Veliaj: Ftoj qytetarët të bëhen pjesë e procesit të zgjedhjes së administratorëve të pallatit

Shqipëria

Veliaj: Ftoj qytetarët të bëhen pjesë e procesit të zgjedhjes së administratorëve të pallatit

Më: 19 maj 2017 Në ora: 16:37
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj prezantoi programin e “Fondit të Komuniteteve”

Nëpërmjet një skeme fondesh të vëna në dispozicion nga Bashkia e Tiranës, banorët e lagjeve mund të organizohen së bashku, nën udhëheqjen e administratorit të pallatit, për të përfituar financim për projekte infrastrukturore ose një problem të caktuar në komunitetin e tyre. 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj prezantoi programin e “Fondit të Komuniteteve” që synon të nxisë bashkëpunimin mes qytetarëve për përmirësimin e infrastrukturës së blloqeve të banimit dhe ruajtjen e ambienteve në pronësi të përbashkët.

“Për infrastrukturën komunitare, bashkia do të vërë në dispozicion këtë vit 200 milionë lekë, të cilat do të përdoren si një fond fillimisht për ta pilotuar te pallatet me administratorë. Administratori propozon në emër të banorëve një ndërhyrje që mund të jetë veshje kapot e pallatit, lyerje, eficencë energjetike, panele diellore, një hapësirë lulishte përpara pallatit apo një rampë, nëse ka persona me aftësi të kufizuar, që kanë nevojë të aksesojnë pallatin”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku sqaroi se përmes këtij fondi synohen të realizohen një sërë ndërhyrjesh, të cilat kanë një impakt në një komunitet të vogël dhe jo detyrimisht të jenë investime madhore, sikurse Bashkia e Tiranës kryen në të gjithë kryeqytetin për ndërtimin e rrugëve, urave, etj. Veliaj sqaroi se për të përfituar nga kjo skemë që aplikohet për herë të parë në vendin tonë, fillimisht banorët e pallateve do të duhet të zgjedhin administratorin e tyre. “Sigurisht, kjo e ka një çelës: Duhet të kesh administrator në pallat sepse kjo është një mënyrë sesi inkurajojmë që sa më shumë banorë të bëhen bashkë-vendimtarë të fatit të lagjes së tyre. Në 1147 pallate në këto 6 muaj, që kur kemi filluar me këtë nismës, tashmë është krijuar kryesia e asamblesë së banorëve. Në shumicën prej këtyre ka filluar procesi i rekrutimit të administratorit dhe për të gjithë ata që tashmë e kanë zgjedhur administratorin në librin e certifikuar të bashkisë si administrator pallati, mund të vijnë në bashki të prezantojnë një projekt, të cilin gjysmën do ta financojë pallati dhe gjysmën tjetër bashkia”, tha ai.

Gjithashtu, programi kontribuon në ndërgjegjësimin e tij, duke i dhënë më shumë përgjegjësi menaxhimit të fondeve dhe mirëmbajtjes së ambienteve të përbashkëta. Veliaj theksoi se përmes Fondit synohet që të nxitet edhe ruajtja e investimeve nga komuniteti. “Shumë njerëz na kanë thënë: Kryetar, jemi gati që të kontribuojmë edhe ne. Jo vetëm kaq, por kemi vënë re që aty ku njerëzit kontribuojnë, sigurohen që edhe ruhet. Nëse nuk ke kontribuar në diçka, e sheh si të shtetit, si një gjë që mund të prishet, si një gjë që mund të zvarritet pafundësisht. Sigurisht, kjo nuk ndodhi nëse çdo banor e sheh veten aksioner, bashkë me bashkinë”, deklaroi Veliaj.

Në këtë kuadër, kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të nxitojnë për të zgjedhur administratorin e tyre për të përfituar nga kjo mundësi, por edhe si një urë lidhëse ndërmjet komunitetit dhe Bashkisë. “Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës në mbledhjen e Asamblesë së pallatit, sipas udhëzimit të bashkisë, që të votojnë me votën e tyre të lirë, ta bëjnë zgjidhjen e lirë dhe të votojnë administratorin. Në momentin që kanë administratorë, kanë edhe një mundësi fantastike që edhe bashkia me paratë e veta të bashkëfinancojë disa nga këto projekte model”, u shpreh kreu i Bashkisë.

Ai i garantoi qytetarët se pavarësisht fushatës zgjedhore apo stinës së verës, do të vijojë puna për përmirësimin e infrastrukturës dhe në ofrimin e shërbimeve qytetarëve. “Dua t’i garantoj gjithashtu të gjithë qytetarët, që pavarësisht se do të futemi në fushatë zgjedhore, ajo nuk do të ndikojë aspak punën e bashkisë”, tha ai.

Nëpërmjet këtij programi synohen të arrihen një sërë objektivash, të cilat nuk kanë të bëjnë vetëm me përmirësimin e ambienteve të përbashkëta, por gjithashtu synojnë ndryshimin e mentalitetit të bashkëpunimit mes qytetarëve dhe institucioneve publike. Ky program përbën një mundësi mjaft të mirë për ta kthyer qytetarin në pjesë thelbësore të procesit vendimmarrës kundrejt nevojave personale dhe atyre të komunitetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat