët, mësohet se Basha ka informuar Berishën për propozimet propozimet shtesë që i dhëna negociatori amerikan. Takimi mes tyre ka zgjatur deri në ora 11:57. Në dalje të takimit, Basha tha se ishte për drekë, por nuk precizoi se kush e kishte ftuar për drektë, pasi në të njëjtën pallat punon dhe bashkëshortja e tij. Në këtë kohë dhe ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu ka nisur lëvizjet e tij. Rreth orës 11:24 ai është parë duke u futur në zyrën e kryeministrisë për të takuar shefin e qeverisë Edi Rama, për të diskutuar dhe ai për negociatat, që po zhvilloheshin njëkohësisht mes negociatorit amerikan Yee dhe kreut të opozitës.

Pas orës 13:00, disa nga aleatët e Partisë Demokratike janë shprehur, se opozita ka marrë në shqyrtim paketën e McAllister dhe propozimet e kryeministrit Edi Rama. E gjithë mesdita ka vijuar me negociata intensive mes palëve për çështjet teknike, duke dhënë shpresë për një marrëveshje të mundshme. Burime pranë Partisë Demokratike rreth orës 14:00 bënë me dije se ata kanë në dorë paketën e McAllister dhe propozimet e Ramës dhënë në tryezën e Presidentit. Madje kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, theksoi se negociatat po japin rezultat. Nisur nga situata optimiste, aleati i Lulzim Bashës mblodhi me urgjencë Asamblenë e PAA, ku tha se është optimist për arritjen e një marrëveshjeje, dhe se ka nisur puna për arritjen e pikave të përbashkëta. Sipas tij, paketa McAllister kërkon kohë për implementim ndaj dhe kërkohet shtyrja e zgjedhjeve, por jo me 1 vit. “Jemi optimistë për arritjen e një marrëveshjeje, jemi në prag të arritjes së saj. Ka nisur puna për arritjen e pikave të përbashkëta. Paketa McAllister kërkon kohë implementimi. Të shtyhen zgjedhjet, por nuk mund të kërkojmë 1 vit. Besoj se do të ketë një datë që të jetë optimale për ne. Votimi elektronik humbi sensin, sepse është caktuar data e zgjedhjeve. Duket sikur po shkon gjithçka drejt realizimit”, tha Duka.

Gjatë kësaj kohe, Basha ka lënë për të dytën herë selinë blu, ndërkohë që gjatë këtyre orëve ai ka pasur konsultime të herë pas hershme me aleatët parlamentarë. Pas largimit nga zyra e PD-së, rreth orës 14:50 Basha ka shkuar sërish në zyrën e ish-kryeministrit Berisha. Ky ka qenë takimi i dytë brenda dy orëve me ish-kryetarin e PD-së. Këtë herë takimi ka zgjatur më shumë se 40 minuta. Nga ora 15:00 deri në darkë të gjithë po flisnin për një gjetje të kompromisit. Madje të dy kampet dhanë opsionet e zgjidhjes së krizës, dhe e vetmja gjë që deri në atë kohë i ndante palët ishte data e shtyrjes së zgjedhjeve. Por ka mjaftuar një takim i tretë i Bashës me aleatët parlamentarë rreth orës 21:00 për të përmbysur shpresën për gjetjen e një marrëveshje. Në mbledhjen që zgjati 20 minuta, mësohet se Basha ka informuar aleatët për dështimin e negociatave dhe sipas tyre ka qenë kryeministri Rama që është tërhequr nga paketa e McAllister.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat