Aleati i Bashës flet për koalicionin PD-PS pas zgjedhjeve

Shqipëria

Aleati i Bashës flet për koalicionin PD-PS pas zgjedhjeve

Më: 24 qershor 2017 Në ora: 09:21
Dashamir Shehi

Kreu i LZHK-së dhe kandidati i PD-së për Tiranën, Dashamir Shehi, është i bindur se mes Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha, nuk ka asnjë marrëveshje për bashkëqeverisje.

Shehi deklaron se do të ishte e pamoralshme, e padrejtë, nëse do të kishte një marrëveshje që nuk është bërë publike. 

Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën shprehet per panorama se nuk do të firmoste asnjë marrëveshje të tillë, e cila do të bënte bashkë dy parti që kanë qenë kundërshtare historike me njëra-tjetrën.

Si e vlerësoni fushatën zgjedhore kur ka ngelur vetëm 1 ditë përpara se shqiptarët t’u drejtohen kutive të votimit?

Shpesh ditët e fundit po e cilësojnë si një fushatë të çuditshme nisur edhe nga retorika e përdorur nga krerët e forcave politike… Unë nuk e vlerësoj të çuditshme. Unë e vlerësoj të qetë. Atyre që i duket e çuditshme si fushatë nuk janë marrë ndonjëherë me fushatë. Gjithmonë fushata është konsideruar me flamujt në rrugë, parulla, postera. Këto i mungojnë kësaj fushate, prandaj duket e çuditshme, por në fakt fushata në vetvete, esenca e saj nisur nga programet, njerëzit, deputetët në territor janë bërë më kapilare. Ky është ndryshimi asgjë tjetër. Mjetet e komunikimit janë të tjera. Janë vjetëruar posterat dhe parullat, tani janë rrjetet sociale, janë TV. Lufta tani bëhet për këto. Marrëveshja solli qetësi. Marrëveshja hoqi posterat, hoqi fushatën e rrugës.

Heqja e fushatës së rrugës ka moderuar edhe gjuhën e drejtuesve politikë të maxhorancës dhe opozitës. Aq sa mendohet se mund të ketë një marrëveshje për bashkëqeverisje pas zgjedhjeve. E mbështesni ju një bashkëqeverisje Rama-Basha?

Unë gjykoj se nuk ka asnjë marrëveshje pas zgjedhjeve. E vetmja marrëveshje është për zgjedhjet që të futej opozita dhe ato të bëheshin të qeta. E dyta të kishim një qeveri teknike, e cila po balancon raportin me administratën që ka qenë i zhbalancuar në zgjedhjet e tjera. Marrëveshja ka një shtesë nga mbrapa që lidhet me ndryshimet kushtetuese dhe me ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Kjo është e vetmja marrëveshje, nuk ka asgjë tjetër. As për bashkëqeverisje dhe as për funksione publike. Do të ishte e pamoralshme, e padrejtë, të kishte marrëveshje. Unë personalisht nuk firmos asnjë marrëveshje të tillë ditën që do të jem në parlament. Nuk firmos asnjë lloj bashkëpunimi midis dy forcave. Kjo është diçka që e kanë në mendje disa analistë që i paguan PS-ja. Kundërshtari historik i së majtës në Shqipëri është qendra e djathtë, është Partia Demokratike me aleatët e saj. Ky lloj antagonizmi do të vazhdojë edhe për 50 vite të tjera, deri kur të bëhemi koalicion i plotë.

Nuk e shikoni të mundur këtë koalicion edhe për të bashkëpunuar për integrimin e vendit në BE?

Jo, nuk ka asnjë lloj nevoje për një koalicion të tillë. Ky do të ishte mohim i demokracisë. Shqiptarët duhet të bashkohen për gjërat e mëdha, siç është rasti i Kushtetutës kur ia vlen të bëhet një marrëveshje konsensuale për ligjin zgjedhor. Por për qeveri të përbashkët nuk ka nevojë Shqipëria. Edhe për çështjet europiane, nëse bëjmë një Kushtetutë të mirë dhe ligj zgjedhor të mirë, Europës i afrohemi. Nuk ka asnjë nevojë për një qeveri të përbashkët. Një qeveri e përbashkët do të thotë groposje e të gjithë alternativave. Groposje e sistemit të kontrollit të qeverisë që është baza e demokracisë.

Po nëse numrat mbas zgjedhjeve do ta imponojnë këtë bashkëqeverisje?

Absolutisht e konsideroj të pamundur dhe të panevojshme. Ka shumë formula dhe rrugë të tjera për të gjetur zgjidhje. Ne shkojmë si qendër e djathtë për të fituar zgjedhjet dhe për të larguar këtë qeveri që e ka tepruar. Kjo është zgjidhja më e mirë për Shqipërinë. Zgjidhjet e tjera diskutohen në shtator e prapa.

Si e shikoni sulmin e përbashkët të Ramës e Bashës ndaj Ilir Metës?

Unë gjykoj se sulmi ndaj Ilir Metës duhet të jetë njësoj siç sulmohet çdo njeri i qeverisë. Ilir Meta ka të gjitha kusuret e veta, por kryekusari i kusureve është vetë Edi Rama. Unë nuk kam parë ndonjë vend që faji të ndahet midis të madhit dhe të voglit njëlloj. Ky është përgjegjësi për gjithë atë që ka ndodhur në Shqipëri. Ilir Meta ka përgjegjësinë e vet si aleat për atë që ka ndodhur. Por gjykoj se armiku ynë kryesor është Edi Rama, Kryeministri i PS-së.

Po përfshirjen e Ilir Metës në fushatë, pas zgjedhjes së tij në postin e Presidentit, si e shikoni?

Është një gjë anormale që nuk i bën nder Metës jo e jo, por kjo është e rrezikshme edhe për institucionet e shtetit shqiptar. Është një precedent shumë i rrezikshëm që rrëzon institucionet të cilat dalëngadalë jemi përpjekur t’i ngremë. E konsideroj të pamoralshme.

Kreu i Grupit të PS-së ka kërcënuar Metën me shkarkim. Mendon se mund të shkojë deri në shkarkimin e Presidentit?

Nuk e di, por këta të majtët kanë një princip që sa herë i vjen interesi mbarë puthen dhe përqafohen. Pastaj, ditën që zihen kanë për borxh të theren me njëri-tjetrin dhe të theren institucionet e shtetit përpara. E quaj një gjë normale. Unë uroj që midis së keqes të ketë gjithnjë sherr e luftë për të fituar e mira. Kështu, që s’më shqetëson fare kjo punë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat