Basha sulmon Tahirin: Kushtetuta e re, akti i parë i Republikës

Shqipëria

Basha sulmon Tahirin: Kushtetuta e re, akti i parë i Republikës

Më: 9 qershor 2017 Në ora: 15:59
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha e ashpërsoi gjuhën politike në zonën e Kombinatit në Tiranë, ku socialistët përfaqësohen me Saimir Tahirin.

“Saimir Tahiri është emblema e dështimit dhe kriminalizimit të Shqipërisë, e vetmja arritje e Edi Ramës dhe koalicionit të dështuar në këto 4 vite”, deklaroi Basha.

Tek mosmbajtja e premtimeve Basha sheh edhe arsyen përse Rama i shmanget përballjes. “Ka frikë të vijë e t’u thotë shqiptarëve ku i ka 300 mijë vendet e punës që premtoi. Pse çoi 300 mijë vetë në mërgim? Ku e ka shëndetësinë falas? Po pensionin e 13-të? Po 97 për qind që do paguanin më pak taksa”, tha Basha.

Basha komentoi edhe qëndrimin e Ramës ndaj fushatës së opozitës. “Nuk ka bilanc, nuk ka program dhe merret me programin tonë. E kam dëgjuar që ka rritir sulmet dhe kjo është shenjë e superioritetit dhe fitores së opozitës së bashkuar dhe Republikës së re, që ka si kryefjalë ekonominë, biznesin, taksat e ulëta për çdo shqiptar e në veçanti për rininë”, tha Basha.

Programin për rininë Basha e shpjegoi me detaje në një bashkëbisedim të enjten me maturantë dhe studentë në Elbasan. “Subvencione për universitetet publike, ulje e tarifave. Asnjë të mos mbetet pa studiuar për shkak të pamundësisë ekonomike”, tha Basha.

Për 10 mijë studentët më të mirë, plani Basha parashikon praktikën e paguar të punës për 1 vit me qëllim rritjen e mundësisë për punësimin e të rinjve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat