Basha: Ja si ulja e taksave rrit ekonominë

Shqipëria

Basha: Ja si ulja e taksave rrit ekonominë

Më: 23 qershor 2017 Në ora: 06:46
Lulzim Basha

Lulzim Basha shpjegoi dhe mbrojti programin e tij ekonomik. Ai thotë se efektet pozitive të taksave të ulta do të jenë zinxhir në ekonomi.

Taksat e ulta sjellin investime, investimet sjellin vende të reja pune dhe më shumë vende të reja pune sjellin më shumë të ardhura”, thotë ai.

Në Top Story, Ardian Civici ngriti pyetjen se ku do të gjenden këto para.

“Programi juaj është për uljen e taksave dhe rritjen e pensioneve dhe shpenzimeve të tjera sociale. Çështja është se me një llogari të thjeshtë kjo krijon një grupë në buxhet”, tha ai.

Por kreu i opozitës tha se gjithçka është e përllogaritur në programin ekonomik të tij. Ai tha se një pjesë e parave do të sigurohen nga lufta ndaj korrupsionit dhe abuzimit si dhe anulimi i disa koncesioneve të dhëna nga qeveria aktuale, që sipas tij janë korruptive.

Taksa e sheshte në nivelin 9 përqind është më e ulët edhe se vetë niveli i aplikuar nga Partia Demokratike kur ishte në pushtet. Basha dha arsyen se përse.

“Taksa e sheshtë 9 përqind është taksa e vetme konkurruese në rajon dhe ky është modeli që mbështet Gjermania për Shqipërinë, përmes dy këshilltarët kryesorë ekonomikë të CDU-së së Angela Merkel, që kanë dhënë ekspertizën e tyre. Ulja e taksave është thelbësore për investimet e huaja. Në vendet e rajoni taksat janë më të ulta se ne”, tha ai.

Basha thotë se taksa progresive ka goditur shtresën e mesme të qeverisë dhe këtë, sipas tij, Edi Rama e ka bërë qëllimisht. 

“Taksa progresive godet shtresën e mesme, shtylla e shoqërisë, njerëzit më të pavarur, që kanë një mendim të pavarur e që Edi Rama i goditi”, thotë ai.

Basha dha edhe një zotim. Ai tha se do të gjurmohen paratë e vjedhura, sipas tij nga koncesionet abuzive dhe korrupsioni, mes të cilëve edhe ato të marrëveshjes me CEZ.

“Shkuan 600 mln euro për CEZ. Bëhet fjalë për një aferë korruptive që do t’i shkojmë deri në fund, një aferë korruptive që shkon edhe më lartë se ministri Gjiknuri. Do t’i shkojmë në fund kësaj afere dhe aferave të tjera për t’u kthyer paratë shqiptarëve”, deklaroi ai. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat