Manjani: U zgjidh problemi, por jo kriza

Shqipëria

Manjani: U zgjidh problemi, por jo kriza

Më: 18 maj 2017 Në ora: 12:28
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani shprehet dy liderët e politikës kanë zgjidhur problemin e zgjedhjeve, por jo krizën. Ai e cilëson të duhur marrëveshjen politike, pasi zgjedhjet pa opozitën nuk mund të bëhen në një vend që aspiron për demokraci. Ai propozon dhe një reformë të plotë kushtetuese dhe ndryshim sistemi. Ja statusi i tij në Facbeook Marrëveshja e minutës së fundit për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve ishte gjëja e duhur! Zgjedhjet pa opozitën nuk mund të bëheshin- e kemi stërthënë e stërshkruar!

Ndaj shumë mirë që u arrit kjo gjë! Por vendi ka nevojë për transformim rrënjësor të mënyrës se si bëhet politikë! Arroganca, mos dhënia llogari, sundimi në vend të qeverisjes e të tjera si këto kufizohen dhe reduktohen vetëm me reformën politike. Po rendis më poshtë disa ide se ccfarë mund të bëhet për t? ndryshuar situatën. Qëllimi është të mos përsëritet më kjo lloj krize, që më së shumti vjen si reagim ndaj arrogancës.

1. Parlamenti duhet të vendoset mbi qeverinë, domosdoshmërisht!

2. Duhet të kemi një President balancues pushteti, të zgjedhur nga populli ose duhet të krijojmë dhomën e Senatit, si filtër krizash.

3. Kryeministri nuk mund të qëndrojë në detyrë më shumë se 8 vjet. Pra jo më shumë se dy mandate të njëpasnjëshme.

4. Deputetet të zgjidhen drejtpërdrejt nga populli, njëkohësisht partitë përfaqësohen proporcionalisht.( sistemi zgjedhor gjerman e realizon këtë gjë).

5. Votimi dhe numërimi elektronik, por në qendrën e votimit, është mjeti që depolitizon menaxhimin e zgjedhjeve.

6. Duhet të ndalohen koalicionet para zgjedhore.

7. Koalicionet qeverisëse post zgjedhore, që bëhen për ndarje postesh në administratë, të jenë të dënueshme penalisht! 8. Duhet të hiqet trajtimi “preferencial” procedural kur hetohen zyrtarët e lartë të shtetit!

9. Duhet të mbrojmë me ligj statusin e opozitës dhe të karrierës së politikanit.

10. Asnjë vendim që prek buxhetin, borxhin publik apo pasurinë publike qe ka efekt jashtë mandatit të qeverisë nuk mund të merret pa u ratifikuar ne Parlament.

11. Asnjë qindarke nga paratë publike nuk mund ti jepen medias.

Pa dyshim që kjo listë nuk mbaron këtu. Ka të tjera gjëra që duhen bërë, veçanërisht për rivendosjen e vlerës së fjalës në politikë. Por vlerësoj si më të rëndësishme këto pika që parashtrova. Insistoj, duhet të reformojmë politikën që të kenë efekt reformat e tjera!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat