Misioni i ri i Hoyt Yee në Ballkan

Shqipëria

Misioni i ri i Hoyt Yee në Ballkan

Më: 25 qershor 2017 Në ora: 07:42
Hoyt Brian Yee

Vetëm një muaj më parë, mediat pranë Partisë Demokratike deklaruan se Hoyt Brian Yee është tashmë një i shkarkuar dhe po zhvillon vizitën e fundit në Ballkan.

Ndërkaq Eno Bozdo, një zyrtar i lartë i PD-së, shkruan në faqen e tij në FB se Hoyt Yee është tashmë një rudiment i administratës Obama dhe në largim.

Por pas paktit ndërmjet Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, ka rënë edhe propaganda që sulmoi jo vetëm ambasadorin Donald Lu dhe zyrtarin e lartë të DASH Hoyt Yee, por edhe numrin dy të Departamentit të Shtetit, Tom Shannon, i cili më 21 prill priti ministrin e Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushatin.

Por ditën e djeshme, Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka promovuar sërish me një mision special në Ballkan kreun e Byrosë së Euroazisë në DASH, Hoyt Yee, që e ka emëruar si kreu i delegacionit amerikan në ceremoninë e inagurimit të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Vendimi është i publikuar në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë dhe përbën një dekretim më shumë për ta veshur me pushtet diplomatin, i cili arrit të zgjidhë personalisht dy kriza të mëdha; atë të Maqedonisë, ku detyroi presidentin Gjeorgje Ivanov që t’i japë mandatin e krijimit të qeverisë së re, ndërkohë që nxori PD-në nga çadra dhe detyroi të bëjë pakt me Edi Ramën për zgjedhjet e 25 qershorit.

Në delegacionin që Trump ka emëruar për të marrë pjesë në ceremoninë e sotme në Beograd, përveç Hoyt Yee, bën pjesë edhe ambaadori amerikan në Serbi, Kyle Scott, si dhe Drejtori për Ballkanin dhe Kaukazin i Këshillit Kombëtar në Shtëpinë e Bardhë, Mark Tervakoski.

Zyrtari i lartë i DASH, përveçse do të marrë pjesë në ceremoninë e inagurimit të presidentit të ri serb, pritet të takojë edhe të emëruarën si kryeministre të Serbisë, Ana Brbabiç, e cila shikohet si një zgjidhje jo sipas kërkesave të Moskës.

Ndërkaq, të shtunën Hoyt Yee do të jetë në Prishtinë për të diskutuar mbi qeverinë e re të Kosovës si dhe do tu urojë publikisht shqiptarët për Fiter Bajramin.

Pas vizitës së Hoyt Yee, do të mësohet se kush do të formojë qeverinë; Ramush Haradinaj, Albin Kurti apo një tjetër.

Një shenjë u dha në fakt edhe në intervistën e analistit të njohur Daniel Serwer, i cili deklaroi se është ende e parakohshme që Albini të formojë qeverinë.

Ndërkaq, pas Prishtinës, Hoyt Yee mbërrirn në Tiranë, ku do të shikojë live vullnetin e shqiptarëve se kujt do tu japë të fuqinë e drejtimit të vendit.

Hoyt Yee do të drejtojë misionin e vëzhgimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zgjedhjet e 25 qershorit, ku pritet të shkojë në vendet e cilësuara si “të nxehta”, ku dhe do të japë një mesazh të rëndësishëm publik.

Ndërkaq, ditën e hënë pritet që Hoyt Yee të takohet me Edi Ramën dhe Lulzim Bashën për të rinovuar marrëveshjen e tyre pas zgjedhore, e cila pikërisht nga rezultati do të ketë formën dhe peshën e tij.

Edhe nëse nuk do të ketë një bashkëqeverisje PD-PS, tashmë është e vendosur që Rama e Basha do të firmosin me shkrim angazhimin e tyre për të implementuar deri në fund reformën në drejtësi.

Kjo do të thotë që me votat e PD-së dhe PD-së do të zgjidhet Kryeprokurori i ri që kërkon 84 vota, do të zgjidhet Kryeprokurori i ri Special që kërkon 84 vota, do të zgjidhet Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit që kërkon 84 vota, do të zgjidhen anëtarët e Këshillit të Prokurorisë dhe anëtarët e Këshillit të Lartë gjyqësor që duan sërish 84 vota.

Ndërkaq pezull është edhe seanca e Gjykatës Kushtetuese për vettingun, për të cilën amerikanët janë të shqetësuar.

Ndaj Hoyt Yee vjen në Ballkan me një gradë më shumë presidenciale, siç duket për ta fuqizuar më shumë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat