Vrasja e Artan Cukut, hetuesit gjejnë provën e fortë kundër autorit

Shqipëria

Vrasja e Artan Cukut, hetuesit gjejnë provën e fortë kundër autorit

Më: 25 maj 2017 Në ora: 10:55
Artan Cuku

Kur ka kaluar një muaj nga vrasja në mënyrë makabre e ish-drejtuesit të lartë të Policisë së Shtetit Artan Cuku, dalin në dritë detaje të tjera lidhur me atentatorin e tij. 

Hetimet, të cilat tashmë kanë kaluar në dorë të prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe janë duke u udhëhequr nga prokurori Henrik Ligori, duket se janë në rrugë të mbarë për të identifikuar dhe vënë në pranga autorin e ekzekutimit të Cukut, ngjarje kjo e ndodhur më 8 prill të këtij viti, në hyrje të pallatit ku viktima banonte bashkë me familjen e tij. 

Burime të besuara pranë grupit hetimor bënë me dije për “Gazeta Shqiptare” se kanë gjetur prova të forta për të zbuluar identitetin e agresorit. Mësohet se vetëm pak ditë pas ngjarjes, rreth 500 metra larg pallatit ku u vra Cuku, hetuesit kanë gjetur bluzën e autorit të hedhur në një kazan plehrash, provë kjo e cila u dërgua menjëherë për ekzaminim. Ndërkaq, nga ana tjetër grupi hetimor është duke vijuar hetimet intensive për të zbuluar edhe shkaqet e vrasjes së ish-drejtorit të Policisë së Vlorës. Nga ana tjetër, pak ditë pasi ndodhi krimi, Policia e Shtetit publikoi për mediat dy video të ndryshme, në të cilat shfaqej autori i dyshuar i vrasjes, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve nëse e njihnin personin që ishte kapur nga kamerat e sigurisë, duke vënë në dispozicion edhe një shpërblim.

 Bluza e gjetur në plehra

Bluza e gjetur në një kosh plehrash, vetëm pak metra larg pallatit “Melros”, në “Rrugën e Kosovarëve”, ku u vra Artan Cuku, duket se është prova më e fortë që hetuesit kanë në duar për të identifikuar autorin. Burimet e lartpërmendura thanë dje se, pikërisht kjo bluzë është e njëjtë me atë të djalit të ri që është fiksuar nga kamerat e sigurisë duke hyrë në pallatin ku banonte Cuku para se të ndodhte krimi dhe duke u larguar më pas nëpër rrugica. Ndërkaq, burimet sqaruan më tej, se pas vrasjes së Cukut, në disa kosha plehrash janë gjetur një sërë rrobash të hedhura. Por që më pas rezultoi se asnjëra prej tyre nuk i përkiste atentatorit. Kjo, pasi të gjitha rrobat e gjetura u krahasuan me veshjen e personit që shfaqej në kamerat e sigurisë. Në këtë rrobë, burimet saktësuan se janë gjetur mbetje biologjike, si fije floku dhe pështymë, nga të cilat është zbuluar edhe profili gjenetik i ADN-së së autorit të Cukut. Ky profil gjenetik është duke u krahasuar me profilet gjenetike të personave që dyshohet të jenë autorë të vrasjes së Artan Cukut, të cilët po hetohen nga prokurorët e Krimeve të Rënda.

Hetimi

Hetuesit e çështjes dyshojnë se atentatori mund të jetë vrasës me pagesë, i cili mund të jetë paguar nga personi që e ka dashur Artan Cukun të vdekur. Hetimet vijojnë të jenë të përqendruara në tri pista kryesore. E para është ajo për shkak të detyrës që Cuku ka mbajtur gjatë kohës që ka qenë në radhët e Policisë së Shtetit. E dyta dyshohet të jetë ajo për shkak të konkurrencës, pasi Cuku administronte një polici private. Por nuk përjashtohet edhe pista e gjakmarrjes, pasi në vitin 2005, kur Artan Cuku mbante detyrën e Shefit të Krimeve në Tiranë, Artan Daka vrau veten me armën e shërbimit të Cukut.

Momenti para vrasjes

Artan Cuku u qëllua për vdekje me 4 plumba, 2 prej të cilave i mori në kokë. Ish-drejtori i Policisë së Vlorës u ekzekutua mbrëmjen e datës 8 prill, në hyrje të pallatit ku banonte, teksa ishte duke shkuar për në banesën e tij. Nga pamjet e kapura nga dy kamera të ndryshme të bizneseve në zonë dhe të publikuara nga Policia e Shtetit, autori vihet re në orën 18:53, rreth 1 orë e 7 minuta përpara atentatit. Nga pamjet duket një djalë i ri rreth 1.80 i gjatë, i veshur me rroba sportive dhe në kokë mban një kapele. Ndërsa vjen nga rruga kryesore, duart i mban në xhepa, ku dyshohet se mund të ketë fshehur armën. Më pas ngjit një palë shkallë dhe del në një anë të pallatit ku ndodhen disa dyqane të boshatisura. Pikërisht në këtë vend dyshohet se i riu ka qëndruar në pritje të Artan Cukut. Më pas, teksa ngjit shkallët, ai mban kokën ulur, ku streha e kapeles që mban në kokë i mbulon pamjen e fytyrës. Pasi kapërcen mbrojtëset e hekurta, humbet nga rrezja e kamerave të sigurisë dhe pak metra më tej ndodhet edhe hyrja e pallatit ku banonte dhe u vra Artan Cuku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat