Basha: Republika e re, pensione dinjitoze dhe mbështetje rinisë

Shqipëria

Basha: Republika e re, pensione dinjitoze dhe mbështetje rinisë

Më: 7 qershor 2017 Në ora: 18:45
Lulzim Basha

Në një takim me qytetarët e Patosit, lideri demokrat Lulzim Basha theksoi zotimin se do të jetë kryeministri i ekonomisë, punës dhe njerëzve të thjeshtë.

Basha tha se Republika e Re do të rishikojë buxhetin për të rritur pensionet brenda vitit 2017. 

“Vit për vit do të rriten pensionet dhe brenda katër viteve Republika e Re do të mundësojë pensionin minimal prej 25 mijë lekësh të reja për të gjithë pensionistët shqiptarë. Ne do të kemi një paketë që do të përfshijë 300 kw e parë të energjisë elektrike dhe faturën e ujit për konsum familjar të paguara nga buxheti, plus ndihmën ekonomie për të gjithë njerëzit në nevojë”, deklaroi Basha. 

Ai u shpreh se, garantimi i një të nesërme të sigurtë do të nisë me investimin për fëmijët. “Anembanë vendit do të kemi një revolucion të vërtetë në arsim. Nuk do të ketë në ansjë fshat të Shqipërisë, në asnjë lagje të qyteteve tona ndërtesë më madhështore se shkolla ku shkojnë fëmijët tuaj. Republika e Re do të mundësojë drekën e paguar nga buxheti i shtetit për çdo fëmijë shqiptar, nga kopshti deri në fund të maturës”, tha Basha. 

Ai premtoi gjithashtu se për 10 mijë të rinj të cilët mbarojnë universitetin, Republika e Re do t’u mundësojë stazh të paguar prej 200 mijë lekë të vjetra. 

“10 mijë të rinj e të reja do të kenë stazhin e paguar nga Republika e Re, 200 mijë lek të vjetra në muaj. Kjo do të ndihmojë në punësimin e rinisë, sepse 75% deri në 90% e të rinjve që ndjekin praktika të tilla sigurojnë një vend pune”, tha Basha. 

Basha foli edhe për taksën e sheshtë prej 9%, të cilën, siç tha ai, do ta sjellë Republika e Re si taksën më të ulët në rajon. “Ulja e TVSH-së nga 20% në 15% do të rrisë ekonominë familjare”, vijoi Basha. 

Lideri demokrat shtoi se deputetët do të zgjidhen nga populli, pa filtra partiakë dhe nëse nuk përfaqësojnë siç duhet qytetarët, sërish do të jetë populli që do t’i shkarkojë pa iu përfunduar mandati. “Duhet që Republika e Re të nisë nga puna dhe këtë do të bëjmë”, tha Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat