“Pse i thashë ‘Po’ Bashës, Rama rrezikon mandatin në Vlorë”

Shqipëria

“Pse i thashë ‘Po’ Bashës, Rama rrezikon mandatin në Vlorë”

Më: 8 qershor 2017 Në ora: 08:05
Agron Shehaj

Agron Shehaj kryeson listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në Vlorë. I papërfshirë deri dje në politikë, por me një traditë familjare dhe bindje të djathta, sipërmarrësi ambicioz vlonjat shpjegon në një intervistë për “Panorama” arsyet përse i tha “Po” ftesës së Lulzim Bashës për të qenë në Parlament.

Shehaj kërkon që të jetë antimodeli që shpesh jemi mësuar të shohim në politikën shqiptare, të njeriut që hyn në politikë për t’u bërë biznesmen.

Për kryesuesin e PD-së në listën e Vlorës, modeli i suksesit në biznes është orientimi i duhur që duhet zbatuar edhe në sipërmarrjen politike. Objektivi i Shehajt është që PD në Vlorë të marrë 5-6 mandate, çfarë do të thotë se vetë Kryeministrit Rama do t’i duhet të luftojë me LSI-në për të marrë mandatin e tij të deputetit.

Pjesëmarrjen në listën “Basha” kryesuesi i listës së Vlorës e sheh si shenjën e hapjes së Partisë Demokratike ndaj Shqipërisë.

Pse vendose të hysh në politikë dhe cilat janë lidhjet tuaja me Partinë Demokratike?

Jam i pakënaqur me politikën. Dua që gjërat të ndryshojnë. Besoj te ndryshimi, dhe besoj se unë mund të jem pjesë e atyre që e sjellin ndryshimin. Kjo vetëdije më shtyu t‘i them ‘Po‘ ftesës së kryetarit të opozitës. Në një vështrim më të gjerë, jo telegrafik, ja pse vendosa të jem pjesë e “listës Basha”:

-Duke krijuar biznese mund të përmirësosh jetën e disa miëjra vetave; politika e ka fuqinë të përmirësojë jetën e qindra mijërave;

-Dua të jem antimodeli: jo politikani që bëhet biznesmen dhe përfiton për vete dhe rrethin e ngushtë, por sipërmarrësi që futet në politikë për të zgjeruar rrethin e njerëzve, jeta e të cilëve përmirësohet.

-E kam modelin e suksesit në biznes dhe mendoj se mund të zbatohet edhe në sipërmarrjet politike. Duhet pasion, këmbëngulje dhe dëshirë për të përmirësuar jetën e njerëzve;

-I kam pasur dhe i kam të gjitha mundësitë që të jetoj jashtë dhe të jem i suksesshëm atje. Dikush që ka ikur që fëmijë i shtyrë nga pamundësitë e vendit të tij do ta shohë vendin e vet dhe njerëzit e atij vendi me mundësi. Me Partinë Demokratike më lidh tradita e familjes, pasi unë rrjedh nga një familje e djathtë. Gjithashtu, idetë e mia më lidhin me të: liria e tregjeve, e konkurrencës, e sipërmarrjes, shteti i vogël, taksat e ulëta etj. Të gjitha këto ide mbrohen nga parti të qendrës së djathtë, siç është Partia demokratike.

Keni njohje personale me Lulzim Bashën? Si erdhi ftesa nga ai që të bëheshit pjesë e listës së kandidatëve për deputetë?

Jo. Me z. Basha jam takuar rastësisht në dhjetëra rrugët që u kryqëzohen sipërmarrësve të suksesshëm me aktorët kryesorë të politikës. Marrim pjesë në pritje ambasadash; konferenca për biznesin të organizuara nga shoqatat e sipërmarrësve, e me radhë. Por ftesa e z. Basha për mua nuk ka ardhur në kapacitete personale. Janë takuar projekti i tij dhe idetë e mia. Pra, na ‘janë puqur idetë‘. Përveç kësaj, unë kam të përbashkët me Bashën entuziazmin për ndryshimin dhe se e shohim Shqipërinë si pjesë të këtij ndryshimi.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ju është referuar disa herë gjatë këtyre ditëve duke ju cilësuar si një model suksesi. Si arritët ju të krijoni një sipërmarrje aq të madhe në Itali dhe pse vendosët që biznesin ta zhvilloni edhe në Shqipëri?

Ka qenë një përzierje e dëshirës për t‘u kthyer në vendin tim, me nuhatjen e një mundësie në biznes, që më bënë të rikthehesha në Shqipëri. Unë nuhata një nevojë të tregut, një përvojë britanike dhe amerikane, që është telemarketingu apo ato që njihen si call center dhe mendova se kjo mund të aplikohet edhe në Itali e Shqipëri. Por telemarketingu është tashmë ‘histori‘ në sipërmarrjet e mia. Unë jam i përqendruar në botën digjitale dhe kam disa kompani të suksesshme në Itali dhe Angli. Po zhvendosem drejt kësaj sipërmarrjeje dhe aty e shoh të ardhmen më të sigurt.

Kryeson një nga qarqet më të rëndësishme në vend, pjesë e të cilit si kundërshtar do të keni edhe Kryeministrin aktual, Edi Rama. Cilat janë ambiciet sa i takon rezultatit në Vlorë, kur dihet që përgjithësisht ai është një qytet që voton majtas?

Vlora është një qytet që e ka nisur duke votuar fuqishëm djathtas, si të gjitha qendrat e mëdha urbane të Shqipërisë. Kështu që miti i “Vlorës që voton majtas” është i rrejshëm. Ato që nuk janë të rrejshme, janë manipulimet që e majta ka përdorur për ta mbajtur Vlorën nën kontroll. Opozita do të marrë 5-6 deputetë në Vlorë dhe Kryeministrit do t`i duhet të luftojë me partnerin e vet në qeveri LSI për të mos rrezikuar të ngelë jashtë Parlamentit. Ne kemi një listë shumë të mirë dhe përfaqësuese kësaj radhe. Përballë kemi disa ministra, një kryeministër dhe shumë drejtorë të majmur në pushtet dhe të pasuruar me paratë e shtetit. Unë hyj në garë me paratë e mia dhe nuk jam në Vlorë për të kapur ndonjë thelë, por për të kthyer në vendlindje vëmendjen dhe investimet e bijve të saj.

Cilat janë ambiciet personale apo prioritetet që do të ngrini në Parlament si përfaqësues i vlonjatëve?

Në optikën tuaj, çfarë duhet të ndryshojë urgjentisht në Vlorë? Vende pune për vlonjatët. Unë nuk kam ndërmend të premtoj, sepse kam ndërmend të bëj. Kryeministri ka premtuar 300 mijë vende pune dhe nuk ka hapur as 3 mijë, sa ç‘kam hapur unë si sipërmarrës vetëm me idetë dhe paratë e mia. Do të shfrytëzoj lidhjet e mia në Itali dhe Angli për të sjellë sipërmarrje të huaja në Vlorë. Pse një banor i bregut përballë, në Bari për shembull, merr 24 mijë euro në vit, ndërsa një banor i Vlorës 4 mijë? Ne nuk jemi as sakatë dhe as të metë. Duhet të ndryshojë urgjentisht mënyra me të cilën është konceptuar turizmi. Kryeministri e ka penguar turizmin e Vlorës për katër vjet, në vend që ta ndihmonte, duke shtrirë një monstër të panevojshme në breg të detit, që e ka quajtur Lungomare. Aty ku dikur kishim rërë dhe diell, tani kemi beton dhe pluhur. Deti është kthyer në gjol. Porti i jahteve në Orikum është ‘i vdekur‘: u informova se të huajve u kërkohet të paguajnë taksë hyrëse sa herë hedhin spirancën në det, ndërkohë që në të gjithë botën është një tarifë hyrëse unike. Ka plot ‘vrima të zeza‘ ku mund të ndërhyhet. Puna ime në Parlament do të përqendrohet te hartimi i një legjislacioni lehtësues për turizmin dhe sipërmarrjet që lidhen me të. Turizmi është industria e lehtë dhe e rëndë e Vlorës. Çfarë na pengon, përveç marrëzisë për ta vënë në punë? Jo për 1.5 muaj në vit, por gjatë gjysmës së vitit.

Si ju duket ekipi i ri i zgjedhur nga Lulzim Basha dhe përse sipas jush kishte nevojë PD për fytyra dhe ekip të ri?

Nuk është nevoja e PD, sa është nevoja e elektoratit për të parë fytyra dhe profile të reja. Shihni pak profilet që ka vendosur Basha në tri ndër qarqet më kryesore në vend: Shkodër, Korçë dhe Vlorë. Dy akademikë të shquar dhe të papërfolur si profile publike, Romeo Gurakuqin dhe Valentina Dukën. Duke kërkuar ndjesë për mungesën e modestisë, dua të fus edhe veten në këtë grup “të papërfolurish” dhe “profilesh suksesi”, të arritur nëpërmjet punës, garës, pasionit dhe kreativitetit. Mendoj se ne dhe shumë të tjerë në atë listë jemi sinjali që Basha ka dashur t`i japë shoqërisë. Jemi shenja e hapjes së Partisë Demokratike ndaj Shqipërisë. Basha është vetë prodhim i hapjes. Me anë të hapjes ai ka bërë një listë fituese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat