Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, do të dorëzojë sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listat e kandidatëve për deputetë të forcës së tij politike për 12 qarqe të vendit.
Pasi u informua nga 12 drejtuesit e grupeve të punës me propozimet e strukturave të PD në rrethe, Basha ka filtruar të gjithë emrat për të dalë në një listë finale, që do të dorëzohet sot në KQZ.
Para se të kalojë në këtë vendimmarrje, pritet që Basha të thërrasë kryesinë e Partisë Demokratike për të konfirmuar emrat që do të përfaqë- sojnë jo vetëm PD, por edhe koalicionin opozitar në zgjedhjet e 25 qershorit.
Por kur kanë ngelur vetëm pak orë deri nga shpallja zyrtare e listave nga PD, burime pranë selisë blu kanë konfirmuar emrat e mundshëm që do të drejtojnë fushatën e demokratëve në 12 qarqet e vendit.
Sipas burimeve, kreu i PD-së Lulzim Basha do të udhëheqë fushatën e demokratëve në kryeqytet duke qenë në krye të listës për Tiranën. Kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Edi Paloka, pritet të udhëheqë fushatën e PD-së në Shkodër, ndërkohë që nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, do të kryesojë listën e demokratëve në Elbasan.
Kreu i PD-së në degën e Durrësit dhe një nga njerëzit më të afërt të Bashës, Oerd Bylykbashi, pritet të drejtojë listën e demokratëve në Durrës, ndërsa sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani, listën e Fierit. Edhe në këto zgjedhje listën e demokratëve në qarkun e Kukësit, i cili në bazë të ndryshimeve të bëra do të nxjerrë një deputet më pak, do ta udhëheqë Flamur Noka.
Ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, do të kryesojë listën e demokratëve në Lezhë, deputeti Gent Strazimiri listën në Dibër, sekretari për Burimet Njerëzore në PD, Fatbardh Kadilli pritet të kryesojë listën e Beratit, ndërsa sekretari për Rendin dhe Sigurinë, Enkelejd Alibeaj, listat në Vlorë.
Duket se kreu i PD-së Basha është i dyzuar për listat në qarkun e Korçës dhe Gjirokastrës. Në qarkun e Korçës emrat e mundshëm janë ish-ministri Genc Pollo dhe sekretari organizativ, Eno Bozdo. Ndërkohë që për qarkun e Gjirokastrës pas tërheqjes së Genc Rulit emrat e mundshëm për kryesimin e listës janë këshilltari i Presidentit, Ylli Asllani dhe kreu i PD-së në këtë qark, Roland Bejko.