Fushata e PD, Abilekaj: Basha do merret me shpenzimet luksoze të Ramës

Shqipëria

Fushata e PD, Abilekaj: Basha do merret me shpenzimet luksoze të Ramës

Më: 28 maj 2017 Në ora: 05:54
Enton Abilekaj

Duke analizuar fjalimin e kreut të PD-së në hapjen zyrtare të fushatës elektorale, analisti Enton Abilekaj  thotë se Basha do të përqëndrojë fushatën e tij tek shpenzimet luksoze të Kryeministrit.

Sloganin e PD për fushatën e sheh të ndërlidhur me temën e emigracionit.

Në studion e Ora News, Abilekaj shprehu rezerva për listën e kandidatëve për deputetë të PD.

Sipas tij Basha përjashtoi zërat kundër dhe me peshë në PD, duke i zëvendësuar me njerëz të panjohur dhe pas asnjë kontribut në këtë parti.

Fjalimi i Bashës-Ishte një program për Republikën e re, që është pagëzuar tashmë fushata e PD që në çadër.Nuk kishte shumë të reja, ato premtime i ka trajtuar në ditë të veçanta gjatë kohës që ishte në çadër. Periudha e çadrës, përveç protestës për zgjedhje të lira, shërbeu edhe për të prezantuar programin e PD.Pikat ku bazohet Basha tek ulja e taksave, të rinjtë, abrogimi i ligjit të arsimit të lartë me të cilin po luan dhe LSI.Kemi një retorikë që trashëgohet nga vitet e kaluara.E reja është që LSI i është bashkuar.Programi do të detajohet më shumë në ditët e ardhshme. Ajo që zuri më shumë peshë tek fjalimi i zotit Basha ishte sulmi ndaj qeverisë, shpenzimet e tepërta të qeverisë, gjeti kohën të merret me palmat që kanë mbushur rrugët dhe autostradat e vendit, që në fakt kanë kushtuar shumë dhe tashmë kanë dalë jashtë funksionit.Nuk u përdor pa qëllim tema e palmave. Basha do të merret kryesisht me shpenzimet lukzose të Kryeministrit gjatë fushatës duke tentuar të nxjerrë sesi rritja e varfërisë nuk e ka shqetësuar Kryeministrin të bëjë shpenzime për fasadat, zbukurimet të cilat janë të dështuara dhe nuk mund të mirëmbahen.

Slogani i fushatës-E nesërmja e sigurt buron nga ekonomia e fortë, slogani është ndërtuar si një përgjigje ndaj emigrimit. Largimi masiv i njerëzve për shkak të pasigurisë në këtë vend, ndërtimi i së ardhmes. Duke thënë ekonomi e fortë e nesërme e sigurt, domethënë që nuk ka pse të ketë emigracion, që e ardhmja të ndërtohet në Shqipëri.

 Të përjashtuarit nga listat- Lista në përgjithësi ishte një tregues i mungesës së koherencës së Bashës. Kemi një lider që deri në 17 maj deklarohej për një republikë të re, zgjedhje të lira, respektim të mendimit kundër brenda partisë, deklarohej për dekriminalizimin. Sot me listën që kemi, përveç se Basha me marrëveshjen e 17 majit hoqi dorë nga zgjedhjet e lira dhe shkuarja deri në fund të një projekti që do u krijonte të gjithëve mundësinë të futeshin pa probleme, monopolizoi me PS kontrollin e zgjedhjeve, bëri një marrëveshje kundër të gjithëve.Me listat që pamë ai goditi mendimin ndryshe, figura si Topalli, Bregu, Patozi, Selami, të cilat ishin figura që jo vetëm mendonin ndryshe por shpesh mendimi i tyre përputhej me qëndrimet ndërkombëtare që këshillonin dhe paralajmëronin herë pas here PD. Ata nuk kishin probleme me emrin e kryetarit, por idetë, mënyrën si i qasej PD zhvillimeve në vend. Mendoj që ata janë larguar vetëm sepse nuk mendonin si kryetari, për asnjë arsye tjetër. Janë larguar disa ish-Ministra të konsumuar, dikur do të duhet të iknin nga politika. Topalli edhe mund të ishte larguar pas 20 vjet në politikë dhe pse nuk është e konsumuar, por nuk mund të ikte me një vendim natën. Merrem me largimin e tre figurave të tjera, Patozi, Bregu, Selami, që janë figura jo vetëm të pakonsumuara por nga figurat më pozitive dhe më elektorale që ka PD.

Ekipi i ri- Nuk mund të lindë nga asgjë, duhet të lindë nga sallat e kuvendit, foltoret, debatet publike. Nëse do kishim zëvendësim me njerëz që janë shquar në debatet publike në ide, rezistencë sociale dhe civile ndaj qeverisë mund të quhej e justifikueshme.Por zëvendësimi me njerëz krejt të panjohur, pa asnjë lloj kontributi në PD, njerëz të cilët PD i krijoi si figura publike përmes foltoreve dhe reklamave duke imituar formën e opozitës së Edi Ramës. Zëvendësimi me këto figura nuk është fare e justifikueshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat