Frikë nga euro, Banka e Shqipërisë zbardh planin 'e shpëtimit'

Shqipëria

Frikë nga euro, Banka e Shqipërisë zbardh planin 'e shpëtimit'

Më: 21 maj 2017 Në ora: 15:33
Ilustrim

Banka e Shqipërisë ka zbardhur së fundmi planin e përbashkët me financat, për të ulur përdorimin e euros në ekonomi.

E kaluara historike që shpjegon besimin e paktë të shqiptarëve te monedha vendase dhe skepticizmi i bankierëve, nëse plani i ri do të arrijë të frenojë maninë e kursimtarëve për të ruajtur paratë në euro. Në fillim ishte floriri, pastaj Dollari dhe vitet e fundit, Euro. Shqiptarët kanë zgjedhur gjithmonë një mjet të sigurt të huaj pagese për të ruajtur kursimet e tyre, teksa historikisht monedha vendase është konsideruar si me më pak vlerë. Në kohën e Zogut, ata u mbështetën te floriri, pasi panë që kartëmonedhat e tyre vendase të zhvlerësoheshin ndjeshëm. Pas viteve ’90, ishte dollari ai që zëvendësoi floririn si një monedhë e sigurt. Nga viti 2003 dhe ende sot është euro “floriri” i shqiptarëve. Euro është një mjet pagese thuajse i ligjëruar në shumë transaksione me vlerë të madhe, si pasuri të paluajtshme (troje e shtëpi) makina, e deri në pikat e shitjes me pakicë, si dhe më shumë se gjysma e huasë dhe depozitave janë në monedhë të huaj. 

Në vitin 2011, Banka e Shqipërisë, e shqetësuar se Shqipëria po euroizohej me shpejtësi, sinjalizoi bankat që të favorizonin përdorimin e monedhës vendase në ekonomi dhe në sistemin bankar shqiptar kundrejt përdorimit të monedhës së huaj (banka hoqi remunerimin e rezervës së detyruar në valutë, për të nxitur bankat tregtare të ulin kostot e mbledhjes së fondeve). Në atë kohë, kredia për ekonominë në valutë përbënte 65% të totalit, ndërsa pesha e depozitave ishte 48.3%.  

Kur kanë kaluar 6 vjet, bankat rezulton që e kanë pasur më të lehtë të frenojnë huadhënien në valutë. Në fund të shkurtit 2017, pesha e kredisë në monedhë të huaj zbriti në52.4%, pra gati me 13 pikë përqindjeje.Por bankat nuk kanë mundur të kontrollojnë kahun e ofertës, atë të kursimeve në valutë. Ndonëse interesat e depozitave në euro janë afër zeros, dhe monedha e përbashkët është zhvlerësuar ndjeshëm vitet e fundit, kjo nuk i pengon shqiptarët të mbajnë kursimet në euro. Gjatë vitit 2016, kursimet në valutë kaluan për herë të parë ato në lekë, për të arritur në 52.4% të totalit në fund të shkurtit 2017. 

Kjo sjellje ka shqetësuar sërish Bankën e Shqipërisë, që ka ndërmarrë një plan të ri për të ulur përdorimin e euros në ekonomi. I pari që e sinjalizoi ishte guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, i cili në një intervistë për ‘Monitor’ në shkurt të këtij viti tha se ka disa studime të autorëve vendas dhe të huaj, të cilët e klasifikojnë Shqipërinë si një vend me nivel të lartë euroizimi. Sejko paralajmëroi se është e nevojshme të reagohet me vendosmëri ndaj këtij fenomeni. Kjo do të ndihmonte në rritjen e rezistencës së ekonomisë shqiptare, kryesisht nëpërmjet uljes së ekspozimit të saj ndaj rreziqeve dhe përmirësimit të efektivitetit të politikave ekonomike dhe financiare të nevojshme për trajtimin e këtyre rreziqeve. Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, kanë ndërtuar një qasje strategjike në trajtimin e këtij fenomeni, sipas fushave respektive të kompetencës. 

Sipas strategjisë së përbashkët, të bërë publike së fundmi, në kuadrin e një memorandumi mes tre institucioneve, synohet që të krijohen kushtet dhe stimujt e nevojshëm për të ndikuar gradualisht, por në mënyrë të qëndrueshme, në zvogëlimin e shkallës së përdorimit të monedhave të huaja dhe si rezultat, në fuqizimin e shkallës së përdorimit të monedhës kombëtare, në sistemin financiar dhe në ekonominë e vendit, në përputhje me qëllimin për forcimin e efektivitetit të politikës monetare dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. 

Veprimet që lidhen me zbatimin e strategjisë, mund të klasifikohen në grupet e mëposhtme, të cilat janë njësoj të vlefshme për nga rëndësia dhe që do të ndiqen paralelisht: a) grupi i parë përfshin veprime të politikës fiskale dhe përmirësime të tjera ligjore, të cilat synojnë ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale, uljen e informalitetit në ekonomi, zhvillimin e 3/7 të tregut financiar, përmirësimin e kërkesave ligjore dhe forcimin e zbatueshmërisë së tyre për përdorimin e lekut në transaksionet mes agjentëve ekonomikë; b) grupi i dytë përfshin veprimet e politikës monetare dhe ato mbikëqyrëse mbi bankat dhe institucionet e tjera financiare, me qëllim ruajtjen e qëndrueshmërisë së mjedisit makroekonomik, zhvillimin e tregut financiar dhe të sistemeve të pagesave, si dhe rritjen e shkallës së përdorimit të lekut në sistemin financiar; c) grupi i tretë përfshin veprime të tjera, të cilat nuk përfshihen në dy grupet e mëparshme, që vlerësohen të nevojshme në kuadër të zbatimit të strategjisë dhe ku palët mund të ndikojnë në zbatimin e tyre.

Euro - KarikaturaProblemet që sjell euroizimi 

Sipas Bankës së Shqipërisë, nga këndvështrimi i politikave ekonomike dhe financiare, një nivel i lartë i euroizimit në sektorin bankar mund të shoqërohet:

(a) me ulje të efektivitetit të politikës monetare të bankës qendrore. Kjo ndodh për shkak të tkurrjes së dy prej kanaleve të rëndësishme të transmetimit të saj, siç është kreditimi në monedhën e vendit dhe përdorimi i kursit të këmbimit si instrument automatik i stabilizimit financiar dhe ekonomik. Kjo e dyta lidhet dhe me rritjen e kostove oportune që lidhen me madhësinë dhe mënyrën e përdorimit të rezervës valutore;

(b) me shtimin e rreziqeve për stabilitetin financiar. 

Më konkretisht, bëhet fjalë për ekspozimin e aktorëve të tregut dhe klientëve të tyre ndaj rrezikut të kursit të këmbimit; për mungesën e instrumenteve efektive për trajtimin e një situate stresi në sistemin financiar, që buron nga ekspozimi i lartë ndaj veprimtarisë financiare në valutë. Në përgjithësi, në rang ekonomie, përdorimi i lartë i monedhës së huaj mund të jetë pengesë në përpjekjet e autoriteteve për formalizimin e ekonomisë, zbatimin e politikave fiskale efektive, reformave të nevojshme për transparencën financiare dhe arsye të tjera.   

Euroizimi 

Termi euroizim – lidhet me përdorimin e monedhës së huaj si mjet pagese (zëvendësimi i monedhës) dhe si mjet për të ruajtur kursimet (zëvendësimi i aseteve). 

Nuk është vetëm një sjellje shqiptare

 Një studim i bankierëve zviceranë dhe austriakë, Martin Brown dhe Helmut Stix, titulluar “Euroizimi i depozitave të bankave në Europën Lindore”, thotë se preferencat e ekonomive familjare për depozitat në euro janë pjesërisht të nxitura nga mosbesimi i tyre në stabilitetin e monedhës së tyre të brendshme, gjë që lidhet me vlerësimin e tyre të politikave dhe institucioneve aktuale.

Ata konfirmojnë se mbajtja e depozitave në valutë të huaj është bërë një “zakon” në rajon.

Politikëbërësit dhe akademikët pajtohen se euroizimi i përhapur i depozitave bankare në Europën Lindore kufizon politikën e brendshme monetare dhe përbën një kërcënim të madh për stabilitetin financiar. 

Të dhënat e mbledhura nga autorët treguan se pjesa e depozitave në valutë të huaj u rrit fuqishëm në Europën Juglindore (p.sh. Serbia, Shqipëria, Rumania, Bullgaria) gjatë krizave financiare të viteve 1990 dhe ka mbetur e lartë gjatë krizave më të fundit financiare dhe sovrane. Në të kundërt, pjesa e depozitave në valutë ka rënë gradualisht në Europën Qendrore (p.sh. Polonia, Hungaria, Republika Çeke).

Rezultatet e studimit sugjerojnë se euroizimi i depozitave në Europën Lindore mund të zgjidhet pjesërisht nga një regjim i qëndrueshëm monetar dhe politikat e shëndosha ekonomike të politikëbërësve të sotëm: euroizimi i depozitave lidhet me besimin në stabilitetin e monedhës vendase, e cila ndikohet nga vlerësimet e ekonomive familjare për politikat aktuale dhe institucionet. Rezultatet, megjithatë, tregojnë gjithashtu se politika monetare e qëndrueshme ka pak gjasa të jetë e mjaftueshme për t’u marrë me problemin e euroizimit të depozitave në të gjithë rajonin, pasi mbajtja e depozitave në valutë është bërë një “zakon” dhe ende ndikohet fuqimisht nga përvoja e krizave financiare në vitet 1990.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat