Rama për Vettingun: Pak besonin se do t’ia arrinim

Shqipëria

Rama për Vettingun: Pak besonin se do t’ia arrinim

Më: 17 qershor 2017 Në ora: 19:54
Edi Rama

Pas votimit të vettingut në Parlament, kryeministri Edi Rama ka udhëtuar për në Lezhë, për mitingun e radhës elektoral.

Edhe këtu, Rama i ka mëshuar reformës në drejtësi, për të cilën ka thënë se pak vetë besonin se do të realizohej.

“Shumë pak besonin se ne do të arrinim ta bënim reformën në drejtësi. Shumë njerëz u trembën duke dëgjuar llogoret e politikës së vjetër që qëllonin reformën. Të tjerë, nga frika e reformës në drejtësi dhe vettingu u mbyllën në çadër dhe i shpallën luftë botës”, ka thënë Rama.

Ndërsa u ka premtuar të pranishëmve se mbështetjen që do t’i japin do t’ua shpërblejë me më shumë përkushtim dhe kokëfortësi, Rama ka shprehur keqardhjen për kërcënimet e dëgjuara në ditët e fundit, shkruan Top Channel.

“Kjo ose do të mbarojë më 25 qershor me një votë të bashkuar për PS, ose do të vazhdojë dhe të gjithë ata që i çojnë votat te partitë e tjera do të vazhdojnë të paguajnë të parët çmimin e kësaj mungese pjekurie”, ka vijuar Rama.

Duke theksuar se në 44 muaj, PS e ka dhënë provën se është e aftë të bëjë shtet, ai është shprehur i bindur se opozita e sotme nuk ka kapacitetet e duhura.

“PD nuk e ka sot as kryeministrin dhe as skuadrën që ju duhet juve. PD nuk e drejton dot sot Shqipërinë, ndaj duhet të votoni për kë do të merrni në punë 4 vitet e ardhshme”, ka shtuar Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat