Ahmetaj: Do ulim taksat pa rritje borxhi

Shqipëria

Ahmetaj: Do ulim taksat pa rritje borxhi

Më: 30 maj 2017 Në ora: 08:24
Arben Ahmetaj

Ish-ministri i Financave dhe njëkohësisht një nga hartuesit kryesorë të programit ekonomik të Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj, u prezantoi dje sipërmarrësve platformën elektorale të kësaj force politike. Në programin e ri ekonomik socialistët premtojnë ulje taksash, për biznesin dhe qytetarët, pa rritje borxhi.

Ahmetaj tha se në fokus të Partisë Socialiste do të jetë ulja e dividentin nga 15 në 6 për qind dhe uljen e tatimit për pagat mbi 130 mijë lekë nga 23 për qind në 18 për qind.

“Do të vazhdojmë ta kemi tatimfitimin në nivelin aktual, por ne do të ulim në 6 për qind dividentin nga 15 për qind që është. Në spektrin e progresivitetit për shkak të punës që kemi bërë dhe krizës që kaluam do të krijojmë një ekuilibër të ri në nivelin e lartë të progresivitetit, ku tashmë kemi mundësi që të ulim nga 23 për qind nivelin maksimal të taksimit në 18 për qind. Ulje të tatimfitimin në 5 për qind për kompanitë softwere. Dhe e gjitha do të ndodhë ndërsa ne ulim borxhin”, u shpreh Ahmetaj.

Presidenti i “BiznesAlbania”, Luan Bregasi, kërkoi që në vëmendje të qeverisë së ardhshme të jetë edhe ulja e kostove për biznesin. Bregasi kërkoi uljen e çmimit të energjisë, me qëllim për ta kthyer biznesin konkurrues në tregjet e huaja.

“Ne nuk kërkojmë privilegje, ne duam të vazhdoni të mbështesni industrinë vendëse. Tashmë tregjet janë hapur, nuk ka kufij, nuk ka barriera doganore, pra ne duam të jemi konkurrentë. Por qeveria duhet të shohë mundësitë për uljen e kostove të produkteve vendëse. Shqetësimi ynë është çmimi i lartë i energjisë elektrike, në këtë çështje ne nuk jemi konkurrentë. Madje, na kanë vendosur çmim të lartë, pasi na thonë se nuk e merrni furnizimin me energji direkt nga shtylla dhe paguajmë më shumë, por mendoj se kjo do të korrigjohet, pasi kemi mbështetur formalizimin e tregut dhe të ardhurat janë rritur”, u shpreh Bregasi.

Presidenti i “BiznesAlbania”, Luan Bregasi, përshëndeti edhe një herë vendimin e qeverisë për uljen në 6 për qind të TVSH-së së turizmit, pasi kjo lehtësi fiskale do ta bëjë industrinë e turizmit konkurrenciale në rajon. Për çmimin e lartë të energjisë së biznesit, ish-ministri i Financave Ahmetaj tha se kostoja e energjisë për biznesin do të rishikohet, në mënyrë që të vendoset një ekuilibër i ri.

Ahmetaj prezantoi edhe detaje të programit në ndihmë të qytetarëve, ku sipas tij në fokus do të jetë rritja e pagave me 40 për qind.

“Do të vazhdojmë me rritjen e pagave dhe pensioneve. Në kategori specifike do të rrisim pagat deri në 40% dhe do të fokusohemi te mjekët, infermierët dhe mësuesit, tek ata që kanë ngarkesë shumë të madhe në administratë. Kemi gjetur një instrument të veçantë, përveç indeksimit do të kemi në buxhet paketën e solidaritetit nga 7 mijë deri në 10 mijë lekë të rinj”, tha Ahmetaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat