260 mln euro në 3 vite/ Ja sa para do të përfitojë Shqipëria në 2017 nga BE

Shqipëria

260 mln euro në 3 vite/ Ja sa para do të përfitojë Shqipëria në 2017 nga BE

Më: 31 maj 2017 Në ora: 15:59
Ilustrim

Shqipëria ka përfituar 260 milionë euro grante nga Bashkimi Europian në 3 vitet e fundit, ndërkohë që disbursimet pritet të rriten në mënyrë progresive deri në 2020-n.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se, për këtë vit, BE-ja ka përcaktuar 92.9 milionë euro si mbështetje për Shqipërinë, ndërsa për periudhën 2018-2020 do të disbursohen edhe 296 milionë euro të tjera.

Ndryshe nga donatorët e tjerë, fondet e Bashkimit Europian nuk janë kredi, por grante, të cilat jepen falas pa rritur borxhin publik të vendit. Qëllimi i këtyre fondeve është të financojnë reformat, që ndihmojnë vendin të bëhet gati për anëtarësim në BE.

Për periudhën 2007-2014, Shqipëria ka marrë rreth gjysmë miliard euro nga fondet strukturore të Bashkimit Europian. Pjesa dërrmuese e tyre është përdorur si asistencë për forcimin e institucioneve, demokracisë dhe përmirësimin e qeverisjes. 

Por me avancimin e vendit në procesin e integrimit, fondet strukturore të BE-së shkojnë më afër qytetarëve, duke prekur sektorë më të ndjeshëm, si bujqësia apo edhe transporti. Sipas të dhënave, në dy vitet e fundit, fermerët shqiptarë kanë përfituar 22 milionë euro nga grantet e BE-së, ndërkohë që deri në vitin 2020 do të disbursohen edhe 70 milionë euro të tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat