Flamur Hoxha: Do të jem derë e hapur për të gjithë

Shqipëria

Flamur Hoxha: Do të jem derë e hapur për të gjithë

REXHEP SHAHU Nga REXHEP SHAHU Më 21 qershor 2017 Në ora: 13:20
Flamur Hoxha

Flamur Hoxha po futet në politikë për të sjellë një ndryshim edhe në mentalitetin e sotëm të një pjese njerzish. Ai pajtohet me një ndjeshmëri të njerzve të caktuar, të cilët shprehen se në politikë kanë depërtuar edhe horra, kriminelë me damkë, hajdutë që hyjnë në për t’u pasuruar, njerëz të paditur që marrin peng të sotmen e të nesërmen. 

Është kjo arsyeja pse Partia Demokratike mori nismën për të pastruar politikën shqiptare me ligjin e dekriminalizimit. Ndërkohë në këto 27 vjet, Flamur Hoxha e di se në politikë ka patur edhe njerëz të ndershëm që kanë punuar me përkushtim atdhetar. Falë politikanëve të tillë si Sali Berisha sot Shqipëria është në NATO, në miqësi të përhershme me SHBA dhe në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai ndjen mirënjohje për këta politikanë të ndershëm, të cilëve edhe u përket.

Ai e ka ndërtuar jetën e tij me mund e me djersë. Askush nuk mund të gjejë asnjë hije të dyshimtë në jetën e veprimtarinë e tij ekonomike. Duke hyrë në politikë, ai beson fort në programin e Republikës së Re, në programin e Lulzim Bashës, që do t’u japë fund pelivanëve, shushunjave e dallkaukëve të korrupsionit.

Ka një tendencë që t’i paraqesë gjithë politikanët njëlloj mashtrues që kërkojnë të përfitojnë në kurrizin e njerëzve, që kujtohen për njerzit vetëm në ditën e votimeve. Kjo nuk është e vërtetë për Flamur Hoxhën. 

Në të gjitha takimet e tij ai ka siguruar  se do të jetë I njejti njeri ashtu siç është shfaqur me sjelljen e tij gjatë kësaj fushate. 

-Do të jem derë e hapur për të gjithë, nuk do të jem i shurdhër për askënd, përsërit shpesh Flamuri. Madje këto fjalë i ka vënë edhe në kartvizitën e tij që t’i mbajë mend secili votues.

Njerëz të pafytyrë vijnë në Kamëz dhe u kërkojnë votën sërish për të qeverisur edhe katër vjet të tjera. Nuk duan që ju t’ua kujtojë kush gënjeshtrat që ua kanë bërë para katër viteve zgjedhësev. Vijnë me të njejtat gënjeshtra, me të njejtat fytyra, por me një ndryshim, nuk rrejnë për toke, por rrejnë për qielli.

Timoni në duart e tyre, do të thotë Shqipëria në greminë. Shqipëria e mbushur me krime dhe drogë, me njerëz pa shpresë, që mezi presin të ikin nga atdheu. Ata thonë se do të krijojnë vende pune këtu. Po pse nuk krijuan asnjë në këto katër vjet? A mos u duken pak katër vjet? Ata nuk kanë fare respekt për kohën dhe jetën e njerzve që po ju ikë pa e kuptuar në skamje dhe në mjerim të vazhdueshëm.

Partia Demokratike respekton konkurencën paqësore midis alternativave. Siç dihet, ajo zhvilloi një betejë të jashtëzakonshme për zgjedhjet e lira. Këto ditë fatkeqësisht po dëgjojmë për dhunë edhe ndaj grave, për gjakosje, për shitblerje votash si akuza midis aleatëve të qeverisjes aktuale. 

Në të gjitha rastet, ashtu si Partia Demokratike, Flamur Hoxha e dënon preraz dhunën. Dhuna i përket Republikës së vjetër. Sipas tij, policia e prokuroria e kanë për detyrë t'i zbardhin urgjentisht rastet e këtyre ngjarjeve të dhunshme, t'i dërgojnë fajtorët në bankën e të akuzuarve.

Ai ka përshtypjen se kjo lloj fushatë zgjedhore e kundërshtarëve politikë që shfrytëzojnë retorikën, pa dhënë llogari, por me hidh e prit, shaj e ulërij, ngri tone e kërcëno midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, sikur po u shkon për shtat të dy forcave të vjetra politike, pikërisht për t’i dredhuar përgjegjësive dhe llogaridhënies. 

Flamur Hoxha ka bindjen se liderët e PS e LSI kanë dëshirë të kapardisen, të shfaqen si burra të fortë dhe mbase kështu shpresojnë se do të shpërblehen me vota.

Por ai thotë se është i bindur se askush nuk do ta shpërblejë terrorin e tyre verbal.

Mes kësaj vape klimatike dhe elektorale, ai u bën thirrje administratorëve të pushtetit, të mos ua presin ujin njerzve, të lirojnë saraçineskat se do të mbaheni mend si kuçedra e fushatës së 25 qershorit.

Flamur Hoxha mbështetet tek simpatia e banorëve që sa vjen e shtohet për Partinë Demokratike. Si barometër ai ka veprimtarët e kësaj partie që I njohin shumë mirë ndjeshmëritë e njerzve. Ata e sigurojnë për një fitore të thellë. Le te qesin kundërshtarët petulla me ujë sa të duan, le të blejnë sondazhe e kalemxhij të gjithëdijshëm. Asgjë s'mund ta ndalë fitoren e 25 qershorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat