“Lufta” se kush do të marrë më shumë mandate... Sajmir Tahiri i hedh benzinë zjarrit!

Shqipëria

“Lufta” se kush do të marrë më shumë mandate... Sajmir Tahiri i hedh benzinë zjarrit!

Më: 22 maj 2017 Në ora: 18:25
Sajmir Tahiri dhe Edi Rama

Prej disa ditësh tashmë në koalicionin e majtë është zhvilluar një “luftë” deklaratash, se kush nga forcat kryesore, PS apo LSI, do të marrë më shumë mandate në zgjedhjet e 25 qershorit.

“Luftën” e nisi Kryeministri Edi Rama, i cili nga Korça tre ditë më parë thumboi LSI-në dhe PD-në, duke thënë se pavarësisht se ata deklarojnë se do të dalin forcë e parë nga zgjedhjet, PS do ta nisë ditën pas zgjedhjeve me të paktën 71 mandate.

“Se çfarë do të ndodhë pas kësaj marrëveshje, atë e dini ju. LSI forcë e parë, PD forcë e parë edhe ne forcë e parë. Por meqenëse ne jemi të parët, duam jo vetëm të parët por ta fillojmë me 71 vota për PS”- do të deklaronte Kryeministri, nën brohoritjet e qytetarëve në Korçë.

Por përgjigja nuk do të vononte. Në orët e vona të së njëjtës ditë, Ilir Meta, i ftuar në emisionin Zonë e Lirë, do të pyetej nga drejtuesi Arjan Çani, se ç’mendim kishte për deklaratën e Ramës.

Meta u përgjigj me po të njëjtën ironi, por përmes një pyetjeje retorike të shkurtër, duke nënëkuptuar se PS mund t’i merrte 71 mandate... por së bashku me PD-në.

“71 vota me PD-në apo vetëm?”- do të thoshte Ilir Meta.

Në ditët në vijim tonet ranë, ndërsa sot ka qenë ish- Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, i cili ka folur për të njëjtën çështje, duke i hedhur benzinë zjarrit.

Sipas drejtuesit politik të fushatës elektorale të PS në Tiranë, më datë 25 qershor ka vetëm një alternativë. 

‘’Miqtë e mi, me shumë gjasë shumë prej jush kanë menduar se punët janë të zgjidhura. Tani Edi Rama dhe Lulzim Basha bënë një marrëveshje, kështu që punët u zgjidhën! Jo, nuk është kështu në fakt. Ajo ishte një marrëveshje për të mos e çuar Shqipërinë në humnerë. Por në datë 25, ne do të ndajmë të shkuarën nga e ardhmja, në datë 25, ne do të ndajmë nëse do votojmë një qeveri dhe një kryeministër që mendon për njerëzit apo ca të tjerë që deri dje kanë menduar për veten. Në datë 25, ne do të ndajmë bashkë nëse Shqipëria do qeveriset për Shqipërinë që duam, bashkë me qytetarët, apo do bëjmë mbrapsht! Kështu që në datë 25 ka vetëm një alternativë për të qeverisur vetëm PS me mbi 71 deputetë. Dhe kjo është falë punës tuaj dhe energjive tuaja dhe pasionit tuaj’’ tha Tahiri.

Kujtojmë se këto palë zgjedhje janë ndryshe, pasi në 25 qershor partitë politike shkojnë për t'u votuar nga qytetarët pa qenë në koalicione parazgjedhore.

Deklaratat vijnë në një kohë mjaft të nxehtë në arenën politike. Këtë të martë pritet që në seancën e jashtëzakonshme, parlamenti të votojë anëtarët e mbetur të dy komisioneve të vettingut. 6 Ministrat teknikë dhe zvkryeministrja, ndërkohë do të votohen për t’u bërë pjesë e qeverisë..

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat