Kuvendi i Shqipërisë miratoi mbrëmjen e të hënës masa të ashpra për ndëshkimin e korrupsionit zgjedhor, por që duken të vështira për t’u zbatuar në realitet, ndërkohë që përdorimi i procedurës së përshpejtuar vë në dyshim kushtetutshmërinë e këtyre ndryshimeve.
Nëse je i papunë dhe i afrohesh një politikani duke kërkuar punë në shkëmbim të votës, atëherë dënohesh me burg nga një deri në pesë vjet. Nëse një politikan të premton një vend pune në shkëmbim të votës, ai rrezikon të dënohet nga një deri në pesë vjet burg gjithashtu.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi falë kompromisit politik PD-PS mbrëmjen e së hënës ndryshime thelbësore në Kodin Penal, dhe ligjin për Financimin e Partive, ndryshime që vendosin masa të ashpra penale për korrupsionin zgjedhor, por që njëkohësisht ka gjasa janë ndërmarrë në shkelje të kritereve kushtetuese për ndryshimin e ligjeve të rëndësishme.
Kushtetuta thotë se “Procedura e përshpejtuar nuk lejohet për shqyrtimin e projektligjeve të parashikuara në nenin 81 paragrafi 2, me përjashtim të nënparagrafit dh,”. Neni 81 sanksionon që ligjet që miratohen me tre të pestat e Kuvendit, si Kodi Penal janë ligje të tilla, të cilat nuk mund të diskutohen me procedurë të përshpejtuar. Dhe kur vjen puna se çfarë është procedura e përshpejtuar, kushtetuta thotë se ajo mund të përdoret me kërkesë të qeverisë, por në asnjë rast votimi nuk mund të bëhet pa kaluar një javë nga dërgimi i propozimit në Kuvend dhe të publikohet nga Kuvendi. Të gjitha këto nuk u morën parasysh kur marrëveshja politike u arrit fundjavën e kaluar ndërsa ndryshimet u miratuan të hënën. Kuvendi publikoi njëkohësisht propozimet dhe ligjin e miratuar të martën.
Lista e gjatë e penaliteteve të vendosura në kodin zgjedhor vijon me mësuesit, që nëse nxisin nxënësit të dalin nëpër mitingje, mund të dënohen me gjashtë deri në tre vjet burg, me drejtorët e shtetit, të cilët nëse nxisin apo shtrëngojnë punonjësit të dalin nëpër mitingje mund të dënohen po kaq si dhe shtetasit që nëse fotografojnë votën e vet mund të dënohen me 3 dhe më shumë muaj burg.
Ironikisht, këto janë ndryshime të propozuara nga Partia Demokratike, e cila pak vite më parë, kur qe në qeveri, hodhi poshtë një propozim të ngjashëm nga Partia Socialiste për dënime më të ashpra të krimit zgjedhor.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor u publikuan të martën në faqen e internetit të Kuvendit të Shqipërisë.
Ndonëse zbatimi në praktikë i këtyre masave ka gjasa do të jetë i vështirë, së paku punonjësit e shtetit, të cilët përgjatë viteve të fundit kanë qenë vazhdimisht nën kërcënimin e drejtorëve për t’u anëtarësuar apo për të kontribuar financiarisht për një parti përkatëse, tashmë kanë mundësi të përdorin ndryshimet në Kodin Penal, pasi thjeshtë presioni i një drejtori mbi punonjësit përbën vepër penale të dënueshme me burg.
Në rast se zbatohen këto masa drakoniane ndëshkimi, Shqipëria do të bëhet një vend me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por eksperienca e deritanishme ka treguar se në fund fare, nuk janë ligjet, por mungesa e zbatimit të ligjeve ato që kanë shkaktuar problemet deri tani.
Deri tani Shqipëria ka pas konsideruar si kundërvajtje administrative rastet kur komisionerë të caktuar ndryshojnë votën, shkelin fshehtësinë e votës apo hedhin vota për votues që nuk janë prezent. Në rast se kapeshin, dënimi varionte nga gjoba deri te burgu. Ndryshimet e miratuara i kanë zëvendësuar që të gjitha këto kundërvajtje me vepra penale, të cilat dënohen vetëm me burg, ky gjykatat nuk kanë më diskrecionin për të zgjedhur mes dënimit me një gjobë të lehtë dhe dënimit me burg.
Ndonëse këto kundërvajtje administrative kanë qenë në fuqi edhe më parë, statistikat e Ministrisë së Drejtësisë mbi çështjet e trajtuara në gjykata tregojnë se në Shqipëri nuk ka pasur as blerje votash, as shkelje të fshehtësisë së votës. Statistikat e vitit 2013, 2014 e 2015 tregojnë një numër minimal rastesh, asnjëri prej të cilëve me burg.
Po kështu, dhënia e premtimeve për vende pune në shkëmbim të votave më herët qe klasifikuar si kundërvajtje administrative dhe dënohej vetëm me gjobë, ndërsa tani dënohet vetëm me burg.
Politika e votave për vende pune konsiderohet si problemi kryesor i dekadave të fundit, për shkak se shkatërron mundësinë për ndërtimin e një administrate publike profesionale dhe të papolitizuar, por ky problem duket se është përshkallëzuar gjatë viteve të fundit me shfaqjen e partive të vogla si LSI dhe PDIU, si dhe për shkak të faktit se oferta reale nga partitë e mëdha për bashkëpunim me partitë e vogla është dhënia e posteve të drejtorëve funksionarëve të partive të vogla.