Basha në Gramsh e në Belsh: Do të ndihmojmë të papunët

Shqipëria

Basha në Gramsh e në Belsh: Do të ndihmojmë të papunët

Më: 5 qershor 2017 Në ora: 16:34
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha tha se kur të vijë kryeministër, shqiptarët do të kenë punësim dhe se ekonomia do të bëhet e fortë. Basha theksoi se vendimet e para që do të marrë do të jenë në favor të personave që nuk kanë punë, si dhe premtoi taksat më të ulëta në Ballkan.

Basha nënvizoi se “Republika e Re” parashikon investime, zhvillime të biznesit, ulje të taksave si dhe mundësi për vende të reja të punës. “Vendimet e mia të para do të jenë vendime që ju mbështesin ju dhe njerëzit e punës. Ulja e TVSH do të sjellë 400 mln euro më shumë në xhepat e konsumatorëve shqiptarë, TVSH është taksa që paguan gjithësecili prej jush, 20% TVSH. Unë do ta ul TVSH, 400 mln euro  do të rritet konsumi. Taksa e sheshtë 9% do të gjenerojë miliona euro investime”, tha numri një i PD.

Për Bashën, parësor janë qytetarë dhe mirëqenia e tyre. “Ju jap fjalën se nuk jam në këtë betejë për veten time, as për egon time, as për rehatinë e jetës time. Kisha mundësinë të ndërtoja një jetë të rehatshme dhe komode kudo që do ta dëshiroja nga Holanda në Amerikë, por kam zgjedhur të bëj këtë betejë se tani që ma priu fati në jetë të realizojë gjithçka që kam realizuar i ri, tani është radha time të bëj gjithçka që këta të rinj të kenë po të njëjtat mundësi”, vlerësoi lideri demokrat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat