BSH jep detaje për rikonstruksionin 16 mln euro të Hotel Dajtit... ende mister kontraktuesi

Shqipëria

BSH jep detaje për rikonstruksionin 16 mln euro të Hotel Dajtit... ende mister kontraktuesi

Më: 14 qershor 2017 Në ora: 08:47
Hoteli Dajti

Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur nëpërmjet një njoftimi se, veç 30 milionë eurove, me të cilën ka blerë ish-hotel Dajtin, do të shpenzohen maksimumi edhe 16 milionë euro të tjera për ristrukturimin e godinës, tashmë të shkatërruar.

Ajo ka sqaruar me hollësi procedurat që nga shitja deri në kontraktimin e rikonstruktuesit, por pa përmendur emrin e tij. 

Sipas njoftimit, blerja është miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës pas një VKM të datës 12.05.2010, që autorizonte shitjen dhe objekti kaloi në pronësi të BSH. Më pas, më 2011, u realizua procedura e zgjedhjes së projektuesit me anë të një konkursi ndërkombëtar, që është Ark. Marco Petreschi. 

Në 30 janar 2015, projekti u dorëzua në Institutin e Monumenteve të Kulturës, i cili iu përgjigj Bankës së Shqipërisë në qershor të të njëjtit vit. Më tej u vijua me marrjen e miratimit nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, një detyrim ligjor ky për rikonstruksion të objekteve shpallur Monument Kulture. 

Në vijim, Banka e Shqipërisë ndoqi procedurat e aplikimit në Këshillin Kombëtar të Territorit (KKT) nëpërmjet Ministrisë së Kulturës, si ministri e linjës. Me përfundimin e procedurave për marrjen e lejes dhe njoftimin zyrtar nga autoritetet përkatëse, në fund të korrikut 2016, pas njohjes me detyrimin për shlyerjen e taksës së ndikimit në infrastrukturë, Banka e Shqipërisë kreu të gjitha pagesat përkatëse për Bashkinë e Tiranës.

Në garën për rikostruksionin u paraqitën 10 kompani, ndërkohë që u kualifikuan shtatë prej tyre. 

Në vijim, sipas BSH, u ndoqën të gjitha procedurat e tenderimit për objektin e prokurimit "Rikonstruksioni i ndërtesës së ish-hotel Dajtit”, procedurë që do të përfundojë me nënshkrimin e kontratës mes palëve. 

Por BSH deklaron se emrin e fituesit të garës do të bëjë publik vetëm pasi të jetë nënshkruar kontrata.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat