Koalicioni për Nxitjen e Grave: Kuvendi i ri të vendosë barazi në kandidim

Shqipëria

Koalicioni për Nxitjen e Grave: Kuvendi i ri të vendosë barazi në kandidim

Më: 23 qershor 2017 Në ora: 15:36
Ilustrim

Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë përmes një deklarate për shtyp kërkoi sot nga politikanët dhe kandidatët për deputetë të premtojnë që Kuvendi i ardhshëm do të miratojë vendosjen e kuotës së barazisë 50% gra dhe 50% burra në kandidim.

“Ne i nxisim politikanët që në vijim të rritjes e mbështetjes së kauzës së avancimit të grave në vendimmarrjen lokale të vijojë me përmirësimin dhe zbatimin e ligjit e kuotës gjinore edhe në zgjedhjet parlamentare”, thuhet ne deklarate.

Gjithashtu, Koalicioni shpreh vendosmërine për të përdorur të gjitha mjetet demokratike të pjesëmarrjes, por edhe të organizimit, të protestës dhe të presionit publik, që të arrihet pjesëmarrja dhe përfaqësimi i barabartë i grave dhe vajzave në jetën politike në Shqipëri.

Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë është një rrjet i gjerë i organizatave të shoqërisë civile në Shqipëri, i krijuar në Dhjetor 2005, me iniciativën e Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA), Qendrës Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ACPD), Forumit të Pavarur të Gruas Shqiptare dhe një grupi deputetesh të Kuvendit të Shqipërisë të asaj kohe.

Koalicioni synon krijimin e mundësive të barabarta për pjesëmarrje dhe përfaqësim më të lartë të grave dhe të rinjve në Parlament, Qeverisje qendrore dhe lokale, parti politike dhe në vendim-marrje në përgjithësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat