Rama i druhet garës me kundështarë realë në Kavajë, ndryshon 'strategji'

Shqipëria

Rama i druhet garës me kundështarë realë në Kavajë, ndryshon 'strategji'

Më: 26 maj 2017 Në ora: 09:52
Edi Rama

Partia Socialiste do të garojë për kreun e ri të Bashkisë së Kavajës me një kandidat të ri

Kur ishte e vetme në garën elektorale për zgjedhjet e Bashkisë së Kavajës, të cilat u shtynë nga 7 maji për në 25 qershor, Partia Socialiste zgjodhi kandidat zëvendëskryetarin e bashkisë, Klodian Shehin. 

Por duket se me futjen në zgjedhje me kandidatë të LSI-së dhe të PD-së, socialistët kanë menduar të zgjedhin një kandidatë më të fortë, dhe ndoshta jo kaq të akuzuar nga opozita siç ishte Shehi, zëvendësi i Elvis Rroshit. Ky i fundit i shkarkuar pasi u gjet në shkelje të ligjit të dekriminalizimit, që është dhe arsyeja përse po mbahen zgjedhje në këtë Bashki.

Express mëson se PS-ja do të kandidojë Dorian Muratin, drejtor i OSHEE në Kavajë, i cili më herët ka mbajtur edhe detyrën e kreut të ALUIZNI-t në këtë qytet. Partia Demokratike pritet të zyrtarizojë si kandidat të sajin, Isa Sakja, i cili aktualisht mban postin e kryetarit të degës ë PD në Kavajë.

Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim garon me Maksim Konën, doktor i shkencave inxhinierike.

Zgjedhjet në Kavajë të dekretuara herën e parë për tu mbajtur më 7 maj u shtynë pas tërheqjes së kandidatit të majtë Klodian Shehi me urdhër të kryeministrit Rama. Ky i fundit tha se i druhej një plani për destabilitet të Partisë Demokratike, e cila kishte paralajmëruar mbajtjen e një protestë ditën e zgjedhjeve. Përballë kandidatit të majtë ishte vendosur sa për të krijuar ‘balancë’ edhe një kandidat i pavarur, por që në fakt edhe ai kishte lidhjet e tij me Partinë Socialiste. 

LSI i bojkotoi zgjedhjet e Kavajës, pas bojkotit të përgjithshëm të PD-së e cila protestonte prej tre muajsh kundër qeverisë Rama me akuzën se do të vjedhin zgjedhjet. Por me arritjen e marrëveshjes politike mes Partisë Socialiste dhe PD-së më 18 maj, ngërçit ju dha fund.

Image
Dorian Murati
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat