Meta: LSI e vendosur për stabilitet

Shqipëria

Meta: LSI e vendosur për stabilitet

Më: 19 maj 2017 Në ora: 23:39
Ilir Meta

Ilir Meta, e konsideron të rëndësishme marrëveshjen e arritur mes PS dhe PD.

I ftuar në një emision televiziv, Meta tha sonte se është e rëndësishme që Rama dhe Basha i dhanë fund një kalvari vuajtjesh të qytetarëve shqiptarë për shkak të arsyeve artificiale, dhe se zgjidhja e bërë para dy ditësh mund të ishte bërë më herët.

“Që kur lindi kriza, LSI ka pasur një qëndrim kristal të qartë: duhet dialog, opozita ka të drejtë për çështjen e drogës, për dekriminalizimin. Këto çështje qëndronin dhe duheshin dhënë garanci. Ne dhamë propozimin të krijohej qeveria e besimit dhe kjo tashmë është qeveria e besimit”, ka thënë ai.

Meta përsëriti qëndrimin e LSI se zgjedhjet pa opozitën janë një farsë.

“Nëse PS nuk bën përpjekje maksimale për të zgjidhur krizën ne nuk do të ishim në koalicion me PS. Kam insistuar edhe për çështjen e presidentit që të vendosej në paketën e mirëbesimit. Por dukej qartë se opozita donte ta përshkallëzonte krizën. Nëse opozita do të ishte me këmbë në tokë, kjo situatë do të zgjidhej para dy javësh”, ka thënë ai.

Duke u ndalur te koalicionet paszgjedhore, Meta u shpreh se mbi të gjitha ka rëndësi që LSI do të dalë forcë e parë. Sipas tij, në rast se do duhet të bëhen koalicione, kryetari i LSI-së Petrit Vasili dhe forumet drejtuese të kësaj partie do të vendosin fatin e koalicionit në të mirë të vendit.

Meta tha se LSI nuk ka qenë kurrë forcë që ka krijuar trazira dhe problematika, por vetëm stabilitet, fjalë të mbajtur, gjithë-përfshirje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat