Arrestohet vrasësi i ish-komisarit Artan Cuko

Shqipëria

Arrestohet vrasësi i ish-komisarit Artan Cuko

Më: 11 qershor 2017 Në ora: 15:11
Artan Cuku

24 vjecari Mikel Shallari është vrasësi i ish-komisarit të policisë Artan Cuku, më 8 prill 2017, në Tiranë.Lajmi u bë i ditur të dielën gjate një konference për shtyp, nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, i cili deklaroi arrestimin të shtunën të Mikel Shallarit.

“Pas një pune intensive të strukturave Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, dhe në vlerësim të informacione, formave dhe metodave policore e shkencore, por dhe në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë, më 10 qershor, u bë i mundur ndalimi i të dyshuarit të vrasjes së ndodhur më 8 prill të shtetasit Artan Cuku, ish-oficer policie. Autor i kësaj ngjarje është shtetasi, Mikel Edmond Shallari, i datëlindjes 1993, lindur në Kuçovë dhe banues në Qytetin Studenti, Tiranë”, deklaroi drejtori Çako.

Vazhdon puna intensive për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje”, shtoi ai.

I pyetur nga gazetarët, kreu i Policisë së Shtetit pohoi se ekzekutori është person me precedentë penalë.

Duke siguruar familjarët e komisarit te vrare, për një hetim të gjithanshëm në lidhje me këtë çështje, Çako tha gjithashtu se po punohet edhe për arrestimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në ngjarje.

“Provat e grumbulluara deri në këtë moment janë të konsiderueshme bazuar në Kodin e Procedurës Penale. Vazhdojmë punën për dokumentimin e plotë edhe të bashkëpunëtorëve”, tha ai.

Prokurori i çështjes, Enrik Ligori, i pranishëm në konferencën për shtyp, tha se dihet tashmë ekzekutori i vrasjes, por nuk dihen ende arsyet e krimit dhe se kush qëndron pas tij.

“Dimë që dora që ka tërhequr këmbëzën është Mikel Shallari. Kush është ideatori i këtij krimi nuk mund ta themi dot. Ne sot dimë ekzekutorin. Ideatorin ende nuk e dimë. Mund të jetë Shallari, mund të jetë dikush tjetër. Ne po hetojmë”, tha prokurori.  Por, shtoi ai, Shallari vazhdon ta mohojë përfshirjen në këtë ngjarje.

Ish-komisari Artan Cuku mbeti i vrarë mbrëmjen e 8 prillit në hyrjen e pallatit ku banonte, në Tiranë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat