Papunësia në radhët e të rinjve në Librazhd

Shqipëria

Papunësia në radhët e të rinjve në Librazhd

Më: 21 maj 2017 Në ora: 07:46
Librazhd

Papunësia është një problem kryesor mes të rinjve shqiptarë.

Por, një grup të rinjsh në qytetin e Librazhdit po përshtaten më së miri me kërkesat e tregut, duke u bërë mjeshtra në disa profesione të veçanta, si në qytet ashtu edhe në fshat.

Korrespondenti ynë, Ilirian Agolli, u takua me ta në Librazhd dhe përgatiti materialin në vazhdim.

20-vjeçari Artur Kullafi ka tashmë në Librazhd repartin e tij për riparimin e motoçikletave.

Ky ishte pasioni i tij, që e ndoqi me një kurs profesional 6-mujor në Elbasan, i mbështetur nga World Vision dhe tashmë ky është për të burimi kryesor i jetesës në qytezën me mundësi të pakta punësimi.

Arturi dhe i vëllai e hapën repartin e riparimeve dy vjet më parë, por ishin amatorë dhe puna u shtua vetëm pasi kryen kursin profesional.

Arturi dhe vëllai janë dy fëmëijët e vegjël në familjen e 60-vjeçarit Enver Kullafi, i cili sapo ka dalë në pension.

Dy djemtë e tjerë, që punojnë në Itali dhe Greqi, ndihmuan në ndërtimin e shtëpive të reja në Librazhd, por këmbëngulën që në katet e para të vendosen repartet e punës për vëllezërit.

Ky është Klodian Rreshka, 22 vjeçar, një tjetër nga mjeshtrat e rinj të kësaj zone. Ndërsa Arturi rregullon motoçikletat e qytetit, Klodiani me një motor të vogël shkon në fshatrat malore përreth dhe rregullon shtëpi më shtëpi pajisjet e dëmtuara elektro-shtëpiake.

Me pasionin për elektro-teknikën, edhe ai u bë mjeshtër në një kurs profesional dhe tani ndihmon familjet e varfëra nëpër kodra e male përreth Librazhdit, duke u rregulluar me çmime minimale pajisjet, që është e pamundur të zbriten poshtë në qytet.

Klodiani nuk i numëron dot në sa shtëpi ka punuar dy vitet e fundit nga Miraka, Sopoti e deri në Qafë Thanë, por thotë se nuk i ka mbetur fshat pa shkuar, madje edhe tek ato që duan dy orë me motor e dy orë me këmbë.

World Vision ka mbështetur me kurse dhe trajnime profesionale mbi 150 të rinj.

Librazhdi është një zonat më të varfëra të Shqipërisë, me një terren tepër të thyer malor dhe me mundësi të pakta për investime dhe veprimtari ekonomike.

Një numër i konsiderueshëm i banorëve kanë emigruar në qytete dhe në shtete të tjera, por të rinjtë aty përpiqen me të gjitha forcat të punësohen në shërbime nga më të ndryshmet për t'i dhënë jetë qytetit dhe familjeve të tyre./voa/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat