Aktori Laert Vasili i bashkohet LSI-së: Jam i sigurt në fitore

Shqipëria

Aktori Laert Vasili i bashkohet LSI-së: Jam i sigurt në fitore

Më: 21 maj 2017 Në ora: 07:47
Laert Vasili dhe Klajda Gjosha

Aktori dhe regjisori i njohur Leart Vasili i është bashkuar së fundmi partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Ditën e djeshme aktori u shfaq në një aktivitet të LSI-së në njësinë numër 5 në kryeqytet, nga ku ka përcjellë disa mesazhe për rininë shqiptare. Në një fjalë të tij para të rinjve, ku i pranishëm ishte kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe kryetari i LSI-së, aktori Leart Vasili vlerësoi rolin e LSI-së duke u shprehur se një shans për të gjithë jepet vetëm nga LSI-ja. Aktori Vasili tha se të rinjtë që nuk kanë braktisur ende vendin duhet të japin energjitë për ta bërë Shqipërinë një vend i përparuar. “Jam i sigurt për fitoren dhe për të ardhmen e Shqipërisë. Jam shumë i sigurt kur shoh se ju nuk jeni nga ata që do bëni dokumentet për të fituar lotarinë dhe për të braktisur këtë vend, por ju do jepni energjinë tuaj, për ta bërë këtë vend. Ju siguroj se emocionin më të fortë nuk e kam ndjerë në asnjë publik në vendet e Europës, por emocionin më të fortë e përjetoj sot tek ju, tek Lëvizja e Rinisë për Integrim. Prandaj dilni aty jashtë dhe trokisni derë më derë dhe sillni në këtë lëvizje për ndryshim, një shans për të gjithë, te të gjithë”, deklaroi aktori Laert Vasili.

Ndërsa kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë të LSI-së në qarkun e Tiranës, Klajda Gjosha u shpreh përpara të rinjve se tani ka ardhur koha që rinia të flasë vetë dhe për këtë meritojnë të kenë vendin e tyre në parlamentin e ardhshëm. Dhe për ta bërë këtë të mundur, LSI i ka ofruar një shans të rinjve për t’u përfaqësuar. “Ka ardhur koha që rinia të flasë me zërin e vetë dhe ai Parlament këtë vit më mire sesa kurrë do të përfaqësohet nga ju, më mirë se sa kurrë do të shkëlqejë nga studentë ekselent dhe të jashtëzakonshëm që dinë të flasin jo vetëm për çështjet e tyre, por për çështje që prekin nënat e tyre familjet e tyre”, theksoi Klajda Gjosha.

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili e fokusoi fjalën e tij tek programi i LSI-së për rininë. Premtimi i Vasilit për të rinjtë është ulja e papunësisë në radhët e rinisë, duke e çuar në 15 për qind, nga 30 që është aktualisht. Kryetari i LSI-së theksoi se punësimi i të rinjve është pika e parë e programit, ndërsa theksoi se LSI-ja është një familje e madhe dhe do të dalë forcë e parë në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në 25 qershor. “Pika A e programit tonë, e cila do të dëgjohet nga të gjithë ju do të jetë programi i punësimit për të rinjtë, pasi kryefjala e punës tonë do të jenë të rinjtë. Atje ju do të gjeni një përgjigje të jashtëzakonshme, për herë të parë ne kemi një program i cili e përgjysmon menjëherë papunësinë mes të rinjve, nga 30% në 15%”, tha Vasili, duke shtuar se, “LSI është dhe do të mbetet një familje e madhe për të gjithë dhe vetëm një familje e tillë mund ta ketë vendin si forcë e parë. Çdo i ri duhet të shkojë derë më derë dhe të çojë vetëm një mesazh: Është LSI-ja që e do Shqipërinë dhe rininë”, deklaroi kryetari i LSI-së.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe ish-kryetari Ilir Meta. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta sërish ka përsëritur dje mesazhin që ai e ka përcjellë shpesh përgjatë javëve të fundit, kur opozita kërcënonte me mospjesëmarrje në zgjedhje dhe kryesocialisti Rama, shprehej jo i gatshëm për marrëveshje dhe lëshime për PD-në. Në takimin me të rinjtë të LSI-së në njëjësinë numër 5, ish-kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim theksoi se vendi ka nevojë për qëndrueshmëri, për gjithëpërfshirje dhe transparencë. Në vijmë ai fjalën e fokusoi tek roli i rinisë shqiptare, duke u shprehur se çdo të riu i duhen dhënë shanse që Shqipëria të ketë një të ardhme më të mirë. “Mbi të gjitha rinia i kërkon këto shanse, sepse pa një rini të motivuar për të qëndruar në vend për t’u arsimuar më mirë këtu, për të përvetësuar dijet më të fundit dhe njëkohësisht për të ta parë të ardhmen këtu ne nuk mund të kemi një Shqipëri me të ardhme. Vendi ka nevojë për qëndrueshmëri për besim, për siguri për stabilitet, për gjithëpërfshirje, për transparencë”, tha kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat