Rama ndryshon strategji: Mos sulmoni LSI-në

Shqipëria

Rama ndryshon strategji: Mos sulmoni LSI-në

Më: 16 qershor 2017 Në ora: 09:39
Edi Rama

Kreu i Partisë Socialiste pas dy javësh sulme të drejtpërdrejta ndaj aleatit të saj në qeverisje, Lëvizja Socialiste për Integrim, ka ndryshuar krejtësisht strategjinë, për të shtuar influencën e tek njerëzit. Fjala timon dhe tepsi duket më e radhë tek fjalimet e Ramës me qytetarë dhe takime më të gjera elektorale në sheshe. Këtë Rama ka kërkuar që ta ndjekin edhe kandidatët për deputetë. Kreu i Partisë Socialiste u ka nisur një mesazh tjetër 140 kandidatëve për deputetë ku u kërkon që të lënë mënjanë sulmet ndaj LSI-së dhe të flasin për çështjen e reformës në drejtësi dhe ekonominë. Rama u thotë deputetëve që të mos influencohen nga britmat dhe kërcënimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Në mesazhin e tij, Rama shkruan se sfida e socialistëve është të fitojnë zemrat e mendjet e njerëzve, për atë që kjo parti do të bëjë për vendin dhe jo të fitojnë luftën e gjelave që po bën LSI-ja, për hallet që i kanë rënë në kokë. “Ju lutem mos u influenconi nga britmat dhe kërcënimet e LSI dhe kini parasysh që çdo minutë që harxhoni duke u marrë me ta është një minutë e humbur për të folur me njerëzit për planin tonë për të bërë shtet, drejtësi me zbatimin e plotë të Vettingut dhe administratë serioze, me nxjerrjen jashtë të njerëzve nga zyrat e shërbimeve për publikun, rritja ekonomike me 5 për qind dhe uljen për herë të parë të papunësisë nga dy shifrore, në një shifrore në katër vitet e ardhshme.

Sfida jonë është të fitojmë zemrat dhe mendjet e njerëzve për atë që duam të bëjmë për vendin, jo të fitojmë luftën e gjelave që po bën LSI për hallet që i kanë rënë në kokë”, u ka nisur mesazh Rama kandidatëve për deputetë. Të njëjtin reagim kryesocialisti e postoi edhe më parë në Facebook: “Shqipëria s’ka nevojë për britma e kërcënime po për shtet, punë, mirëqenie. Ndaj mos flasim me vete e për vete, po me njerëzit e për njerëzit”. Ky është mesazhi i dytë që u ka mbërritur në telefonat personal kandidatëve për deputetë nga kryeministri Rama lidhur me sulmet e ashpra ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat