U mori lekët duke iu "premtuar" pushime në Antalia, por u zhduk. Kush është shkodrania!

Shqipëria

U mori lekët duke iu "premtuar" pushime në Antalia, por u zhduk. Kush është shkodrania!

Më: 20 maj 2017 Në ora: 07:55
Ilustrim

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 30- vjeçaren Arnisa Kopliku, e cila drejtonte një agjenci turistike

Ajo akuzohet për mashtrimin e 12 personave, të cilët i paguan 5 mijë euro për disa ditë pushime në Antalia, por pasi mori shumën e parave, ajo u zhduk. Veprimtaria e 30-vjeçares nga Shkodra vijonte normalisht, ndonëse për të njëjtën vepër penale ajo ishte dënuar në vitin 2015 me 3 vite shërbim prove.

“Arnisa Kopliku u arrestua pasi ka përfituar një shumë prej afro 5 mijë eurosh nga klientë të saj, ndërsa nuk i ka prerë biletat e udhëtimit që kishin porositur, por ka marrë për vete paratë.

E gjithë historia për agjencinë ‘Magic Horizont’ është zbuluar pas denoncimit nga shtetasja B. Hoxha, e cila është njëra prej qytetareve që ka paguar para dhe nuk ka marrë biletën e udhëtimit që kishte porositur në agjencinë turistike të 30-vjeçares”, bëri të ditur Policia.

Sipas të dhënave të Policisë, shtetasja B. Hoxha dhe disa miq të saj kanë prerë bileta për të shkuar në Antalia të Turqisë për disa ditë pushime. Denoncuesja ka paguar rreth 3300 euro tek Arnisa Kopliku, ndërsa në total shuma e paguar është afro 5 mijë euro, sepse një pjesë të parave i kanë paguar miqtë e saj në një bankë të nivelit të dytë në Shkodër.

Image

Teksa kanë pritur që të marrin biletat dhe të bëjnë udhëtimin e tyre për ditët e pushimit, 30-vjeçarja që ka agjencinë “Magic Horizont” është “zhdukur” duke mos arritur që të kontaktojë me klientët e saj, të cilëve u kishte marrë paratë, por nuk u kishte prerë biletën drejt Turqisë.

Është mjaftuar duke u thënë se agjencia e saj ka falimentuar dhe se nuk ka se si t’ua kthejë paratë mbrapsht për biletat që kishin prerë. Në këto kushte, shtetasja B. Hoxha, e cila e ka pësuar nga mashtrimi, i është drejtuar Policisë së Shkodrës nga ku ka bërë edhe denoncimin për ngjarjen e ndodhur.

Forcat e policisë, pas hetimeve, kanë bërë të mundur arrestimin e Arnisa Koplikut, duke e akuzuar për mashtrim. Pas arrestimit, Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 30- vjeçaren. Në gusht të vitit 2015, Arnisa Kopliku është arrestuar edhe një herë tjetër duke qenë e akuzuar pikërisht për mashtrim me agjencinë e saj të udhëtimeve “Magic Horizont”.

Në atë kohë tre shtetas të ndryshëm e kanë denoncuar se u kishte marrë paratë dhe nuk u kishte dhënë biletat e udhëtimit. Në total në 2015-n Arnisa Kopliku ka përfituar një shumë prej 4450 eurosh.

Në atë kohë 30- vjeçarja u dënua me 3 vite shërbim prove për mashtrim me pasoja të rënda, por kjo duket se nuk ka pasur asnjë efekt, sepse shtetasja Arnisa Kopliku përsërit të njëjtën gjë pas 3 vitesh, duke mashtruar kësaj here 12 persona dhe duke përfituar nga ana e tyre një shumë prej 4900 eurosh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat