Jo më flamuj e postera - Propaganda elektorale jo më larg se 5 metra nga zyrat e partive

Shqipëria

Jo më flamuj e postera - Propaganda elektorale jo më larg se 5 metra nga zyrat e partive

Më: 27 maj 2017 Në ora: 17:28
posterat

Fushata zgjedhore pritet të jetë me e qetë, të paktën nga pikëpamja estetike dhe mbushja e rrugëve e pallateve me postera e flamujt elektoralë.

Ligji i ri lehtëson jo vetëm xhepat e partive dhe kandidatëve nga kostot e konsiderueshme por edhe qetëson sytë nga bombardimi me mesazhe elektorale në çdo cep të mundshëm pallati.

Në ligjin e ndryshuar të partive politike ndalohet përdorimi i materialeve propagandistike të çdo lloji apo madhësie në një distancë 5 m larg zyrës elektorale të subjektit zgjedhor apo kandidatit.

Kjo do të thotë se përtej kësaj distance, çdo përpjekje nga partitë politike, kandidatët për deputet apo militantët përbën kundravajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 1-3 mln lekë.

“Mosrespektimi i rregullave të parashikuara në këtë nen, përveç parashikimeve në Kodin Penal, përbën kundërvajtje administrative dhe passjell dënimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të personit përgjegjës për financat, përkatësisht me gjobë nga 1 000 000 deri në 3 000 000 lekë”.

Përveç aspektit estetik që pritet të përfitojë nga ky ligj, edhe qytetarët e pyetur nga Ora News e parashikojnë këtë fushatë zgjedhore më të qetë se vitet e tjera dhe këtë e lidhin ngushtësisht me marrëveshjen Basha-Rama.

Por ka edhe të tjerë që janë dyshues

Monitorimi do të kryhet nga Komisioni Qëndor i Zgjedhjeve, përmes inspektorëve rajonalë.

KQZ bën me dije se në këtë proçes monitorimi të zbatimit të ligjit do të ketë edhe inspektorë të KZAZ-ve në të gjithë vendin.

Në një vëzhgim të bërë në Tiranë nga kamerat tona, rezulton se përgjithësisht në zyrat elektorale flamujt apo simbolikat partiake nuk janë vendosur përtej distancës sipas ligjit, por në disa raste nuk mungojnë as shkeljet, ku banderolat janë vendosur përgjatë rrugës.

Gjithashtu në fasadat e pallateve ende kanë mbetur gjurme të shpëlara nga vitet e shkuara të parrullave apo emrave te kandidatëve ose partive në zgjedhjet e mëparshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat