Kamza, një shembull amerikan për shqiptarët

Shqipëria

Kamza, një shembull amerikan për shqiptarët

Nga: Ramiz Lushaj Më: 23 qershor 2017 Në ora: 07:13
Kamza

Kamza, kjo bashki e madhe e Qarkut të Tiranës, nga ma të mëdhatë në Shqipëri, për nga mënyrat, ritmet e hapësirat e ndërtimit e të zhvillimit të gjithanshëm dhe në rritje, më përngjason me një “Shembull Amerikan” i dallueshëm në dy shtetet e në treva etnike panshqiptare. Përndryshe: si të thuash, Kamza, është një “qytet amerikan” i vogël, si ato qytetet e reja amerikane, të shpirtit praktik amerikan, të kohënave amerikane. Në Kamëz pothuaj gjithçka është në një ndryshim të madh, po merr lartësime të reja, po sjell e përcjell integrime kulturore ndërkrahinore e ndërqytetëse, qytetërim shqiptar dhe euro-atlantik.
 
Njerëzit e Kamzës, të ardhur ma së shumti nga Veriu i Shqipërisë, janë sakrificë e sfidë, janë sipërmarrës individual dhe familjarë të pazakonshëm. Pikërisht në atë thjeshtësinë e tyne ka madhështime reale. Këtë e ndjen realisht vetëm kur je pak ditë pranë tyne, kur e mëson historinë e vjetër e të re të Kamzës. Duket kjo: në ndërtimin e shtëpive të tyre private deri dhe vila të bukura e kulla të larta, për të cilat vet e bajnë projektin, vet i hapin themelet, vet ua lartojnë katet. Me duart e mendjet e tyre, me dijet e kursimet e tyre. Si në qytetet e reja në Amerikë.  Një shembullim amerikan i Kamzës. Natyrisht ka edhe ndërtime pa leje, pasi shteti ynë, jo vetëm në Kamëz, nuk iu paraprini në kohën e duhur me plan urban rregullues. Kamza ka dhe diçka ma tepër e ma keq: iu banë shpesh herë pengesa me gjoks e stërkambça politik. Ndaj, ende edhe në ditë të sodit, ndeshet filozofia njerëzore e ish-kryeministrit demokrat Berisha për legalizim e pastaj urbanizim me filozofinë e sotme dëmtuese ndaj njerëzve nga kryeministri socialist në ikje, Rama, për të krye urbanizim e pastaj legalizim. Qendra e Kamzës, si kino-teatri i madh, bashkia, komisariti i policisë nr. 5, godina ku tani është përkohor Shtabi Elektoral i PD për Fushatën e 25 qershorit 2017, etj. janë godina të qelqta, të cilat të ngjasojnë sikur të ishe në ndonjë qytet amerikan. Kamza ia ka mbrri një rekordi të ri: të jetë e pesta bashki në Shqipëri për nga numri i banesave.
 
Kamza trupohet likpërmjet nga një rrugë (ndër)kombëtare, si në disa qytete amerikane. Aty qarkullojnë vargavijë mijëra makina e autobuza. Drejt “Udhës së Kombit” deri në Kukës e Kosovë. Drejt Shkodrës e Malësisë së Madhe në Mal të Zi (Ulqin, Podgoricë, Tivar, Plavë-Guci). Drejt Dibrës dhe rrjedhës së Drinit e Vardarit deri në Shkup (Maqedoni). Nga qendra e Kamzës drejt Tiranës janë autobuzat e shpeshtë urban ndërqytetës të kompanisë “Shpresa-Al”. Edhe brenda Bashkisë të madhe të Kamzës kam pá të lëvizin autobuza të vegjël të linjave të brendshme, tashma në rrugë të asfaltuara. E, për ma tepër e ma mirë, po punohet që qyteti i Kamzës përgjatë rrugës ndërkombëtare e në tanësi të qendrave të banuara të saj të jetë e planimetruar në të ardhmen e afërt e të largët si një kuti shahu me rrugët e saj. Kamza, gjithkund, në hapësirat e saj administrative, ka plot gjallëri në udhët e veta, ndër njerëzit e saj, nga lëvizjet e njerëzve të saj. Ndaj, edhe për këto, urbanizime në ardhmëri, popullsi në rritje, me gjallërinë e njerëzve e të makinave, them se Kamza më përngjan sikur të ishte një qytet amerikan. Kamza – si bashki e madhe (sëbashku me Paskuqanin, etj.) po shkon në rreth 200 mijë banorë, tue shenue një rekord të ri: e gjashta bashki në Shqipëri për nga popullsia e saj.

Kamza, jo vetëm përngjan me shembëllim amerikan në historinë e saj të re, por bashkia e drejtuesit e saj, njerëzit e saj, duan të jenë edhe vet një shembull i lidhjeve të shumanshme me Amerikën, i mirënjohjeve ndaj Amerikës– aleati ynë strategjik e miku i madh i Shqiptarëve. Vet Kamza, për nga madhësia gjeofizike-administrative e saj, është pak ma i vogël se Manhatani i hartës amerikane të Nju Jorkut dhe një nga kryeqendrat e botës së sotme globale. Qyshce shekullin e kaluar, në vitet 1922-1933, ishte në Kodër Kamëz një shkollë amerikane-shqiptare: Instituti i njohur “Kyrias” (i Kristo Dako, Sevasti Qiriazi-Dako, Parashqevi Qiriazi) po ka sot, në shekullin tonë të ri dhe një shkollë 9-vjeçare “Hillary Clinton”. Kaherit, në Kamëz, në Valiasin e minatorëve e të demokracisë, është një rrugë me emrin e “Woodrou Wilson”– presidentit të 28-të të SHBA (1913-1921)– mik e mbrojtës i madh i Shqipërisë. Në Bashkinë e Kamzës  gjendet një tjetër rrugë me emrin e mikut të madh të shqiptarëve, Xhorxh W. Bush, që dha kontribute për antarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. E majta shqiptare, e frymëzuar në ide e veprimtarim nga lidershipi i PS e kryeministri socialist në ikje- Edi Rama, dhe disa rryma antishqiptarie, e sulmuan Kamzën e drejtues të saj jo vetëm mediatikisht kur Kamza– e para dhe e vetmja- ia dhanë titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Kamzës Presidentit të 45-të të Amerikës, presidentit të sotëm, Donald Trump, si dhe një bulevard në qytetin e ri të Kamzës e pagëzuan me emrin “Donald Trump”.

Kamza ka gjithato shembullime amerikane. Po, në këtë Elektoriadë të Qershorit 2017, edhe kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë, kryesuesi i Listës së PD për Kamëz e Paskuqan, juristi, veprimtari shoqëror e politik, biznesmeni dinjitar Flamur Lutfi Hoxha është senator i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike në Tiranë, një anglo-sakson me shpirt e ndër brezni, që në vjeshtën e vonë, nëntor 2017, do të jenë me  diplomatë e akademikë të kësaj qendre në një vizitë në Amerikë, në takime e biseda me senatorë e kongresmenë amerikanë, etj. Në këto zgjedhje, më 25 qershor 2017, deputeti i ri Flamur Lutfi Hoxha do të shënojnë fitoren ma të madhe ndër demokratët e Listës së PD, pasi Bashkia e Kamzës ka 93 mijë votues, nga të cilët mbi 60 mijë janë në Kamëz e mbi 32 mijë në Paskuqan, të cilët në historinë e re të Demokracisë kanë votuar masivisht e maksimalisht për Partinë Demokratike. Kjo fitore e thellë për PD vjen dhe nga fakti se kryeministri socialist Edi Rama në katër vite të drejtimit të tij politik e ekzekutiv, nga 123 projekte të paraqitura nga Bashkia Kamëz nuk e ka miratue asnja prej tyne për ndërtimin e zhvillimin e Kamzës së re, e cila tashma mbahet ma së forti me fondet e saj lokale, pa fonde e investime nga Qeveria e Tiranës, ndonëse ndodhet pak kilometra larg selisë së saj. Përkundrazi, Qeveria sociliste e Ramës ka përdorë mijëra masa të dhunës policiore, gjoba e padi ligjore ekstreme deri në arrestime e burgosje ndaj njerëzve të Kamzës, ka krye heqje masive nga lista e ndihmës ekonomike për njerëzit në nevojë, ka praktikuar pengesa të gjithfarëshme për legalizimet, etj. Tashti, Kamza, nga një qendër fshatare, nga një ndërmarrje bujqësore nga një qendër e madhe e prodhimeve bujqësore e blegtorale për kryeqytetin e Tiranës,  është një nga bashkitë ma të mëdha të Shqipërisë. Kamza është e re, ka moshën tre dekadore të Demokracisë, ka frymë nga vlerat e larta të Demokracisë, ka shpirtin praktik amerikan në ndryshimet e zhvillimet e saj, ka dashurinë e madhe për Amerikën, për “planetin” Amerikë, për këtë Tempull të Demokracisë. Kamza, në ecjen, ndryshimet e zhvillimet e saj përditnore e në shumanshmëri është një shembull amerikan në tokën shqiptare, për shqiptarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat