Dako: Votë për PS e Ramën për të bërë më shumë se u bë në 44 muaj

Shqipëria

Dako: Votë për PS e Ramën për të bërë më shumë se u bë në 44 muaj

Më: 19 qershor 2017 Në ora: 10:19
Vangjush Dako

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Durrës, njëherësh kreu i Bashkisë, Vangjush Dako, së bashku me kandidatët për deputetë, Klodjana Spahiu dhe Jurgis Çyrbja, zhvilluan një takim me banorët e zonës së Xhafzotaj, njësia administrative Rrashbull.
  
Në fjalën e tij, Dako kërkoi mbështetjen e banorëve për Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama për të bërë akoma dhe më tepër sesa u bë në këto 44 muaj qeverisës.

"Na duhet një mandat që të vazhdojmë të bëjmë përsëri, jo vetëm kaq sa kemi bërë, por shumë e shumë më tepër, për të bërë Shqipërinë që duam, me më shumë shtet, me më shumë punësim, me më shumë mirëqenie për familjet tona”, u shpreh  Dako.
 
Kryebashkiaku theksoi gjithashtu se Qeveria Rama, në këto katër vite, ka qenë një mbështetëse e madhe për Bashkinë e Durrësit e cila ka përfituar fonde dhe financime aq sa nuk kishte përfituar në 25 vite të marra së bashku.

“Fitorja e Edi Ramës është një mbështetje e madhe edhe për Bashkinë e Durrësit. Kemi katër vite që kemi punuar me këtë qeveri dhe kemi përfituar fonde dhe financime sa nuk kishte përfituar Bashkia për 25 vite të marra së bashku. Investime kudo në Durrës por të gjitha këto bëhen vetëm me mbështetjen e Edi Ramës i cili ka një vizion për të mbështetur pushtetin vendor i cili është më pranë shërbimit të qytetarëve”, theksoi Dako.
  
Ndërkohë, kandidatja Spahiu u shpreh se fitorja e Partisë Socialiste në 25 Qershor jo vetëm që është e sigurtë por do të sigurojë më shumë se 71 mandate. “Fitorja e 25 Qershorit jo vetëm është e sigurtë por do të marrim më shumë sesa 71 mandate dhe për këtë jam e bindur që Xhafzotaj, Rrashbulli dhe kudo në këtë zonë do të votojnë Partinë Socialiste, do të votojnë Edi Ramën, sepse ju e keni parë, e keni provuar se çfarë ka ndodhur në këto 44 muaj por mbi të gjitha keni parë dhe keni provuar sesa punë po bëhet në këtë zonë”, deklaroi Spahiu.
  
Ndërsa kandidati Çyrbja siguroi banorët se “do jem fryma juaj, zëri juaj në parlament dhe do jem mbështetja juaj për çdo reformë që do jetë në të drejtën tuaj. Partia Socialiste ka bërë shumë por akoma ka shumë për të bërë. Që të bëjmë këto reforma dhe të përfundojmë ato reforma që janë nisur është e nevojshme mbështetja juaj dhe vota juaj në 25 Qershor”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat