Nishani në samitin e Meksikës: Shqipëria tërësisht e angazhuar në reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore

Shqipëria

Nishani në samitin e Meksikës: Shqipëria tërësisht e angazhuar në reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore

Më: 25 maj 2017 Në ora: 20:19
Presidenti shqiptar Bujar Nishani

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe të Presidentit të Shteteve të Bashkuara Meksikane, mori pjesë në punimet e Platformës Globale 2017 për Reduktimin e Rrezikut të Kastrofave, që po zhvillohet në Kankun të Meksikës.

Për herë të parë punimet e kësaj platforme zhvillohen jashtë ambienteve të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë dhe aktiviteti u ndoq nga një numër i konsiderueshëm drejtuesish shtetesh e qeverish, si dhe shkencëtarë, akademikë, përfaqësues të agjencive të ndryshme të emergjencave civile, e të tjerë. Në këtë aktivitet, Presidenti Nishani shoqërohej edhe nga Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, zonja Voltana Ademi, si kryetarja e një prej bashkive më të prekura nga katastrofat natyrore në Shqipëri.

Presidenti Nishani, pas pjesëmarrjes në ceremoninë e hapjes së përshëndetur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara Meksikane, Enrique Peña Nieto, si dhe Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e OKB-së, Amina Mohamed, mbajti një fjalë në panelin e deklaratave zyrtare, ku që në fillim vlerësoi organizimin e kësaj Platforme jashtë Gjenevës dhe duke krijuar një shembull shumë pozitiv, që mund të ndiqet edhe nga vende të tjera në të ardhmen.

Duke iu referuar modeleve të ngjashme të realizuara për Marrëveshjen e Klimës në Paris dhe të Samitit të Parë Humanitar në Stamboll, Presidenti Nishani, theksoi se edhe në Kankun, po adresohet sërish, me të njëjtin përkushtim e vullnet politik, çështjet e uljes së rrezikut nga katastrofat natyrore, si në nivel lokal e rajonal ashtu edhe në nivel global.

“Shqipëria, ashtu si edhe vendet e tjera është tërësisht e angazhuar për të kontribuar me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj, në reduktimin e rrezikut që vjen nga fatkeqësitë natyrore dhe ndërtimin e aftësive ripërtëritëse që garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm të vendit”, theksoi Presidenti Nishani.

Në mënyrë të veçantë, Kreu i Shtetit, evidentoi faktin se Shqipëria renditet ndër një nga vendet me prekshmëri të lartë nga fatkeqësitë natyrore, si në nivel evropian ashtu edhe nivel botëror dhe për këtë arsye ajo është seriozisht e angazhuar në zbatimin e Agjendës 2030, për Zhvillim të Qëndrueshëm, krahas vendeve të tjera anëtare të Kombeve të Bashkuara. Gjithashtu, Presidenti Nishani, vlerësoi angazhimet e marra me Agjendën 2030 dhe Marrëveshjen e Parisit për Klimën, duke i konsideruar ato jo vetëm si mundësi për gjeneratën aktulale, por edhe për brezat e së ardhmes.

“Zbatimi i këtyre dokumenteve ndërkombëtare, ku Shqipëria është pro-aktive, konsiderohen me të drejtë si strategjitë kryesore globale për përballimin e ndryshimeve klimaterike, arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm, ndihmën ndërkombëtare, por edhe për çështjet e sigurisë e të paqes në botë”, citohet Kreu i Shtetit në një njoftim të zyrës së shtypit pranë Presidencës, lidhur me aktivitetin.

Presidenti Nishani e njohu auditorin edhe me masat legjislative të marra nga Shqipëria deri tani, apo në proces hartimi e miratimi, për mbrojtjen civile nga katastrofat natyrore dhe integrimin e prioriteteve dhe objektivave për reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë, si dhe për përmirësimin e koordinimit me njësitë e qeverisjeve vendore dhe të planeve të emergjencave civile, për identifikimin e saktë të burimeve të rrezikut, por edhe të parashikimit të masave përkatëse në kohë.

“Shqipëria ka ndjeshmërinë e duhur ndaj sfidave me të cilat përballet bota dhe shoqëria njerëzore sot. Ndaj konfirmoj me kënaqësi vendosmërinë e Shqipërisë për të vijuar mbështetjen e agjendës së Kombeve të Bashkuara, veçanërisht për Agjendën 2030 dhe të gjitha përpjekjet për një Zhvillim të Qëndrueshëm të planetit tonë, me bindjen se sfidat e përbashkëta kërkojnë zgjidhje të përbashkëta. Vetëm kështu mund ta çojmë përpara këtë platformë dhe adresojmë rreziqet nga katastrofat në mënyrë të koordinuar dhe të harmonizuar.” theksoi Presidenti Nishani.

Në kuadrin e pjesëmarrjes në këtë aktivitet të përbashkët të Kombeve të Bashkuara dhe qeverisë meksikane, Presidenti Nishani u takua edhe me Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Reduktimin e Rrezikut nga Katastrofat, zotin Robert Glasses, me të cilin bisedoi në mënyrë të veçantë për rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit mes strukturave përkatëse të Kombeve të Bashkuara dhe atyre shqiptare në masat paraprake për menaxhimin e efekteve të katastrofave.

Presidenti Nishani e njohu zotin Glasser me angazhimet e marra nga Shqipëria si në nivel lokal ashtu edhe rajonal, si dhe bashkëpunimin me disa prej vendeve fqinje anëtare të BE-së për katastrofat natyrore, kryesisht nga përmbytjet apo zjarret në periudhën e verës. Duke iu referuar eksperiencave shqiptare të përballjes me katastrofat natyrore, Presidenti Nishani, evidentoi në takim dhe masat e marra si në ngritjen e strukturave përkatëse të emergjencave civile, por edhe për përmirësimin e kuadrit ligjor. Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin me Zyrën e OKB-së për Reduktimin e Rrezikut të Fatkeqësive dhe kërkoi që ky bashkëpunim të shtrihet edhe më shumë në të ardhmen, si me autoritetet qendrore, ashtu edhe ato vendore.

Gjithashtu, Presidenti Nishani zhvilloi takime e biseda të shkurtra edhe me Presidentin e Meksikës, Nieto e zyrtarë të tjerë të lartë që morën pjesë në punimet e këtij aktiviteti.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat