Meta: Rama përgjegjës për drogën, Tahiri zgjedhje personale e tij

Shqipëria

Meta: Rama përgjegjës për drogën, Tahiri zgjedhje personale e tij

Më: 6 qershor 2017 Në ora: 22:24
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, i ka kthyer përgjigje ish-bashkëkryetarit në qeverisje Edi Rama lidhur me deklaratat e artikuluara gjatë fushatës se LSI nuk mban përgjegjësi për qeverisjen.

I ftuar në “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Meta tha se LSI ka marrë të gjithë përgjegjësitë e saj, por për drogën përgjegjës është Rama, pasi sipas tij emërimi i Ministrit të Brendshëm Tahiri ka qenë zgjedhje personale e tij.

Por Meta njeh një “mëkat” të LSI.

“LSI-ja mund të marrë përgjegjësi pse i votoi Ramës “Crown Agent’s” në Parlament në një mënyrë, do të thosha, jo shumë të ndershme, për arsye se do të duhej të ishte shpallur një garë, por e votoi, sepse mori garanci, besoi Ramën që do të bënte mrekulli me doganat. Kjo mrekulli nuk ndodhi, apo jo?Ne i dhamë një besim. Ai na dha garanci, ne i dhamë besim. Kjo gjë dështoi, nuk mund të marrë LSI-ja përgjegjësinë për këtë gjë”.

Meta thotë se arroganca e Kryeministrit do ndëshkohet me 25 qershor.

“Gjithmonë ai fajin do ta gjejë diku, asnjëherë nuk do ta gjejë te vetja e tij. Unë mendoj se kjo arrogancë e tij do të ndëshkohet në mënyrë të pandalshme më 25 qershor”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat