Zbardhen propozimet e PD-së për ministrat teknikë, ja kush përflitet

Shqipëria

Zbardhen propozimet e PD-së për ministrat teknikë, ja kush përflitet

Më: 20 maj 2017 Në ora: 11:23
Artan Fuga

Opozita e kryesuar nga Lulzim Basha pritet t’i dërgojë kryeministrit Rama propozimet e saj për qeverinë teknike, konkretisht emrin e zv/kryeministrit, 6 ministrave teknikë dhe krerët e drejtorive për të cilët janë pjesë e marrëveshjes politike të firmosur nga të dyja palët.

Nëse kryeministri Rama do të bjerë dakord me këto propozime, atëherë lista me emrin e zv/kryeministrit, ministrave teknikë dhe krerëve të drejtorive do t’i dërgohet për dekretim Presidentit të Republikës. 

Pas dekretimit nga kreu i shtetit, emrat e propozuar do të shkojnë për votim në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, në të cilën do të votohen edhe komisionet e vetingut sipas dakordësisë mes dy palëve. Dita kur do të zhvillohet kjo seancë nuk është vendosur ende, por me shumë gjasë kjo seancë do të zhvillohet të hënën e javës që vjen. Një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Ramës dhe Bashës kanë qarkulluar edhe emrat e parë të teknicienëve që do jenë pjesë e qeverisë teknike.

Burime për ‘GSH’ bëjnë me dije se në krye të Ministrisë së Arsimit është propozuar Ardian Marashi, ish-drejtor i QSA-së. Por për pasa-rdhësin e Lindita Nikollës përflitet edhe emri i akademikut Artan Fuga. Në Ministrinë e Shëndetësisë, PD ka propozuar emrin e ish-zv.drejtorit të ISKSH-së dhe student i rrjetit “Lead Albania”, Qamil Dika, i cili do të zëvendësojë Ogerta Manastirliun.  Si ministër i Brendshëm në vend të Fatmir Xhafajt, pritet të propozohet Fatmir Hamuli ose Ivzi Biçaku. Në Ministrinë e Drejtësisë qarkullon emri i Besnik Kastratit në vend të kryetarit të LSI, Petrit Vasili. Mbetet për t’u caktuar kandidati për ministër të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë si dhe ai për postin e zv.kryeministrit. Sipas marrëveshjes Rama-Basha, ikin 6 ministra aktualë, vijnë 6 ministra teknikë si dhe 5 drejtorë.

Aleatët

Partitë opozitare ka gjasa të shkojnë në zgjedhjet e 25 qershorit me një logo të përbashkët, atë të PD-së, ndërkohë që kryetarët e partive aleate të Bashës do të kenë një vend të sigurt në listat e PD si kandidatë për deputetë.

Gjatë mbledhjes, kryetari i PD garantoi aleatët se do të kenë një vend të sigurt në listën e kandidatëve për deputetë, kjo edhe si shpërblim për qëndresën e përbashkët 90-ditorë në çadrën e opozitës në bulevard. Bëhet fjalë për kryerepublikanin Fatmir Mediu, kreun e PAA Agron Duka, kreun e LZHK-së Dashamir Shehi, kreun e PDK-së Nard Ndoka dhe kreun e PBDNJ, Vangjel Dule. 

Mësohet se në takim është folur që të gjitha partitë opozitare të jenë nën logon e PD, kurse emrat e kryetarëve të partive të vogla janë të parët që do e kenë emrin në listat e kandidatëve për deputetë. Në mbledhje u diskutua edhe për emrat e ministrave dhe drejtorëve teknikë që do të propozojë opozita dhe që do të votohen në parlament bashkë me komisionet e vetingut. Po dje, kreu i PD-së, Lulzim Basha mblodhi edhe krerët e degëve, ku në fokus të takimit ishte strategjia e PD-së në zgjedhjet e 25 qershorit. Mësohet se z.Basha ka informuar krerët e PD në rrethe për paktin me Ramën. Burime nga kjo mbledhje bëjnë me dije  se kreu i opozitës ka falënderuar krerët e degëve për rezistencën 90-ditore në çadrën e ngritur para Kryeministrisë. 

Ai u ka kërkuar krerëve të PD-së në rrethe që të mbajnë “ndezur motorët” për fushatën elektorale në këto 36 ditë deri në zgjedhje. Basha ka kërkuar gjithashtu nga degët që të depozitojnë listat e emrave që ka propozuar baza, në mënyrë që të bëhet përzgjedhja e 140 kandidatëve për deputetë. Në të njëjtën, kohë lideri demokrat ka kërkuar emra nga degët edhe për gjashtë pozicionet që krijohen për ministra teknikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat