Basha në Lezhë: Ekonomia dhe varfëria, shkaku kryesor i shkatërrimit të familjes shqiptare

Shqipëria

Basha në Lezhë: Ekonomia dhe varfëria, shkaku kryesor i shkatërrimit të familjes shqiptare

Më: 11 qershor 2017 Në ora: 00:27
Lulzim Basha/Lezhë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi të shtunën nga Lezha se “gratë dhe fëmijët janë ata që vuajnë më shumë nga papunësia, shëndetësia e shkatërruar dhe arsimi i rrënuar”.

Në një takim me gra lezhjane, Basha u shpreh se “gratë dhe fëmijët do të jenë përfituesit kryesorë të planit të PD-së për një ekonomi të fortë dhe të nesërme të sigurt”.

Duke paraqitur shifra të INSTAT-it, Basha theksoi se divorci është një fenomen në rritje vitet e fundit dhe shkaku kryesor i kësaj është varfëria dhe papunësia”.

“Edi Rama bën vetëm shfaqje, dhe më e keqja është ajo që fshihet pas shfaqjes. Rama largoi nga Kuvendi me dhunë gratë e Lezhës për të futur kriminelë, të cilët falë dekriminalizimit mbetën dhe ata jashtë Kuvendit. Fasada e Ramës nuk ka sjellë asgjë pozitive, ka sjellë varfëri, emigrim. Shqiptarëve u kanë kushtuar miliarda lekë bojërat e Ramës, ndërsa ekonomia ka shkuar drejt rënies, duke sjellë dhunë në familje, probleme sociale, duke i rënduar jetën veçanërisht grave, që kanë dhe barrën më të madhe të shoqërisë”, tha Basha.

Basha theksoi se nuk vjen në këtë fushatë me premtime, por me një plan për një ekonomi më të fortë dhe me ekspertizën e këshilltarëve ekonomik të Angela Merkel. “Plani ekonomik funksionon në tërësinë e tij. Vetëm ulja e TVSH-së do të mundësojë që ju të keni 400 milionë euro për të shpenzuar çdo vit në buxhet”, u shpreh Basha.

Pika e dytë e planit ekonomik i adresohet rinisë, ndaj sipas Bashës do të aplikohen praktika të paguara për studentët e sapo diplomuar.

Basha premtoi po ashtu mbështetje për fermerët me subvencione deri në 100 milionë euro në vit, duke mbështetur gjithë familjet dhe gratë fermere në vend.

Në integritet të planit për rritjen ekonomike dhe punësimin, sipas Bashës, do të bëhet edhe rritja e pensioneve. Basha premtoi se “që këtë vit do të rishikohet buxheti për rritjen e pensioneve si dhe për familjet në nevojë ekonomike”. “Pensioni i 13-të ishte një premtim i Edi Ramës, ndërkohë që pensioni nuk është rritur as në nivelin e inflacionit”, shtoi Basha.

Basha në Laç, ripërsërit ftesën për debat televiziv me Ramën

Punësim, taksa të ulëta e zhvillim ekonomik, ishin pikat kryesore të programit elektoral, që Kryetari i PD-së Basha veçoi në takimin me qytetarët e Kurbinit.

Basha po ashtu ripërsëriti ftesën për debat me Edi Ramën. “Ke tre javë që merresh me programin tim. Eja në debat e të na gjykoj populli, premtimet e tua dhe bilancin tënd dhe programin tim për ekonomi të sigurt”, tha Basha, duke iu drejtuar kryeministrit Edi Rama.

Energjia duhet dhe do të paguhet, tha Rama, duke premtuar zerim të kamatvonesave të vendosura në mënyrë abuzive.  “Si kryeministër i ri i Republikës së Re, premtoj se shqiptarët do të jenë të barabartë para ligjit dhe do të trajtohen njësoj. Duke nisur me papunësinë, plagën më të madhe të shqiptarëve sot, që ne do t’i japim zgjidhje. Do të rrisim pensionet. Duke nisur nga ky vit rinis ngritja e pensioneve dhe niveli 25 mijë lekë të reja i pensioneve është objektivi ynë brenda 4 viteve të para”, shtoi Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat