Zguri takon Çakon: Duhej të ishin festë, por në Shqipëri zgjedhjet i kemi sfidë!

Shqipëria

Zguri takon Çakon: Duhej të ishin festë, por në Shqipëri zgjedhjet i kemi sfidë!

Më: 24 qershor 2017 Në ora: 16:08
Drejtori i Policisë Së Shteti Haki Çako dhe Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Klement Zguri

Drejtori i Policisë Së Shteti Haki Çako takoi këtë të shtunë Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Klement Zguri në lidhje me garantimin e një procesi zgjedhor të qetë nga ana e Policisë.

Zguri i ka quajtur sfidë zgjedhjet në Shqipëri duke ju referuar sjelljes së partive politike, kandidatëve për deputetë dhe individëve të caktuar.

“Ju falënderoj për mbarëvajtjen  e të gjithë punës suaj, për informacionin e dhënë në të gjitha fazat e veta, dhe në kohën përgatitore të zgjedhjeve, në ditën e sotme që ka të bëjë me monitorimin dhe shpërndarjen e bazës materiale. Në programin tuaj dhe gjithçka ju keni marrë në kuptimin e masave të sigurisë për qendrat e votimit deri sa të fillojë votimi, në vendin e numërimit të votave dhe deri në dorëzimin e materialeve në KQZ dhe të shpalljes së rezultateve. Unë besoj që ju e dini më mirë punën tuaj sesa unë ndaj  nuk kam ç‘porosi të lë, thjesht dëshiroj që ne të gjithë bashkërisht t’ia arrijmë një qëllimi. Fundja është dëshirë e të gjithëve, e qytetarëve, e partive politike, institucioneve, besoj se nëse zgjedhjet do të shkojnë mirë, do të jetë një mundësi akoma më e mirë. Ju falënderoj të gjithëve ju që jeni këtu, gjithë punonjësit e policisë që do të angazhohen në një proces zgjedhor. Nëse në vende të tjera, kam qenë duke vëzhguar zgjedhjet, i quanin festë, festa e zgjedhjeve. Këtu, për hir të së vërtetës, është sfidë, mënyra se si sillen partitë politike, individë të caktuar, interesat, kandidatët. Por shpresojmë që do ia dalim bashkërisht, se për një qëllim jemi, të dy palët”, u shpreh Zguri.

Nga ana e tij, kryepolici Çako tha se mbi rezultatin, është e rëndëishme që të ketë votim të pacënuar nga asnjë rrethanë,

“Ne e konsiderojmë një mundësi të shtuar dhe një shans shumë të mirë prezencën tuaj dhe porositë e dhëna nga ju, por gjykojmë që e gjithë Policia e Shtetit, krahas detyrimeve që ka të parashikuara në ligj, sot e nesër së paku, në finalizimin e këtij procesi, sa të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët, sikurse e thatë edhe ju, është totalisht në funksion, në kuptimin e mirë të fjalës, të KQZ-së, i cili është institucioni i vetëm i menaxhimit dhe i përpunimit të të gjithë procesit zgjedhor.  Në këtë kuadër, detyrat e policisë janë në funksion dhe në mbështetje të KQZ.  Pa dyshim që të dyja institucionet bashkë, kanë interesin madhor për t’u bërë të mundur shqiptarëve një votim në shprehje të vullnetit të lirë, të drejtpërdrejt dhe të pacensuruar nga asnjë lloj rrethane. Rezultati nuk është lajm, as emocion për Policinë e Shtetit, sigurisht edhe për KQZ-në”, u shpreh drejtori i Policisë së Shtetit.

Zguri dhe Çako, vizituan edhe Grupin e Drejtimit dhe Koordinimit në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, i ngritur për menaxhimin e procesit zgjedhor përsa i përket Policisë.

Drejtori për Rendin Publik, Drejtues Albert Dervishaj, ka njohur Kryetarin e KQZ, me masat e marra që nga fillimi i procesit e deri në këto momente, si dhe me Programin e  Menaxhimit të shërbimeve të Policisë së Shtetit, për procesin e votimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat