Rama: Vlora bën bashkë Kosovën dhe Shqipërinë

Shqipëria

Rama: Vlora bën bashkë Kosovën dhe Shqipërinë

Më: 23 qershor 2017 Në ora: 21:45
Edi Rama

Partia Socialiste ka zhvilluar në qytetin bregdetar të Vlorës mitingun përmbyllës të fushatës zgjedhore, qytet ku edhe kreu i PS, Edi Rama, është në listë për deputet.

“Nëse ka një vend që i bën bashkë Kosovën dhe Shqipërinë, ajo është Vlora”, u shpreh Rama, teksa theksoi se Vlora do të ishte edhe vendi që ai do të kalonte ditët e tij të fundit. 

Po nga Vlora, Rama premtoi se nëse do t’i besohet sërish qeverisja e vendit, do të bëjë më shumë nga sa ka bërë gjatë mandatit të tij të parë.  “Në 44 muaj kam bërë për Vlorën jo aq sa desha, por aq sa munda. Për 4 vitet e ardhshme nëse do ma jepnin mundësinë, do të bëj për Vlorën dhe Shqipërinë katërfishin e atyre që janë bërë në këto 44 muaj”, deklaroi Rama. 

Më tej Rama u ka kërkuar falje qytetarëve për sjelljen punonjësve në administratë, duke theksuar se kjo nuk është administrata që u duhet shqiptarëve. “I kërkoj falje çdo qytetari për çdo abuzim në zyrat e shtetit. Nëse ka një gjë që më bën më njerëzor përpara çdo qytetari është sjellja e neveritshme e administratës. Kjo nuk është administrata që duam”, theksoi Rama. 

Rama i bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen dhe të votojnë numrin 2, pasi sipas tij pasi partitë e tjera kërkojnë të ndajnë shqiptarët për të ndarë tepsinë e pushtetit. 

“Të tjerët dua t’ju mbajnë juve të ndarë për tepsinë e pushtetit, ndërsa unë dua që të ju bashkojë juve me njëri tjetrin. Zgjidhni numrin dy, të bashkohemi për të gjithë këtë Shqipëri.”, tha Rama. “Më 25 qershor është dita që çdo shqiptar ta bëjë fletët e votimit flamur kuqezi ndaj çifligut të partive. Kush mungon në 25 qershor e lë të hapur shtegun për të këqijat”, u shpreh kryeministri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat