Brunilda Paskali: LSI forcë e parë në Korçë, koha t’i japim shans të gjithëve

Shqipëria

Brunilda Paskali: LSI forcë e parë në Korçë, koha t’i japim shans të gjithëve

Më: 25 maj 2017 Në ora: 12:42
Brunilda Paskali

Brunilda Paskali është një nga kandidatet e LSI-së për qarkun e Korçës në zgjedhjet e 25 qershorit. Ajo kandidon në qytetin ku ka lindur.

Në aktivitetin e saj, Paskali ka ndërmarrë një sërë nismash në favor të grave sipërmarrëse siç kanë qenë Plan Veprimi për Gruan Sipërmarrëse apo krijimi i lehtësirave për gratë sipërmarrëse nëpërmjet granteve të ndryshme. Ajo vazhdon të mbështesë çështjen e fuqizimit ekonomik dhe politik të gruas dhe në rolin e saj si nënkryetare e Bashkisë Tiranë. Në intervistën për “Shekullin” shprehet se LSI-ja do të dalë forcë e parë në qarkun e Korçës.

Znj. Paskali jeni kandidate për deputete e LSI-së në Qarkun e Korçë. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Vendosja në listën e kandidatëve për deputetë të qarkut Korçë ka qenë një vlerësim i madh për mua dhe për këtë falënderoj drejtuesit dhe strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Njëkohësisht ky është një motivim i madh për të punuar akoma më shumë me strukturat, simpatizantët dhe mbështetësit tanë në qarkun e Korçës për ta nxjerrë LSI-në forcë të parë në zgjedhjet e 25 Qershorit. Ndërkohë kandidimi im në këtë qark më ka sjellë edhe një kënaqësi tjetër shumë të madhe, kthimin në Korçë dhe në Kolonjë që janë, jo vetëm vendlindjet respektive të prindërve të mi, por edhe vendet ku unë kam kaluar një pjesë të rëndësishme të fëmijërisë dhe rinisë time. Të jem përfaqësuese e këtij qarku në Parlamentin e Shqipërisë do të jetë nder dhe privilegj për mua.

Cilat janë problematikat më të ndjeshme në këtë qark dhe cilat janë projektet prioritare për të gjithë qytetarët korçarë?

Problematikat e qytetarëve korçarë, por edhe të zonave të tjera të qarkut Korçë si Pogradeci, Maliqi, Devolli, Mokra, Kolonja apo Leskoviku janë ato më të cilat ballafaqohen çdo ditë qytetarët kudo në Shqipëri. Do ta nisja me çështjen e punësimit, veçanërisht për shtresa të caktuara siç janë të rinjtë dhe të rejat. Të kesh një punë për të siguruar të ardhura për veten, apo familjen është nevojë jetike dhe jo luks dhe si e tillë duhet parë me prioritet. Shpesh futja në tregun e punës vështirësohet më shumë kur nuk ke kualifikimin e duhur, sepse ndodh që nevojat e tregut të jenë të ndryshme nga ato të arsimimit të të rinjve.

Për këtë arsye LSI në programin e saj fokusohet tek arsimi profesional, duke vendosur në vëmendje nevojat e tregut dhe ngritjen e shkollave profesionale në bazë të kërkesave te tij. Lidhja dhe angazhimi i bizneseve me shkollat profesionale, përgatitja e studentëve në këto shkolla teorikisht, por edhe nëpërmjet praktikës pranë bizneseve apo nëpërmjet punësimeve sezonale do të sillte rritje të numrit të të punësuarve dhe zgjidhje të nevoja të tregut.

Qarku i Korçës ka shumë nevoja për shkolla profesionale në fusha të tilla si turizmi, agropërpunimi apo bujqësia për shkak të karakteristikave të zonës, prandaj këto janë prioriteti ynë. Një çështje tjetër shumë e rëndësishme është fuqizimi i grave dhe vajzave që vjen nëpërmjet futjes së tyre në tregun e punës dhe mbështetjes për hapjen e bizneseve të tyre.

Qarku i Korçës ka fatin e madh të ketë mundësi dhe resurse të jashtëzakonshme në fushën e turizmit, qoftë ai turizëm malor, ujor apo agroturizëm. Për të arritur përfshirjen dhe fuqizimin e gruas në fushën e turizmit por edhe në fusha të tjera si artizanati, bujqësia etj, LSI ka në projektet e veta prioritare mbështetjen nëpërmjet granteve apo kredive të buta për gratë dhe vajzat që do duan të hapin një biznes të tyre, apo kualifikimin e tyre në këto fusha për t’u rifutur në tregun e punës.

Një tjetër çështje e rëndësishme për Qarkun e Korçës është mbështetja për bujqësinë. Kjo zonë  prodhon sasi të mëdha produktesh bujqësore e blegtorale por që shpesh nuk thithen nga tregu për shkak të distancës, çmimeve, mungesës së infrastrukturave të nevojshme etj.

Për të mbështetur bujqësinë si një nga drejtimet kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit, prioriteti ynë si LSI është rritja e investimeve private direkte në bujqësi, blegtori, agroindustri dhe peshkim, pesëfishimi i buxhetit të bujqësisë dhe ofrimi me çmim preferencial për fermerët i farërave, pesticideve apo plehrave kimike. Ne jemi të bindur që popullsia që jeton në zonat rurale dhe që përbën 50% të të gjithë popullsisë së vendit meriton mbështetjen dhe përkrahjen e shtetit për të krijuar mirëqenien aty ku jetojnë

Cili është objektivi i LSI-së në Korçë për zgjedhjet e 25 qershorit?

Objektivi ynë është të dalim forcë e parë në qarkun e Korçës duke marrë mbështetjen e gjerë të qytetarëve të këtij qarku që janë lodhur dhe mërzitur nga retorikat e dy partive të mëdha. Ka ardhur momenti që LSI të drejtojë vendin duke marrë përgjegjësitë e saj si një forcë politike e maturuar në këto 13 vite të jetës së saj. Kontributi i jashtëzakonshëm i LSI, i të gjithë përfaqësueseve të saj në Parlament dhe qeveri e veçanërisht i liderit të saj historik dhe presidentit të zgjedhur te Republikës, z. Ilir Meta në mbështetje të reformave të rëndësishme për vendit si ajo në drejtësi si dhe për zgjidhjen e krizës politike kanë qenë në sytë e të gjithëve.

Unë jam e bindur që tashmë banorët e qarkut të Korçës dhe të gjithë Shqipërisë e kanë kuptuar që ky vend ka nevojë të ndryshojë dhe ketë mund ta sjellë vetëm LSI me programin e saj elektoral realist dhe me maturinë e saj politike të treguar në momente kur dukej sikur arsyeja i kishte lënë të dyja forcat e mëdha politike. LSI ka treguar se është një forcë politike që konsensusin, mbajtjen e fjalës së dhënë dhe mirënjohjen i ka pjesë së ADN-së së saj.

Cili është komenti yt në lidhje me përfshirjen e madhe të të rinjve n listat e kandidatëve të LSI-së në të gjitha qarqet, sidomos në Tiranë. Si e shikoni ju hyrjen e tyre në politikë dhe a mendoni se janë gati për t’u bërë pjesë e Kuvendit?

Mbështetja për të rinjtë ka qenë dhe mbetet një nga karakteristikat më të spikatura të Lëvizjes Socialiste për Integrim. E ka bërë këtë gjë qysh në fillimet e saj dhe vazhdon ta bëjë me shumë përkushtim, sepse e tillë është edhe përgjigja dhe angazhimi që ne marrim ngatë rejat dhe të rinjtë e vendit: mbështetje dhe përkushtim total ndaj LSI dhe programit të saj. Ka shumë skeptikë që thonë se janë shumë të rinj për të marrë përgjegjësi.

Unë do desha t’i pyesja: A e kujtoni veten tuaj në moshën e tyre? A e kujtoni zjarrin, energjinë dhe përkushtimin që keni pasur në atë moshë? Mendimin për të ndryshuar dhe përmirësuar veten dhe botën përreth? Këto janë elementet që na duhen sot: dëshirë për ta bërë këtë botë më të mirë, impenjim për ta përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve, dëshirën për të kontribuar për vendin dhe jo për të ikur në një vend të huaj.

Askush nuk mund t’i mbrojë interesat e të rinjve më mirë sesa të rinjtë vetë. Askush nuk mund t’i japin zgjidhje problematikat dhe çështjeve që i shqetësojnë më mirë se sa atë vetë. Dhe këtë unë e kam parë personalisht me grupin e këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në këshillin bashkiak të Tiranës ku mbi 65% e tyre janë të rinj e të reja.

Çështje të tilla që shqetësojnë të rinjve si çmimi i abonesë për studentët, shtimi i fushave sportive, apo karta e studentit janë ngritur dhe mbrojtur me shumë përgjegjësi e përkushtim prej të rinjve të grupit të LSI-së duke ju dhënë zgjidhje një pjese prej tyre.

Prandaj për mua dhënia e përgjegjësive për të rinjtë është gjëja e duhur për t’u bërë. Dhe LSI e ka kuptuar dhe e ka bërë e para këtë gjë. Prandaj Lëvizja Socialiste për Integrim votohet në masë të gjerë nga rinia e cila do të jetë e përfaqësuar gjerësisht në parlamentin e ardhshëm shqiptar nën siglën e LSI-së.

“LSI, forca e parë politike që vendosi barazinë gjinore në statutin e saj”

LSI është shprehur se do të dalë forcë e parë në këto zgjedhje. A është realiste kjo ambicie?

Mendoj që synimi dhe besimi i LSI-së për të dalë forcë e parë bazohet në mbështetjen e gjerë që ne kemi në elektorat, në programin tonë zgjedhor realist që adreson problematikat kryesore të vendit dhe dhënien e propozimeve konkrete për zgjidhjen e tyre. Bazohet në punën e përditshme të strukturave tona me njerëzit dhe në mbështetjen që ata na japin dhe që LSI ju jep atyre.

Lëvizja Socialiste për Integrim nuk është një forcë arrogante por një forcë e përgjegjshme që merr përsipër zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. LSI është një parti që e ka treguar këtë përgjegjshmëri nëpërmjet kontributit të vazhdueshëm të përfaqësuesve tanë në pushtetit qendror dhe vendor, nëpërmjet fjalës së mbajtur dhe impenjimit total për të zgjidhur krizat politike në vend.  Për këto arsye dhe për shumë të tjera jam e bindur që LSI do të arrij objektivin e saj për të dalë forcë e parë në zgjedhjet e 25 Qershorit.

Na flisni pak për shtyllat ku mbështet programi i LSI-së në këto zgjedhje?

LSI ka në fokus të kësaj fushate të rinjtë dhe gratë e vajzat. Kjo për faktin e thjeshtë se janë dy grupime të mëdha që mbështesin fort LSI-në. Kjo mbështetje vjen si rrjedhojë e investimit të madh që është bërë nga LSI për to. Mos harrojmë se Lëvizja Socialiste për Integrim është partia e parë që vendosi barazinë gjinorë në statutin e saj, më shumë se 5 vjet më parë, duke sanksionuar përfaqësimin e barabartë të grave dhe burrave në të gjitha organet drejtuese të partisë. Po kështu LSI është partia e parë që futi në të gjitha listat e saj për kandidatë për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato vendore mbi 50% te rinj dhe të reja.

Po risjell një shembull që e përmenda pak më lart: grupi i këshilltarëve të LSI në Këshillin Bashkiak të Tiranës ka më shumë se 65% të tij të rinj e të reja në përbërjen e tij. Po kështu lista e kandidatëve për deputetë të qarkut Tiranë ka mbi 60% të rinj në përbërje të saj. Ndërkohë LSI është e bindur që të fuqizosh një grua ke fuqizuar familjen dhe si rrjedhoje ke fuqizuar edhe shoqërinë. Kjo për faktin e thjeshtë se kur një grua ka një të ardhur, pra është e pavarur ekonomikisht, investimi i saj i parë është për fëmijët dhe familjen, për t’ju ofruar fëmijëve mundësi më të mira shkollimi, mundësi më të mira jetese, një ambient familjar më të qetë dhe një të ardhme më të mirë. Duke qenë familja bërthama e shoqërisë, një familje e konsoliduar, pa problem sociale e ekonomike të thella do të thotë si rrjedhojë një shoqëri më e qetë dhe më e zhvilluar.

Prandaj për ne, si forcë politike është shumë e rëndësishme mbështetja e grave dhe vajzave dhe kjo pasqyrohet edhe në programin tonë elektoral ku parashikojmë si kualifikime profesionalë për gratë dhe vajzat, programe mbështetëse për bizneset e drejtuara nga gratë nëpërmjet granteve dhe kredive te buta, iniciativa për gratë në sektorin e bujqësisë apo të bizneseve start-up ashtu edhe rritjen e përfaqësimit të tyre në biznes apo në bordet e kompanive të listuara. Përfshirja e gjerë e grave në vendimmarrje dhe politikbërje është një shërbim i vyer për vendin dhe qytetarët e tij, dhe vendi ynë ka nevojë për një aset të tillë.

Jetëshkrim i shkurtër

Brunilda Paskali u lind më 5 shtator 1965 në qytetin e Korçës. Znj. Paskali është diplomuar në Fakultetin Filologjik, Dega Gjuhë Angleze në vitin 1987. Gjatë periudhës 1989-1990 ka dhënë disa provime pasuniversitare në fushën e Psikologjisë, Didaktikës dhe Filozofisë. Për një periudhë kohore rreth 20 vjeçare ka drejtuar kompaninë e saj me aktivitet në fushën e edukimit “Wisdom” dhe gjatë kësaj kohe ka kryer specializime të ndryshme në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomaci. Paskali mban gradën Master në Diplomaci dhe nga Universiteti i Norëich në SHBA në fushën e Menaxhimit të Konflikteve.

Gjatë viteve 1988-2013 ka punuar si Pedagoge e gjuhës Angleze, Shefe e Departamentit Shkencor dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare si dhe Pedagoge në Fakultetin e Psikologjisë pranë Shkollës së Lartë Jopublike “Wisdom University”. Paskali është përfshirë në politikë që në vitin 2007 duke mbajtur pozicionin e Sekretares së Marrëdhënieve Ndërkombëtare të LSI deri në vitin 2011. Është anëtare e Kryesisë së LSI që prej vitit 2007 dhe nënkryetare e LGI që prej vitit 2011. Nga viti 2013 deri në gusht 2015 ka qenë Zv. Ministre e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Nga muaji shtator 2015 është nënkryetare e Bashkisë së Tiranës. Paskali njihet për mbështetjen e madhe që ju jep grave dhe vajzave në politikë dhe veçanërisht në fushën e sipërmarrjes. Gjatë detyrës si zv.ministre e MZHETTS ka bashkëpunuar me organizata ndërkombëtare për fuqizimin e gruas në sipërmarrje dhe ka marrë pjesë në shumë konferenca e evente me këtë tematikë. Paskali ka ndërmarrë një sërë nismash në favor të grave sipërmarrëse siç kanë qenë Plan Veprimi për Gruan Sipërmarrëse apo krijimi i lehtësirave për gratë sipërmarrëse nëpërmjet granteve të ndryshme. Ajo vazhdon të mbështesë çështjen e fuqizimit ekonomik dhe politik të gruas dhe në rolin e saj si nënkryetare e Bashkisë Tiranë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat