Meta: Policia të zbatojë ligjin

Shqipëria

Meta: Policia të zbatojë ligjin

Më: 17 qershor 2017 Në ora: 13:01
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta dënoi thirrjen e kryeministrit Edi Rama për përfshirjen e punonjësve të Policisë së Shtetit në fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit.

Në një prononcim për mediat, pas seancës plenare të jashtëzakonshme, Meta tha se është e qartë se rruga e zgjedhur nga kryeministri është rruga e presionit dhe keqpërdorimit të shtetit dhe administratës. Meta dënoi heshtjen e drejtorit të Policisë së Shtetit, edhe pse, u shpreh ai, ‘nuk më habit aspak’.

“Unë e kam bërë të qartë se segmente të policisë që kanë përgjegjësi nxitjen e prodhimit të trafikut të drogës kanë marrë për detyrë të cenojnë zgjedhjet me veprimet e paligjshme apo me mosveprimet e tyre në zbatim të ligjit”, tha Meta.

Ai tha se punonjësit e Policisë së Shtetit nuk kanë arsye të përfshihen në fushatë dhe nuk kanë detyrime as ndaj politikanëve duke i keqpërdorur në kundërshtim me statusin e tyre as ndaj trafikantëve.

“Detyra e parë më 26 qershor është ndarja e policisë dhe politikës me krimin dhe bandat. Është e qartë që ka një lidhje, kur kemi disa ngjarje të përsëritura si në Berat, Shkodër e disa zona të tjera”, tha Meta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat