Basha, akuza Ramës në Vlorë: Nuk e mbarove dot “Lungomare”-n

Shqipëria

Basha, akuza Ramës në Vlorë: Nuk e mbarove dot “Lungomare”-n

Më: 21 qershor 2017 Në ora: 00:13
Lulzim Basha

Lulzim Basha nga Vlora sulmoi Kryeministrin Rama se jo vetëm nuk i solli dot Vlorës zhvillim, por nuk i solli dot furnizimin me ujë të pijshëm duke lajmëruar se qyteti ka tre javë pa ujë.

“Thuaja shqiptarëve se Vlora ka tre javë pa ujë. Është e vërtetë apo jo? Tre javë pa ujë. Turp të kesh Edi Rama edhe ujin nuk e solle dot në Vlorë, por e denigrove këtë qytet dhe qytetarët e Vlorës, të cilëve u premtove taksa të ulëta, punësim dhe ekonomi, por i degdise, i bëre të marrin rrugët, të largohen nga qyteti i bukur dhe krenar”, tha Basha.

Basha ngriti ndaj kreut të PS-së akuza për mashtrim me taksat dhe mospërfundimin e “Lungomare”-s. 

“Nuk punove asnjë ditë për interesat e Vlorës, por ju kundërvure me gjithçka çfarë kishe. Taksa e larta, çmimet e larta, arroganca, arbitrariteti, terrori kundër sipërmarrjes, harresa totale për rininë vlonjate, e cila është nga më ta papunat e Shqipërisë. Përbuzje dhe shkelmim për bukuritë e Vlorës”, tha Basha.

Duke kërkuar votën e vlonjateve, kreu i PD-së tha se qeveria i la të rinjtë në Vlorë në harresë totale.

“A kërkoi ndonjëherë Vlora dhurata të pamerituara? Asnjëherë në histori. E vetmja gjë që vlonjatët kërkuan dhe kërkojnë është mundësia për të jetuar me djersën e ballit. Edi Rama jo vetëm nuk ua dha, por ju mori edhe ato pak mundësi që vlonjatët i kishin krijuar për veten e tyre”, tha kreu i PD-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat